Bosnja hedh sytë nga Irani për biznes pas sanksioneve

Bosnja dhe Hercegovina po shikon për lidhje më të mira me Iranin me shpresën e përfitimeve ekonomike pasi sanksionet kundër Teheranit u ho...

Bosnja dhe Hercegovina po shikon për lidhje më të mira me Iranin me shpresën e përfitimeve ekonomike pasi sanksionet kundër Teheranit u hoqën pak kohë më parë.

Autor: Rodolfo Toe  BIRN  Sarajevë



Ministri i jashtëm i Bosnjës Igor Crnadak bëri një vizitë zyrtare në Iran të hënën, ku u takua me homologun e tij Mohammad Javad Zarif në përpjekje për të zhvilluar marrëdhënie ekonomike në përfitim të shtetit të varfër ballkanik.
“Ne diskutuam në shumë drejtime për të rritur bashkëpunimin tonë ekonomik,” tha Crnadak në një konferencë për shtyp, sipas agjencisë së lajmeve FARS.
Ai tha se të dy vendet mund të bashkëpunojnë në udhëtime dhe turizëm si dhe në programe kulturore dhe arsimore të përbashkëta. Ata folën për të krijuar një regjim më të thjeshtuar vizash mes dy vendeve.
Ministri i Jashtëm i Iranit Mohammad Javad Zarif theksoi se Teherani qe i gatshëm të rriste bashkëpunimin me Sarajevën, veçanërisht në fushat politike, ekonomike dhe bankare, raportoi FARS.
Vizita e Crnadak në Teheran është e dyta vizitë nga një zyrtar i qeverisë së Bosnjës në më pak se katër muaj, pasi Ministri i Tregtisë Mirko Sarovic udhëhoqi një delegacion biznesmenësh boshnjakë në Iran nëntorin e kaluar.
Këto vizita theksojnë dëshirën e qeverisë së Bosnjës për të gjetur mundësi të reja biznesi pas heqjes së sanksioneve mbi Iranin.
“Shkëmbimi tregtar mes dy vendeve është relativisht i ulët,” komentoi Aida Kapicija, zëdhënëse e Dhomës së Tregtisë së Jashtme të Bosnjës për BIRN.
Sipas të dhënave të saj, për vitin 2014 eksportet e Bosnjës në Iran qenë vetëm 3.1 milionë marka të konvertueshme (rreth 1.58 milionë euro), ndërsa importet nga Irani qenë rreth 1.17 milionë marka të konvertueshme (600 mijë euro).
“Ndërsa produktet kryesore që Bosnja eksporton në Iran janë komponentët elektrikë për motorët dhe pajisje të tjera teknike, Irani eksporton më së shumti fruta dhe ushqime në Bosnjë dhe Hercegovinë,” tha Kapicija.
“Marrëdhëniet tregtare mes dy vendeve mund të jenë më të mira, veçanërisht në rast se qeveritë e të dy vendeve bien dakord për tregti të lirë për disa lloje produktesh,” tha ajo.
Ambasada e Iranit në Sarajevë shprehu gjithashtu shpresa për rritje të bashkëpunimit.
“Irani dhe Bosnja e Hercegovina janë dy vende mike që dikur kanë pasur shumë marrëdhënie të mira. Republika Islamike e Iranit qe mes vendeve të para që njohu pavarësinë e Bosnjës dhe Hercegovinës,” tha ambasada e Iranit për BIRN.
“Pas heqjes së sanksioneve ne shpresojmë që bashkëpunimi mes këtyre dy vendeve do të bëhet shumë më i fuqishëm,” shtoi ambasada.
Por pavarësisht fjalëve të ngrohta, gjithsesi të bërit biznes me Teheranin mund të rezultojë më e vështirë për produesit e Bosnjës.
“Ne u përpoqëm të bëjmë biznes me Iranin, por po rezulton punë e vështirë,” deklaroi Ekrem Bulic, nga kompania Legno-Service, e cila është e specializuar në eksportimin e drurit dhe produkteve të drurit.
“Irani është një vend i madh dhe është e vështirë për një kompani Boshnjake që t’i ofrojë diçka atyre,” shtoi Bulic.
Ai tha se në të ardhmen “orientimi kryesor i shumicës së kompanive boshnjake do të vijojë të mbetet Bashkimi Europian.”/BIRN

Related

Bota 1766717231814264804

Arkivi

Kontakt

Name

Email *

Message *

STUDJESA PETROL

item