EUROPOL: Kosovarë të përfshirë në rrjetin e trafikantëve me emigrantë që përfituan 6 miliardë €

Bandat e trafikimit me njerëz kanë përfituar rreth 6 miliardë euro vitin e kaluar, ku pjesa më e madhe e kësaj shume ka ardhur nga tra...


Bandat e trafikimit me njerëz kanë përfituar rreth 6 miliardë euro vitin e kaluar, ku pjesa më e madhe e kësaj shume ka ardhur nga trafikimi i migrantëve për në Evropë, ka thënë agjencia policore e BE-së Europol në një raport të lëshuar të hënën.
Raporti, duke e cilësuar trafikimin me njerëz si një prej “tregjeve kriminale me rritjen më të shpejtë në Evropë”, thotë: “Ky qarkullim (prej 6 miliardë eurove) pritet të dyfishohet apo trefishohet nëse shkalla e krizës aktuale me migrantë rritet vitin e ardhshëm”.
Europol dhe forcat policore në vendet në Evropë dhe jashtë saj kanë identifikuar më shumë se 12 mijë të dyshuar aktivë në banda të përfshira në trafikimin me migrantë që nga viti 2015.
Bandat, pjesëtarë të së cilave vijnë nga vende si Kosova, Bullgaria, Egjipti, Hungaria dhe Iraku, janë të përfshira në një shkallë të gjerë të aktiviteteve kriminale përfshi falsifikimin e dokumenteve dhe ryshfetin zyrtar, thotë raporti.
Të ashtuquajturat “pika të nxehta” ku aktivitetet e bandave janë të përqendruara përfshijnë qytete përgjatë shtigjeve ballkanike nga Lindja e Mesme, siç janë Stambolli, Izmiri, Athina dhe Budapesti por edhe çerdhe të mëdha kontinentale si Berlini, Calais, Zeebrugge dhe Frankfurti.
Por Europoli thotë se ka pak dëshmi se “të dyshuarit terroristë” kanë shfrytëzuar rrjetet e trafikimit për të hyrë në kontinent në një shkallë të konsiderueshme.
“Shumë më pak se 0.01 për qind e të dyshuarve terroristë kanë pasur lidhje me migrantët”, ka thënë drejtori i Europolit, Rob Wainwright, gjatë një konference për media.
Rreth një milion migrantë kanë arritur në Evropë vitin e kaluar, shumica prej të cilëve kanë ikur nga lufta dhe varfëria në Lindjen e Mesme, ka thënë agjencia në raportin e lëshuar sot tani që është duke themeluar një qendër të re për të koordinuar luftën e gjerë evropiane kundër trafikantëve.
Qendra Evropiane për Trafikim të Migrantëve, që do të vendoset në Hagë, do t’ju ndihmojnë forcave policore brenda dhe jashtë Evropës që të shpërndajnë informacione dhe të ndihmojnë me zbarkimin e shpejtë të forcave emergjente policore në rast të hapjes së shtigjeve të reja të migrantëve. /Koha.net/






Related

Top Lajm 1153126861605201452

Arkivi

Kontakt

Name

Email *

Message *

STUDJESA PETROL

item