Vrasjet mafioze trondisin Shqipërinë

Ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri deklaroi një javë më parë se gjatë vitit 2015, numri i vrasjeve në Shqipëri është “më i ulëti që ng...


Ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri deklaroi një javë më parë se gjatë vitit 2015, numri i vrasjeve në Shqipëri është “më i ulëti që nga koha e komunizmit”, por një numër rrëmbimesh dhe vrasjesh të stilit mafioz në Durrës, Fier dhe Vlorë vunë në pikëpyetje këtë sukses historik.
Tahiri deklaroi se sipas statistikave të Ministrisë së Brendshme, në vitin 2015 pati 54 vrasje, gati dy herë më pak se sa në vitin 2014. Zakonisht Ministria e Brendshme raporton numrin e ngjarjeve që kanë rezultuar në vrasje dhe jo numrin e viktimave. Mënyra e hartimit të statistikave dhe metodologjia e zbatuar nuk është e njohur për publikun. Instituti i Statistikave raporton vepra, autorë dhe të dënuar.
Por ndërsa numri prej 54 ngjarjesh penale të klasifikuara nga policia si vrasje është shumë më i ulët se sa 98 vepra të regjistruara në vitin 2014, gjatë ditëve të para të këtij viti, disa vrasje të stilit mafioz sugjerojnë se Shqipëria ka një problem të rëndë me krimin e organizuar dhe me vrasje që mbeten pa autor të njohur për policinë. Ekzistenca e vrasjeve të tipit mafioz dallohet edhe në faktin që statistikat e publikuara nga INSTAT tregojnë një rënie të ndjeshme të shkallës së zbulueshmërisë. Kështu, në vitin 2012, policia pati raportuar zbulimin e 85 për qind të vrasjeve të kryera në vend ndërsa në vitin 2014, zbulueshmëria raportohet të ketë rënë në 72 për qind. Edhe metodologjia e vlerësimit të shkallës së zbulueshmërisë nuk është publike dhe në përgjithësi, vërtetësia e statistikave të raportuara nga Ministria e Brendshme prej kohësh është vënë në diskutim.
Vrasje bandash në Durrës
Në 20 dhjetor 2015, në qendër të qytetit të Durrësit, dy të rinj, Ervin Kodra dhe Endri Caushaj, u ekzekutuan kur njerëz të paidentifikuar hapën zjarr ndaj makinës me të cilën ata po udhëtonin. Policia nuk qe në gjendje të identifikonte autorët.
Më 6 janar, sërish në qendër të Durrësit, një 40 vjeçar me emrin Gazmend Çollaku u rrëmbye nga njerëz të paidentifikuar që raportohet se kishin uniforma policie. Më 7 janar, trupi i pajetë i Çollakut u gjet në fshatin Murqin në Fushë-Krujë. Ai u gjet i lidhur dhe i torturuar para ekzekutimit.
Policia raportohet se ka kryer kontrolle të shumta në lidhje me këto krime, por ato sërish mbeten pa autor. Partia Demokratike në opozitë thotë se këto vrasje janë “luftë mes bandash të lidhura me Ministrin e Brendshëm Sajmir Tahiri.
“Lehtësia me të cilën bandat rrëmbejnë e vrasin, vjen nga lidhja e tyre e drejtpërdrejtë me Ministrin e Brendshëm.
Nuk mund të ketë lehtësi më të madhe për krimin dhe mafian, se sa një ministër i brendshëm që bën ndërmjetësin e vrasësve me pagesë, që dërgon oficerë në shërbim të shullazëve, që vë makinën e tij personale në dispozicion të trafikantëve, që djeg provat e drogës, që fsheh kërkesën e interpolit, që shfajësohet para baronëve të narkotikut se dëmin nuk ua bën kurrë ai”, deklaroi Enkelejd Alibeaj nga Partia Demokratike, duke iu referuar Emiliano Shullazit, një person i njohur për aktivitete kriminale në Tiranë dhe Durrës.
Partia Demokratike ka akuzuar shpesh qeverinë se ka toleruar dhe mbështetur Shullazin në aktivitete kriminale, akuza që qeveria i ka mohuar. Vitin e kaluar, pasdisa deklaratave të deputetëve Edi Paloka dhe Arben Ristani, ku kryeministri Edi Rama akuzohej për lidhje me Shullazin, ky i fundit vendosi të ngrejë padi penale për shpifje ndaj tyre. Gjykata e Lartë dënoi të dy deputetët për shpifje me 200 mijë lekë gjobë.
Emigranti me dy emra ekzekutohet në Vlorë
Në 6 janar, në Vlorë, në lagjen Rilindja, një emigrant 36 vjeçar me emrin Reagim Meli u ekzekutua me armë zjari nga persona të paidentifikuar. Ai u raportua fillimisht nga policia si shtetasi A.B. Policia gjeti në vendngjarje 4 gëzhoja kalibër 7.65 mm por vrasja mbetet pa autor.
Atentat në autostradë
Në 8 janar, në autostradën Lushnjë-Fier, dy grupe të armatosura që udhëtonin në makina të ndryshme, hapën zjarr ndaj njëri-tjetrit duke shkaktuar vdekjen e Denis Kasaj, 44 vjeç nga Patosi. Dy të tjerë, Elton Margariti, 42 vjeç nga Patosi dhe Klement Kastrati, 31 vjeç nga Fieri, mbetën të plagosur. Policia gjeti armë automatike kallashnikovë dhe dy makina të djegura në vendngjarje, por sërish autorët mbeten të panjohur.
Seria e vrasjeve vijoi mëngjesin e sotëm më 9 janar, ku në zonën e Matit u gjet një trup i pajetë me shenja dhune.
Vrasjet që mbeten pa autorë konsiderohen si një tregues i ekzistencës së krimit të organizuar në një vend. Ato zakonisht klasifikohen veçmas vrasjeve të tjera, autorët e të cilëve zakonisht gjenden me lehtësi.
Gjatë ditëve të para të janarit, policia regjistroi disa vrasje të tilla, autorët e të cilave u arrestuan.
Duke folur në një prezantim për rezultatet e punës së policisë më 5 janar, ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri i konsideroi këto vrasje si ngjarje që nuk mund të përdoren për të matur punën e policisë. “nuk mund të gjendet përgjegjëse policia, në qoftë se dikush vret dikë për prerje peme”,deklaroi ai.
BIRN

Related

Kronika 2321439867951773877

Arkivi

Kontakt

Name

Email *

Message *

STUDJESA PETROL

item