Baba Mondi, Kryegjysh Botëror i 150 milionë bektashinjve

Historia e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, që prej 91 vjetësh është me qendër në Shqipëri. Udhëtimi i kryegjyshit Baba Edmond...



Historia e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, që prej 91 vjetësh është me qendër në Shqipëri. Udhëtimi i kryegjyshit Baba Edmond Brahimaj (Baba Mondi), nga tradita familjare e besimit Bektashi, në vendimin për t’iu përkushtuar plotësisht besimit. Tarikati që njeh mbi 150 milionë besimtarë dhe historiku i klerikëve që fenë dhe atdhetarinë, nuk i ndanë.
Nga Sebi Alla
Dorë e zgjatur ku herë shtrëngohet e në raste tjera puthet e nderohet, veshje e veçantë, qafëqark mban gjerdan me 12 rruaza ngjyrë ari, që personifikojnë 12 imamët e tarikatit Bektashi. Njeri i hapur, që më shumë se fjalën e përzgjedhur e të latuar, preferon të jetë më tepër popullor dhe i drejtpërdrejtë, i kuptueshëm për të gjithë me mesazhe pa nënkuptime, por fort mistike dhe interesante në vetvete të besimit Bektashi. Baba Edmond Brahimaj (Baba Mondi), ka shumëfish përgjegjësi, të ndjekë ritet pranë besimtarëve, të drejtojë mirëvajtjen në çdo teqe, të mendojë për pritjen e përcjelljen e idhtarëve, por mban edhe një detyrë fisnike dhe të veçantë për vendin. Ai është Kryegjyshi Botëror Bektashian. Që nga viti 1925, selia qendrore e bektashizmit është në Shqipëri, pikërisht në atë kohë kur Sali Njazi Dede, u largua dhunshëm nga Turqia, pasi reformat e Mustafa Qemal Ataturkut për një shtet laik, prekën fort edhe besimin Bektashi. Bektashizmi në atë periudhë lidhej fort me emra të mëdhenj të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, pasi jo rastësisht vëllezërit Frashëri ishin besimtarë të bektashizmit, ashtu si edhe Ismail Qemali. Presidenti Ahmet Zogu e pranoi këtë tarikat, që jo vetëm e njohu si fe zyrtare, por u investua që kryeqendra botërore e saj të jetë në Shqipëri. Tashmë Baba Mondi pak vite më parë u zgjodh unanimisht si Kryegjyshi Botëror Bektashian, ndaj për ne mund të jetë përfaqësues i një komuniteti relativisht të vogël këtu, por vetëm i tillë nuk mund të quhet. Ky tarikat sot numëron rreth 150 milionë besimtarë në të gjithë botën, pjesa më e madhe e të cilëve jetojnë në Turqi, ku llogaritet rreth 20 milionë. Faljen, ritet, temenatë dhe pastrimin e shpirtit, besimtarët e gjejnë në vendet e tyre, pranë teqesë e tyrbeve, por kryeqendrën botërore të Bektashizmit e kemi këtu në Shqipëri, kjo edhe për meritë të Sali Njazi Dede. “Pa atdhe nuk ka fe. Kjo fjalë që e kanë lënë Rilindasit nuk është pa vend, pasi shumë atdhetarë si vëllezërit Frashëri, apo edhe Ismail Qemali ishin të besimit Bektashi” -kujton Baba Mondi. Nëse e shkuara lidhet fort me besimin dhe atdhetarinë, në ditët e sotme sfidat janë të tjera dhe “lufta” të përditshme, si të ruhet tradita, e gjithashtu besimtarët Bektashi të gjejnë gjithnjë dyert e hapura të teqeve në mbarë vendin. “Ne jemi të hapur për këdo besimtar, në çdo orë të ditës e natës, në shërbim të tyre” -tregon Baba Mondi. Nëse kthehet koka disi pas, nuk ishte rastësi që Kryegjyshata Botërore Bektashiane është në Shqipëri prej 91 vjetësh. Kryegjyshi Botëror Bektashi, Sali Njazi Dede, duke qenë me origjinë nga Kolonja, vendosi të largohet nga Turqia dhe në fund e shpalli këtu në vendin tonë qendrën e bektashizmit botëror. Kryegjyshi Sali Njazi Dede, zgjodhi vendlindjen si për t’i shpëtuar raprezaljes edhe në emër të shtetit modern turk, që nën drejtimin e Ataturkut kërkonte një shtet mirëfilli laik, por edhe të mbante gjallë frymën e bektashizmit. Por fati për të nuk ishte shkruar pa kaluar në të tjerë armiq, jo të fesë, por atdheut.
Kryegjyshi Sali Njazi Dede, pati fat tragjik. Ishte kleriku që nuk pranoi të nënshkruajë kapitullimin nga Italia fashiste dhe në ditën e shënuar të 28 nëntorit 1941, ai u vra dhe dokumentet e kohës tregojnë se dorë në ekzekutimin e klerikut kishin pushtuesit italianë. Një histori gjaku, lufte e mbijetese. Por fundi tragjik i Sali Njezi Dede nuk ishte “kapaku” i vuajtjeve, sepse të tjera tragjedi pa fund dhe persekutimit për komunitetin bektashi ndodhën në vijimësi. Tashmë “armiqtë” e vërtetë do të vinin nga Shqipëria. Vitet 60’ krijuan një histerizëm shtetëror e më pas kolektiv, kundër objekteve të kultit dhe besimit në përgjithësi. Kohë kur besimi konsiderohej i paligjshëm, teksa qeveria e një pjesë e njerëzisë kazmën e eksplozivin ua vendosën objekteve të kultit. “Në Shqipëri numëroheshin 113 teqe dhe 700 tyrbe. Kjo tregon se ky besim ishte mjaft i përhapur dhe kishte shtrirje në pjesën më të madhe të Shqipërisë” -kujton Baba Mondi. Shumë teqe u shkatërruan, ashtu edhe si objekte të kultit të besimeve të tjera në vitin 1967. Kleri u burgos, internua, përjashtua e u konsideruan si “mëkatar”, ndonëse gjynahu ishte ndër ata që vendosën të prishin fenë e objektet e kultit. Por ato mote të vështira, nuk e tutën dot Baba Mondin, që në dejet e tij tradicionale vinte nga familje e besimit Bektashi. Të besoje në shpirt, ndiqje ritet e mbaje gjallë idealin shpirtëror tëndin, ishte shumë në një shtet totalitar, ku fenë e besimin në Zot konsideronin si “opium për popullin”. Por kjo “duhmë” çmendurie e komunizmit nuk gjunjëzoi klerikët dhe besimtarët e thjeshtë. “Me besim në shpirt dhe me fuqinë e Zotit, mundëm të përballonim çdo vështirësi edhe në regjim, mbajtëm gjallë shpresën” -thotë Baba Mondi. Por besimi shpirtëror dhe idealet e një kleriku ishin më të forta se çdo diktaturë, që rrënoi objektet e kultit, vrau e burgosi klerin, por nuk mundi të shkulte religjiozen. Baba Mondi edhe pyetjeve naive u kthen përgjigje, edhe atyre që tentojnë të shkojnë nga ateizmi, duke anatemuar disi religjiozen dhe përsëri nuk përjashtohen prej tij. “Gjithkush është i lirë të mendojë si dëshiron, por mirësia dhe besimi nuk duhen humbur, qofshin ato edhe të feve të tjera” -shprehet Baba Mondi. Një klerik që nuk hezitoi të veshë rrobën e kryegjyshit botëror dhe bashkë me tre pjesëtarë të tjerë të besimit Mysliman, Katolik dhe Ortodoks, parakaluan në Paris, në kohën kur mbaheshin homazhe pas sulmit terrorist mbi pjesëtarët e stafit të revistës satirike Charlie Hebdo. Nëse bota u çudit nga kjo harmoni mes klerikësh të besimeve të ndryshme, kjo është më se normale për vendin tonë. Edhe sot e kësaj dite, Baba Mondin e sheh kudo në çdo festë të besimeve të tjera. Kryegjyshi është pasuesi i një tjetër kleriku të veçantë fort bashkues, si Baba Dede Reshat Bardhi. “Në nder të tij dhe udhës që ai ndoqi, mbaj me kënaqësi një karficë në taxhë që është me foton e tij” -tregon Baba Mondi. Nëse shfletohet më në të shkuarën, të tjerë personalitete të këtij kleri e lidhën jetën me besimin dhe atdhetarinë. Emblema gjithsesi mbetet Sali Njazi Dede. Në moshën 20-vjeçare ai filloi studimet fetare në teqenë e Haxhi Bektash Veliut. Në vitin 1897 u pranua myhib dhe u vesh dervish prej Kryegjyshit Haxhi Fejzi Dede dhe më 1899 u bë myxhyret. Në postin e lartë të Kryegjyshit u zgjodh në vitin 1913 në Haxhi Bektash. Me përkushtim, arriti cilësi të larta morali, ku u bë i njohur në rrethin klerikal të Turqisë, Egjiptit, Sirisë, Iranit, Irakut, Greqisë, Rumanisë, Bullgarisë, Hungarisë, Shqipërisë etj.
Në periudha të ndryshme kohore bektashinjtë kanë njohur dhunë të ashpër, ku disa sulltanë, ndër ta edhe “Sulltani i Madhërishëm”, urdhëroi që bektashinjtë, një pjesë e madhe e të cilëve njiheshin edhe si jeniçerë, të vriteshin. Një fat të rëndë pati në fund edhe themeluesi i Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, Sali Njazi Dede, për shkak të mosnënshkrimit prej tij të aktit të kapitullimit të Shqipërisë nga Italia fashiste dhe për këtë e vranë mizorisht bashkë me dervish Azizin. Histori, besim, misticizëm, përpjekje, vuajtje dhe shpresë lidhen me këtë tarikat. E veçanta e këtij tarikati është edhe mënyra e faljes, apo edhe trajtimi i gjinive të kundërta. “Familja është qeliza e shoqërisë, burrë e grua janë të barabartë dhe prej 800 vjetësh bektashinjtë falen në një objekt kulti” -thotë Baba Mondi. Ai shton se bektashizmi është i hapur dhe pranon edhe besimet e tjera, ku Teqe do të thotë prehtore (një vend ku prehesh, pushon, lutesh, qëndron, e merr me vete edhe pastërtinë e shpirtit), e bashkë me të është iniciatore e dijes, ku këmbëngul se dija është mëma e së mirave dhe puna gjithashtu është nder. Në vitet e regjimit komunist, në shtëpinë e Haxhi Baba Edmond Brahimajt, u strehuan shumë klerikë bektashianë, të dëbuar dhe të përndjekur nga strukturat kriminale shtetërore. Ndërsa vetë Baba Mondi u shkollua duke ndjekur studimet e larta ushtarake, në Akademinë e Forcave Tokësore. Ishte viti 1982 kur u caktua të shërbejë në funksione të ndryshme ushtarake, por “detyra” e vërtetë për të ishte ajo pas viteve 1990, kur ia bashkua tarikatit Bektashi dhe ka lënë shenjën e tij në ringritjen e komunitetit. Bektashizmi e ka origjinën prej një doktrine mistike të baballarëve turkmenë të shekullit XI-XII në detin Kaspik dhe u themelua nga Haxhi Bektashi, për t’u fuqizuar si sekt mysliman, apo tarikat në Turqi, pasi lidhet me korpusin e jeniçerëve. Bektashizmi adhuron Aliun, po aq sa Muhamedin, e pavarësisht mendimeve të ndryshme, Bektashizmi në Shqipëri ka lënë gjurmë të thella në historinë tonë. Në Shqipëri bektashizmi është shfaqur në fund të shekullit XII dhe në fillim të shekullit XIII, e më pas njohu vetëm rritje, si në numrin e madh të dervishëve, baballarëve ashtu edhe të besimtarëve. Gjetën veten në këtë tarikat, që ka brenda një histori që më shumë se teologjisë i është përkushtuar praktikës në besim dhe iniciativës për të ndërmarrë veprimtari në kulmet historike të vendit tonë, në Rilindjen, periudhën e Pavarësisë dhe më pas edhe aktiv kundër pushtimit nga Italia dhe Gjermania gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në çdo teqe kushdo që i viziton sheh varret e baballarëve, që kanë ndërruar jetë. Për besimtarët paqja shpirtërore gjendet në tyrbe dhe teqe, aty ku historia, besimi në Zot, lufta për një botë më të drejtë janë brenda e jashtë mureve mistike të këtyre objekteve. Sot Kryegjyshi Botëror Bektashian Baba Mundi po ecën në gjurmët e të parëve, me besimin se e ardhmja do të jetë edhe më e mirë.

Kategoritë kryesore në hierarkinë e këtij besimi fetar janë si më poshtë:
Ashiku, në kuptim të drejtpërdrejtë ‘ai që do, dashamirës’ është besimtari i thjeshtë bektashi, që nuk ka hyrë me ndonjë mënyrë në tarikat. Ai është një individ që është afruar me një baba të caktuar dhe i është përkushtuar atij.
Myhibi, gjithashtu me kuptimin ‘ai që do, dashamirës’ është anëtar shpirtëror i bashkësisë së bektashinjve, domethënë një individ që është pranuar aty duke bërë ritin e dëlirjes dhe deklaratën e besnikërisë gjatë një ceremonie në teqe. Pas një periudhe prove, myhibi mund të bëhet varf, pra ‘dervish’.
Dervishi merr për ta vënë në kokë një taxh të bardhë, si dhe rroba të tjera, jeton gjithë kohën në teqe.
Myxheri, ‘person i sprovuar nga jeta, i dëlirë, i pamartuar’, bën pjesë në një kategori të veçantë dervishësh, në atë të dervishëve beqarë, të cilët mbajnë një vath në veshin e djathtë.
Babai, në shqip edhe ati, është mësues shpirtëror, i barasvlershëm me shehun në tarikatet e tjera të dervishëve. Si rregull, çdo teqe drejtohet nga një baba.
Gjyshi, i barasvlershëm me dede ose halife, është mbi babanë dhe përgjigjet për të gjitha teqetë e një krahine. Gjyshi ka kaluar shkallën përfundimtare të ceremonisë së hierarkisë dhe mban taxh të bardhë me një rreth të gjelbër.
Kryegjyshi, dede baba, është udhëheqësi i krejt tarikatit Bektashi dhe zgjidhet nga gjiri i të gjithë gjyshërve.
Ky shkrim botohet në kuadër të projektit “Udha e Shkronjave”

Related

Religjionet 7096924668142041547

Arkivi

Kontakt

Name

Email *

Message *

STUDJESA PETROL

item