E drejta e punës, e drejta e jetës

nga Majlinda BUSHJA Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës një grua 102 vjeçare, Mabel Sawbill ende punon në restorantin e saj duke ...

nga Majlinda BUSHJA



Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës një grua 102 vjeçare, Mabel Sawbill ende punon në restorantin e saj duke shërbyer drekën për Klubin e Grave të Bethesdës.  Kurse në Itali një grua rreth 77 vjeç, është në kërkim të një pune pas mbylljes së restorantit ku ajo punoi rreth një vit më parë. Këto gra apo burra qofshin, nuk janë të vetmit që qendrojnë në tregun e punës jashtë vendit, shumë të tjerë të aftë dhe me përkushtim vazhdojnë të  punojnë me seriozitet në këtë moshë, pse jo të kenë edhe ambicjet e tyre. Por krejt e kundërta ndodh në Shqipëri ku diskriminimi moshor është kthyer në trend. Madje, të jesh në kërkim të një pune në moshën 77 vjeç për hir së vërtetës do quheshe ‘ca e çmendur’ dhe asnjë s’do të merrte seriozisht. Pasi sot gjithmonë e më shumë po vihet re një vijë ndarëse e thellë mes atyre që ju jepet e drejta të punojnë dhe atyre që se kanë më këtë të drejtë. Në çdo zyrë ku të bie rasti të shkosh qoftë në sektorin privat apo shtetëror do të shohësh vetëm të rinj që punojnë, të cilët kanë lënë në shtëpitë e tyre prindër po të rinj, që kanë ende potenciale inteletuale për t’i shërbyer vendit të tyre dhe shoqërisë. Eksperienca e prindërve në të gjitha dimensionet e saj është zëvendësuar me të rinj pa përvojë që sapo kanë lënë dyert e fakulteteve të cilët duket sikur janë në garë me prindërit e tyre. Më kot nuk vazhdon ende të thuhet kush ishte e para, veza apo pula? 
Por fenomeni “Rinomania”, ka përfshirë jo pak edhe politikën. Të rinj që anëtarësohen me shpresën e një vendi pune, apo të tjerë që janë punësuar dhe presin ta mbajnë sa më gjatë vendin e tyre. E kush ta siguron, atë, më shumë se partia. Deri dje është parë fare qartë nga të gjithë sesi është tërhequr prej hundësh administrata, ku një parti sapo vjen  në pushtet bën në të njëjtën kohë dhe zbrazjen e administratës, pasi secila parti rreshton militantët e vet. Thënë më shkurt, në Shqipëri,“ Partia është aftësia”. E kjo marrëdhënie është vështirë të prishet pasi është ndërtuar për vite me radhë, ku hallkat mbajnë njëra- tjetrën sepse janë të detyruara ta mbajnë për vet interesat në të cilat janë përfshirë. E në këtë qerthull janë përshirë fuqishëm dhe të rinjtë që kërkojnë të ecin shpejtë dhe t’i arrijnë sukseset e tyre në një kohë relativisht të shkurtër, ndryshe nga prindrit e tyre. 
Në të vërtetë duket si një lloj paragjykimi që po ju bëj të rinjve, por thelbi i asaj që kërkoj është zbutja e diskriminimit moshor që është shumë i theksuar në Shqipëri, ashtu sikundër janë të theksuara veçandërisht fenomenet negative. Në asnjë vend të botës së përparuar ku ne aderojmë të bëjmë pjesë nuk shikon nëpër zyra vetëm të rinj duke flakur nga tregu i punës moshën e mesme (40-60 vjeç) që ka të akumuluar ndër vite një eksperiencë të vlefshme e cila do t’i duhej çdo vendi pune. Pjesa më e specializuar dhe më e rëndësishme e tregut të punës sot po konsiderohet e panevojshme, duke krijuar daljen në pension të parakohshëm, logjikisht. Ndërkohë që, kurba e daljes në pension sa vjen e rritet nga qeveria dhe pritet të shkoj në 67 vjeç vitet e ardhshme, mosha e pranimit në punë sa vjen e ulet në tregun e punës duke krijuar një disbalancë dhe paqendrueshmëri. Ky është tregues edhe i pamundësisë për derdhjen e kontributeve për pension për të ardhmen. Besoj se shumëkush do të ishte në një mendje me mua po të thosha se një 60 vjeçar qoftë burrë apo grua do ta kishte të vështirë për të hyrë në tregun e punës sërish nëse kompania apo vendi i punës ku ai ndodhet i bie rasti të mbyllet, pasi vet tregu i punës në Shqipëri e ka nxjerr atë me kohë jashtë. Nga njëra anë rritet dalja e moshës në pension dhe nga ana tjetër ulet mosha e pranimit në punë. Ky ankth i kohës sonë po përfshin shumë burra e gra të rinj në moshë që ju përplasen dyert fytyrës për një arsye sa banale, aq dhe qesharake, që është mosha. Madje nuk ju jepet e drejta të hapin as gojën për të shprehur, çka dinë pasi është vendosur një kriter që ata i ndalon të flasin.  
Për të qenë realist deri në fund kriteri i parë në punë sot është mosha kurse, disa vija më poshtë janë aftësitë. Por për këtë fenomen gjithmonë e më shumë në rritje pakkush ka folur. Megjithëse duhet t’i vihet fre egoizmit për të përbuzur moshën duke mos e parë si “gogolin” që të ndalon të jetosh, heshtja duket sikur i ka rrëmbyer të gjithë. Por e drejta e punës është e drejta e jetës, dhe të dyja këto shkojnë bashkë, e janë të pandara nga njëra- tjetra. Sot i trembesh moshës më shumë se kurrë, jo për rrudhat që vijnë, por për vitet që ikin, duke të hequr të drejtën e punës, e drejtë e çdokujt që kërkon të jetojë me dinjitet. Është e vërtetë se diskriminimi moshor është një krim pa ndërshkim i kohës, por nuk duhet lënë të forcohet më tej, duke i lënë rrugë të lirë abuzimit që është në rritje dhe po ndërshkon.




Related

Opinione 5065454178606820256

Arkivi

Kontakt

Name

Email *

Message *

STUDJESA PETROL

item