Dashuria dhe brenga e saj në letërsi

Nga Feride Papleka Pa dashurinë dhe brengën e saj, letërsia mbase nuk do të ekzistonte. Dashuria bashkon dy zemra në një fantazi. Ajo...

Nga Feride Papleka



Pa dashurinë dhe brengën e saj, letërsia mbase nuk do të ekzistonte. Dashuria bashkon dy zemra në një fantazi. Ajo është si zjarri që digjet e s’shuhet. Te njeriu që dashuron ka diçka të pavetëdijshme që lulëzon. Ligjërimi i dashurisë i fshin fjalët e njohura dhe përdor një gjuhë të re, aq sa duket sikur “Gjuha është shpikur për të shprehur dashurinë”. Heroinat dhe heronjtë letrare marrin përsipër të sjellin të freskët lëndën e dashurisë që lexuesi e ndjek me kureshtje, duke përzier kujtimet e veta me ato të teksteve. Pasioni i personazheve shkon ndonjëherë deri në skaj të iluzionit sublim.

Poetët shkruajnë: dashuri prej peme; dashuri e kaltër; dashuri, lindje e parafundit në rrugën e vdekjes“. Çastet magjiplote aty shfaqin një lojë metafizike të një hapësire të ngjyrshme ku “lulet çelin pambarimisht” dhe ku „Ajo është e bukur si dashuria“. Në historinë e përditshme dashuria ruan përherë misterin e përjetësisë. Por dashuria shpesh sjell fatkeqësi që e shtyjnë njeriun të zhduket papritmas si në ëndërr. Që nga nostalgjia platoniciane për dygjininë, që është miti i hakmarrjes së zotave ndaj njeriut e deri te hakmarrja e një zoti modern që godet sot pareshtur dashurinë me mungesën e saj si një epidemi e tmerrshme e brezave të rinj, brenga e dashurisë shpalos madhështinë, por edhe banalitetet përmes tërë rrymave letrare : klasicizmit, romantizmit, realizmit, syrrealizmit, modernizmit dhe postmodernizmit.

Poema “Odisea” e Homerit është quajtur nga kritika e shekullit XX, romani i parë i dashurisë. Madje për të thuhet: “romani blu i dashurisë”, sepse Uliksi përshkon detet për t‘u kthyer në Itakë ku e pret që prej njëzet vjetësh Penelopa. Në fillim të epokës kristiane, Ovidi shkroi librin “Dashuritë”, ku i këndoi trillit të tij imagjinar për Korinën, një vajze të bukur romake. Libri tjetër i tij “Arti për të dashuruar”, i kushtoi syrgjynin e gjatë dhe vdekjen në dhe të huaj, ngaqë u cilësua nga censura si provë imoraliteti. Lumturia si ide abstrakte e ndjek njeriun pas, por kur shfaqet brenga e dashurisë, besimi shembet.

Këtë e shohim që te miti “Tristani dhe Izolta”, më tragjiku i perëndimit mesjetar. Miti zbulon identitetin e thellë të pasonit dashuror. Të rrëmbyer nga një dashuri absolute, e përjetshme, e dyanshme, Tristani dhe Izolta gjenden në një situatë pa rrugëdalje ; ata nuk mund të bashkohen në këtë jetë, do t’i bashkojë vetëm vdekja. “Komedia hyjnore”(1307-1321) e Dante Alighierit përmes një aventure intelektuale dhe shpirtërore, me metaforën e strukturës mistike të shifrës tre, paraqet gjendjen e Italisë, duke trajtuar njëkohësisht dashurinë më tragjike të kohërave, dashuri në mungesë.

Është dashuria e vetë Dantes për Beatriçen. Në poemën e Dantes mes shumë personazheve historike, janë edhe Françeska Da Rimini (vajzë e senjorit të Ravenës) dhe Paolo Malatesta (vëllai i senjorit të Riminit, Gianciotto Malatesta, me të cilin ajo qe martuar), të vrarë të dy në një çast fatal dashurie. Françeska e dashuron Paolon edhe në ferr. Petrarka e takoi Laurën më 1327. Ai ndjeu për të një pasion të fuqishëm, që u sublimua kur gruaja e re vdiq. Nga objekt dëshire, ajo u shndërrua në objekt adhurimi dhe nuk iu nda poetit si në përsiatjet vetmitare ashtu edhe në kërkimet erudite deri në fund të jetës. Në të gjitha krijimet, poema apo sonete melankolike, ai i këndon Laurës dhe vuajtjeve të tij metafizike.



Me temën e dashurisë Boccaccio shkroi dy vepra të mrekullueshme “Dashnori i dashuruar” që është himn për dashurinë e fituar dhe “Labirinti i dashurisë” që është satirë për dashurinë e humbur. Më 1578 Ronsard-i botoi librin me poezi “Dashuritë”, që ia kushtoi vajzës së një zotërie fiorentin, të cilën e dashuroi me shikim të parë, por që mbeti thjesht si kujtim. I frymëzuar nga Petrarka, me vargje të gjetura e të këndshme, ai krijon poezitë më të bukura të dashurisë që ishin shkruar deri atëherë dhe futi ndoshta i pari simbolin e trëndafilit në poezi. Mes tyre shquhet oda e famshme që fillon me vargjet:“Vogëlushe, eja të shohim nëse trëndafilat kanë çelur”. Në tragjedinë “Romeo e Zhuljeta”, dy të rinjtë, duke mos i përfillur paragjykimet e familjeve të tyre të Montegëve dhe Kapuletëve që e urrejnë njëra-tjetrën, dashurohen me zjarr dhe martohen në fshehtësi dhe pastaj vdesin të dy.

Para kësaj tragjedie Shekspiri pati shkruar librat poetikë “Love’s Labour’s Lost” (Vuajtje për dashurinë e humbur)” dhe “Venus and Adonis” (Venera dhe Adonisi). Figurën e gruas së pafat në dashuri apo viktimë të sëmundjes së xhelozisë e shohim edhe në tragjedi të tjera të tij: Ofelia, te tragjedia “Hamlet” humbet arsyen dhe mbytet, kur e braktis Hamleti, kurse Desdemona e dëlirë te tragjedia “Otello”, përfundon e mbytur nga duart e Otellos, i cili vret edhe veten, kur e kupton se është mashtruar. Molieri te komedia “Don Zhuan”, u frymëzua nga miti që popullonte poezitë e fundshekullit XVI dhe fillimit të shekullit XVII ; duke e thelluar karakterin e tij, dramaturgu krijon një personazh pesimist dhe një racionalist të vendosur. Kierkegaard- i jep një vizion modern të mitit kur thotë:“Don Huani nuk beson te dashuria”.




Kryevepra e Mozart-it, opera “Don Huan”, ka gjetur një objekt absolut për të treguar me muzikë misterin e mosdashurisë. Në librin poetik “Dashuritë e Tristanit”, botuar më 1638 nga Tristan (François) L’Hermite, oda poetike “Shëtitorja e dy dashnorëve, u bë e famshme. Ajo tregon se një histori dashurie është gjithashtu një mënyrë për ta jetuar, për ta vështruar e për ta përshkruar atë. Arti poetik me sonetin dhe këngën kanë qenë dhe mbeten mjete të përpëlqyera të shprehjes me fjalë të dashurisë, përveç letërkëmbimit dashuror, që është trajtuar në vepra si : Julie apo Heloiza e re, roman epistolar i J.-J.

Rousseau-it etj. Por njeriut të brengosur nga dashuria, gjithçka i duket pa kuptim. Manon, heroina e romanit të Prevost-it mbetet edhe sot imazh i përsosur i dashurisë tragjike. Dy vjet pas botimit më 1731, romani «Historia e kalorësit të Griesë dhe i Manon Leskos”, u quajt “Manon Lesko”. Manon, për të cilën rrëfen kalorësi, shndërrohet në mit : nga një aventuriere e vogël, ajo bëhet grua fatale në një shoqëri barbare që nuk e pranon. Kalorësi ndodhet me të në këtë rënie, i pushtuar nga dashuria, që është edhe një mësim morali për fuqinë e pasionit.

Giaccomo Leopardi botoi librin me poezi “Dashuria e parë” më 1818 ku tregon se identiteti i njeriut të çmagjepsur nga humbja e dashurisë, është i shpërbërë. Libri “Historia e vuajtjeve të Verterit të ri”, botuar fillimisht pa emrin e autorit në Laipcig më 1774, u bë menjëherë i njohur, u përkthye, u përshtat, e u parodizua në të gjithë Europën, duke i dhënë suksesin një djaloshi që ishte 25 vjeç, që e pranoi autorësinë e që ishte Johann Wolgang von Goethe. Pas trembëdhjetë vjetësh u botua varianti përfundimtar që e futi atë roman në letërsinë universale. Romani përshkruan tragjedinë e një dashurie romantike. Verteri i ri nuk është i aftë të zotërojë konfliktet që ia behin mes asaj që përfaqëson dashuria në imagjinatën e tij dhe asaj të realitetit gjerman në të cilin jeton. Kjo dashuri mendohet nga ai si kthimi i një harmonie burimore.

“Gëzimi që të bën të vuash për dashurinë dhe lavdia për të vdekur për të, ja çfarë është verterizmi”, shkruan Stern më 1928. Për një hero të traditës romantike, pasioni bënte pjesë në ato gjëra absolute që të detyrojnë të ndahesh nga bota. Në të vërtetë Verteri është një fatkeq i pashërueshëm. Dhe, sipas tij ia vlen të vdesësh për të fituar lirinë e përjetshme me brengën e dashurisë në zemër. Është konflikti midis perëndisë së dashurisë, Erosit dhe perëndisë së vdekjes, Thanatosit. Kritika franceze nënvizon faktin se Verteri është një figurë tunduese. Ky roman me një operacion çlirues e shëroi autorin nga konceptet idealiste dhe i siguroi atij kalimin drejt klasicizmit. “Unë e ndjeva sesi u bëra i lirë dhe i gëzuar, si pas një rrëfimi të thellë që më lejoi të nis një jetë të re”, ka thënë Gëte...




Heroinat e shkrimtarëve 

Heroinat e Balzac-ut, të Maupassan- it dhe të Zonjës La Fayette e njohin kënaqësinë e dashurisë përgjithësisht në ëndrrat natore e të vetmuara. Nëse trupi mbetet i akullt, shpirtrat dhe jetët e tyre digjen nga pasioni i një dashurie mistike. Ato janë të trishtuara dhe guximtare, ëndërruese që nuk pendohen, të pushtuara nga ndjesia e absolutes. Kështu për shembull heroina e romanit “Zambaku në luginë” (Balzac), zonja Morso, i shërben me devotshmëri një burri që është i ashpër, hipokondriak, i plakur dhe tiran i shtëpisë. Ajo sakrifikohet pa u ankuar, kur papritur në jetën e saj shfaqet një adoleshent i rritur para kohe, i etur për dashuri amnore.

Për Henreitën fillon atëherë një vuajtje e parrëfyeshme, por ajo i jepet vetëm në ëndërr këtij djaloshi, që ikën të shijojë kënaqësinë trupore diku tjetër. Të kaluarën e princeshës te romani “Princesha e Klevës” (La Fayette), e mbulon ngjyra gri e harrimit që ka vetëm një episod të flakëruar, si faj i pashlyeshëm, që është dashuria. Pasi ia rrëfen prirjet e saj fajtore të dashurisë burrit të vdekur, princit të Klevës, që nuk e ka dashur, por me të cilin qe martuar sipas marrëveshjeve të familjeve, ajo mbyllet në manastir. “Nemur ! Pasioni dashuror e bën përherë të ëmbël fjalën dhe të butë shpirtin.

Zhana e romanit “Një jetë” (Maupassant) pas shumë iluzionesh të humbura zbulon kënaqësitë e trupit me burrin gjatë udhëtimit të martesës, pastaj mbetet fillikate, e mposhtur nga një ndjesi e dhimbshme moskuptimi për jetën, sepse nuk merr përgjigje për dashurinë nga bashkëshorti i saj. Guximi i Gustave Flaubert për të sfiduar e satirizuar shoqërinë borgjeze të kohës me romanin “Zonja Bovari” (1857), i kushtoi atij një proces gjyqësor, duke ia cilësuar librin imoral. Ema, heroina e romanit, e përballur me mërzinë e përditësisë në provincë, pranë një burri mediokër, përpiqet t’i arratiset realitetit të zymtë, për t’iu kushtuar një romantizmi të rremë, që e çon në një shkelje kurore të dyfishtë.

E zhgënjyer, më në fund ajo hidhet në kthetrat e vdekjes, e vetëhelmuar. Ndërsa një personazh tjetër i tij, Frederik Moro tek “Edukimi i ndjenjave”(1869) që mbahet si roman i madh i rrëfimit të iluzioneve të humbura, nuk guxon ta realizojë pasionin e tij për Mari Arnun. Ai ngurron në dashuri, midis kurtizanes Rozanetë dhe zonjës së pasur Dambrëz që i miklon kotësinë.

Tolstoi i jep zemër heroinës së vet Ana Karenina, që të braktisë të shoqin që nuk e do, të sakrifikojë duke humbur si individ i një shoqërie të lartë për të fituar dashurinë me Vronskin. Por, përfundon në vetëvrasje, duke u hedhur nën rrotat e trenit, sepse shoqëria ku jeton nuk e lë të lirë të përjetojë dashurinë e zbuluar.



Kënaqësia është e mirë vetëm për trupin

Proust-i në fillim të shekullit XX luajti një rol të madh në lindjen e prozës së re bashkëkohore, sepse me universin tij të ri shkrimor, u përpoq t’i ikë ligjit të kohës edhe lidhur me dashurinë. Meditimi dhe kujtimet e së shkuarës, te Zhilberta, Odeta dhe Albertina janë çelësa për të zbuluar dashurinë. Për Proust-in të duash, para së gjithash duhet të vuash nga xhelozia, sepse xhelozia që e bën dashurinë aq të dhimbshme, nga natyra është përherë në kërkim. Kënaqësia është e mirë vetëm për trupin, kurse hidhërimi zhvillon forcat e mendjes, thotë ai. Për Odetën, heroinë e romanit “Kur dashuronte Suani” (përkthyer nga Edmond Tupja) çdo burrë është virtualisht një dashnor i mundshëm. Shumë autorë që erdhën pas Proust-it krijuan në veprat e tyre prototipin e “njeriut absurd”, të mbytur nga brenga e dashurisë.

Drama dashuri, drama më e thellë njerëzore

Në gjysmën e dytë të shekullit XX nëpër veprat letrare vazhdoi të përpunohej një koncept tjetër për dashurinë, i cili u ushqye edhe nga idetë e lëvizjeve të mëdha të kohës për emancipimin e shoqërisë e veçanërisht të gruas, me revolucionin feminist dhe seksist. Kjo u pasqyrua edhe në artet e tjera. Kur Margeritë Duras shkroi dramën „Hiroshima, dashuria ime“ që u bë film, menjëherë ai u shfaq si jehonë e një vizioni të ri për dashurinë. Dialogu i filmit që përfshin një tragjedi idividuale dashurie, të shkrirë në një tragjedi kolektive, është edhe një mesazh filozofik se drama e dashurisë është drama më e thellë në jetën njerëzore. Me tregimet që ka fituar çmimin “Goncourt”, Duras vizaton pesonazhe që duan t’i shpëtojnë vetmisë nëpërmjet një dashurie absolute, por që të zhgënjyer kridhen pastaj më tepër në vetmi dhe në heshtje. Letërsia amerikane dhe kineze karakterizohen nga thjeshtimi i linjave, stilizimi i skenave që ndonjëherë e vënë theksin në një tension shpirtëror që gjallëron pasionin. Kështu ndodh, ndër të tjera edhe me “Histori të jashtëzakonshme” të Poe-s, “Letra të zjarrta” të Hawthorne-it, me “Moby Dick” të Melvil- it apo me “Dashuria” të Ba Czin-it.




Dashuria si qenie e ndërmjetme

Ligjërimi që përuron filozofinë e dashurisë është libri Banketi i Platonit, në të cilin disa të rinj, nxënës të Sokratit, zënë të flasin fillimisht për perëndinë e dashurisë dhe pastaj për kuptimin e dashurisë. Ndër të tjerë, Aristofani, autor i komedive “Retë” dhe “Zogjtë” (që i kushtohet mjerimeve të dashurisë), ndryshe nga parafolësit tregon për mitin e gjysmësferave që është edhe miti dashurisë së humbur: “… Forma e të dyve - e burrit dhe e gruas ishte një e tërë, me shpinë të rrumbullakët [...]. Trajta e tyre ishte qerthullore, ndërsa ecja bëhej me kërcime. Një ditë ata provuan të ngjiten shumë lart, deri në qiell. Atëherë Zeusi, për këtë sfidë, i ndau më dysh, me qëllim që t’u dobësohej forca. Plagët ua shëroi Apolloni që mbahej edhe si perëndi shëruese. Kur ndodh që gjysma e dashuruar, takon gjysmën tjetër që i mungon, atë e mbërthen një emocion i jashtëzakonshëm. Sokrati, i cili është në qendër të thuajse gjithë dialogëve të Platonit, dëgjon në heshtje. Në fund ai me bukurinë e arsyetimit, tregon atë që i ka thënë në mirëbesim e urta Diotimë. Sipas saj, dashuria është një qenie e ndërmjetme, një demon.

Dashuria në letërsinë shqipe

...Dashuria ka frymëzuar letërsinë dhe artet që në lashtësi, sepse ka si parim sakrificën: Orfeu dhe Euridika; Akili dhe Patrokli; Penelopa dhe Uliksi; Alkesta dhe Admeti, Romeo dhe Zhuljeta, Lejlaja dhe Mexhnuni, Sheherazade dhe sulltani e të tjerë. Në gjithë historinë e dashurisë konkrete dhe imagjinare është qenia tjetër, gjysma tjetër që kërkojmë. Ndonjëherë atë nuk e gjejmë kurrë. Por mbetet përpjekja. Udhëtimi drejt saj. Këtë zbulojnë letërsia dhe artet. Kur ka dashuri nuk ka luftë. *** Mungesa e dashurisë së fortë krijon te njeriu një ndjesi humbjeje. Por kur dy qenie i përgjigjen të njëjtës thirrje, atëherë një fije e hollë e ndan atë nga marrëzia.

“Amantes amentes” (të dashuruarit, të marrosurit), thonë latinët. Poezia moderne është e mbushur me vargje për dashurinë si nga G. Apolinaire, P. Eluard, L. Aragon, O. Elitis, P. Neruda, O. Paz, A. Breton, J. Brodski, J.L.Borges e të tjerë: „Dashuri e paarsyeshme; Dashuri për t’u ndalur në arrati; Si ta përmbaj shpirtin tim / që shpirtin tënd mos e prekë; Ia pashë trupin dhe jetova me dritën e saj; Ti rrjedh si lumë dhe nuk lëviz; Gruaja ime me seks alge dhe bonbonesh të vjetra; Ngjyra e kujtesës sate është argjendi; Bukuria jote / shpërndan mrekullinë e saj nëpër kohë” etj . Dashuria në prozën moderne triumfon me romanet “Lamtumirë armë” të shkrimtarit amerikan Ernest Heminway, “Harku i triumfit” të Erih Maria Remark, “Dashuri në kohën e kolerës” të Garcia Marquez, “Jetë sekrete” të Pascal Quignard e të tjerë, apo me romane të vogla best-seller si “Histori dashurie” etj.

Fataliteti në pasionin dashuror, ky motiv i lashtë, shumë i prekshëm te Gerard de Nerval, ka krijuar pastaj mitin e Gruas Fatale. Gruaja fatale duhet kërkuar në burim, te folklori e në veprat e para letrare. Si mit modern ai përshkon veprat letrare, që nga Charles Baudelaire e deri te Andre Breton e të tjerë. Edhe në letërsinë tonë, duke u shquar mes shumë të tjerëve Naim Frashëri me poezinë “Dashuria”; De Rada me poemën “Këngët e Milosaos”, në të cilën Milosao dhe Rina dashurohen gjer në vdekje ; Gavril Dara i Riu me poemën “Kënga e Sprasme e Balës”, në të cilën Mara vdes pranë të dashurit të saj, luftëtarit të Skënderbeut Nik Peta, e duke ardhur te autorët e shekullit XX si Mustafa Greblleshi me romanin “Gremina e dashurisë”, Nasho Jorgaqi me novelën “Dashuria e Mimozës, Nasi Lera me romanin “Sytë e dashurisë”, Meri Lalaj me romanin “Dashuri e ndaluar”, Rexhep Qosja me romanin “Një dashuri dhe shtatë faje”, Ismail Kadare me “Koha e dashurisë”, e të tjerë, brenga e dashurisë vjen me të gjithë forcën e vet tragjike.


Related

Letërsi 3766684209997847669

Arkivi

Kontakt

Name

Email *

Message *

STUDJESA PETROL

item