De Biasi: Ëndrra me Shqipërinë vazhdon!

Gianni De Biasi Gianni De Biasi flet 360 gradë për të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen e tij. Kualifikimi në Euro 2016 ishte nj...

Gianni De Biasi

Gianni De Biasi flet 360 gradë për të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen e tij. Kualifikimi në Euro 2016 ishte një nga temat kryesore të bisedës së gjatë që ai zhvilloi në emisionin “Rruga drejt Rusisë” në versionin spanjisht por fillimisht ai u ndal te momentet kur pranoi ofertën e Shqipërisë.
“Mbërrita në Shqipëri pas eksperiencës time me Udinesen që u mbyll brenda pak muajsh pa pasur në dispozicion kohën e nevojshme për të punuar me skuadrën. Në Itali, shpeshherë një trajner nuk ka mundësinë të punojë siç ai dëshiron sepse koha mungon dhe shpeshherë thirret në një skuadër për të menaxhuar situatat momentale. Për këtë arsye pranova ofertën për të drejtuar Kombëtaren e Shqipërisë. E dija që do të ishte një mision i vështirë por kisha mundësinë për të qenë në qendër të projektit si në të shkuarën me disa klube”, tha De Biasi.
Në vijim, De Biasi u përqëndrua te ditët e para të punës me Shqipërinë duke e pranuar se situata ishte e ndërlikuar, ndërsa shton se skuadra aktuale është konkurruese.
“Kisha në dispozicion një grup lojtarësh me moshë të madhe dhe kishim shumë pak cilësi. Në kokën time kisha një ide të qartë sepse e dija që mund të përmirësoheshim nëse do të punonim për të ndërtuar një grup me lojtarë të motivuar. Më pas erdhën dhe shumë lojtarë me cilësi, ndërsa uniteti i grupit bëri ndryshimin. Aktualisht kam një grup shumë të fortë të cilit i pëlqen të jetë pjesë e Kombëtares. Të gjithë mendojmë në të njëjtën mënyrë; Bashkë mund të bëjmë gjëra të mëdha! Kemi bërë hapa të mëdha në aspektin teknik, taktik dhe kontrollimin e topit duke mos i nënvleftësuar këto aspekte, gjë që ndodhte më parë”, tha italiani.
Trajneri kuqezi shton se në fillim të eliminatoreve nuk e kishte shkuar nëpër mend kualifikimin, ndërsa e pranon se ka hasur vështirësi për të bashkuar në një filozofi të vetme lojtarë të ardhur nga Zvicra, Gjermania, Italia, Turqia, Azerbajxhani dhe Kroacia.
“Nisëm të luanim me modulin 4-4-2 në dy vitet e para për të kaluar më pas te 4-3-3 që ndonjëherë transformohet edhe në 4-5-1 që mund të rezultojë një modul agresiv. Gjithsesi, ajo që ndryshoi më shumë ishte ideja se mund ta mbanim më shumë topin në këmbë pa e humbur lehtë. Kam lojtarë të shkëlqyer por asnjëri nuk është më i fortë apo vendimtar se tjetri. Skuadra bazohet te loja që vlerëson lojtarët dhe jo e kundërta”, tha ai.
De Biasi përqëndrohet më pas te e ardhmja, Euro 2016 por edhe eliminatoret e Botërorit 2018.
“Në europian objektivi jonë është që të japim maksimumin pa pasur asnjë peng. Përsa i përket Botërorit 2018, vështirësitë janë të dukshme sepse kemi në grup skuadra si Italia dhe Spanja dhe vetëm e para kualifikohet direkt, ndërsa e dyta me play off”.
Trajneri i Kombëtares Shqiptare thekson se 50 % e skuadrës përbëhet nga lojtarë me origjinë nga Kosova që kanë zgjedhur vetë të veshin këtë fanellë, por me njohjen e Kosovës nga FIFA askush nuk do të largohet pasi mes federatave ka një marrëveshje. Në fund, ai bën një koment edhe për të ardhmen e tij në futboll.
“Sfida është pjesë e stilit tim të jetës dhe me Shqipërinë unë fitova vetëm sfidën e parë. Tani kemi ende sfida përpara dhe po përgatitemi. Çdo njeri kërkon të prekë limite të reja dhe unë shpresoj që në të ardhmen të kem mundësinë të drejtoj një skuadër apo një Kombëtare më të madhe”, përfundoi trajneri kuqezi./SS

Related

Sport 6365935861640818785

Arkivi

Kontakt

Name

Email *

Message *

STUDJESA PETROL

item