TË SHKRUASH ROMANIN E JETËS

-Rreth romanit “Njeriu që fliste me pemët” të autores IRMA KURTI- Ndue Lazri Secili ka romanin e tij të jetës. Dikush të thjeshtë ...

-Rreth romanit “Njeriu që fliste me pemët” të autores IRMA KURTI-
Ndue Lazri


Secili ka romanin e tij të jetës. Dikush të thjeshtë e me skena të qeta, dikush të komplikuar e me linja dramatike, dikush me happy end e dikush me funde tragjike.
Por jo të gjithë arrijnë ta shkruajnë romanin e jetës së tyre, apo t’ ua servirin miqve dhe lexuesve të derdhur në art. Ndërsa poetja dhe shkrimtarja Irma Kurti arrin ta bëjë këtë mjaft mirë nëpërmjet romanit të saj “Njeriu që fliste me pemët”, botuar vitin e kaluar nga shtëpia botuese “Dudaj”.
Autorja Kurti shfaqet me romanin e saj pas një përvoje të gjatë shumëvjeçare si krijuese shumëplanëshe dhe pas një përballjeje të gjatë me lexuesin në gjuhën shqipe, por edhe në gjuhën italiane e në atë angleze. Autore e suksesshme e teksteve të këngëve në festivalet e Radiotelevizionit shqiptar apo në anketat muzikore të Radio Tiranës, e 6 vëllimeve poetike, e dy librave në prozë dhe një në publicistikë, e 6 librave të përkthyer në italisht dhe dy në anglisht, fituese e disa çmimeve ndërkombëtare në Itali dhe Zvicër, ajo troket në portat e gjinisë së romanit me një curriculum të pasur e të respektueshëm prej krijueseje.
Pikërisht duke patur parasysh këtë curriculum, e mora në dorë me kënaqësi, por edhe me kuriozitet, romanin e Irmës. E në fund më lindi dëshira të shkruaja disa rreshta përshtypjesh si lexues, pa pretenduar të marr përsipër detyrën e kritikut letrar. Përmenda që në fillim fjalët “romanin e jetës”, duke patur parasysh faktin qe autorja librin ia kushton figurës së babait e padyshim jeta e familjes do të ndërthurej në faqet e tij.
Duke patur parasysh që në qendër të romanit është një çift prindërish intelektualë me tri vajza që si qindra-mijëra të tjerë kanë zgjedhur jetën e emigracionit, autorja ka marrë përsipër të përballojë rrezikun e të ndodhurit përpara një familjeje më se normale shqiptare e të hedhë në art jetën e saj. Një sipërmarrje e vështirë, sepse romani mund të dilte diçka drejtvizore, monotone, pa konflikte të thella e zgjidhje spektakolare. Por autorja ia ka dalë mbanë me sukses kësaj vështirësie. E mendoj se faktori i parë që e ka ndihmuar atë është sinqeriteti i saj si krijuese. E vetëdijshme që po shkruan për një familje të zakonshme, ajo nuk ka kërkuar të fusë gjëra artificiale, inskenime të krijuara nga fantazia apo të marrë poza. Përkundrazi, ajo ndalet në gjërat më të zakonshme të jetës, në të cilat çdo lexues e gjen diku vetveten. Por mënyra e të rrëfyerit, dlirësia në përshkrimet e dialogjet, mprehtësia e vëzhgimit të jetës së përditshme me të mirat e të këqiat e saj, me gëzimet e pakta e problemet e shumta, gjithnjë e përkorë në ruajtjen e sensit të masës, bëjnë që lexuesi ta ndjekë me kënaqësi jetën e kësaj familjeje, që mund të ishte edhe jeta e familjes së tij, por e treguar nga dikush tjetër. Thjeshtë, por në mënyrë tërheqëse e bindëse. Siç thotë njëra nga personazhet e romanit, Ema, gazetare dhe shkrimtare, duke folur për librin e saj: “Çdo rresht është i jetuar, nënë. Nuk kam bërë asgjë, vetëm kam shprehur ato që mbaja brenda vetes”
Autorja e nis librin me një ditë të zakonshme të mamasë Luiza, ish-mësuese matematike, tani në pension, që komunikon në telefon me vajzat e saj e që nis të flasë për jetën e familjes së saj. Por këtë normalitet e ndërpret një ngjarje dramatike për familjen. Bashkëshorti i saj dhe babai i tri vajzave, Sotiri, ish-mjek radiolog, pëson një iktus cerebral. Kjo e kushtëzon jo pak jetën e Luizës dhe të tri vajzave, që detyrohen të përshtaten në realitetin e ri që krijohet, por, falë faktit që ndodhen në Itali, është disi më pak i vështirë nga sa do të ishte po të ndodheshin në Shqipëri.
Pikërisht ato vajtje-ardhjet e Luizës e të vajzave në spital bëhen filli lidhës për të sjellë në përmend e treguar jetën e tyre e të familjes. Për të shmangur monotoninë në të treguarit e episodeve, autorja ka ndërtuar një strukturë interesante të romanit. Ajo i vë ngjarjet duke alternuar të pesë personazhet në rrëfimin e jetës së familjes. Herë flet Luiza, herë flasin vajzat, Ema, një krijuese që dikur ka punuar gazetare në radiotelevizionin shqiptar, por e zhgënjyer nga realiteti dhe hipokrizia e falsiteti i marrëdhënieve me eprorët dhe kolegët, preferon rrugën e mërgimit, Inesi dhe Keila, dy motrat e saj që kanë arritur të krijojnë familje në Itali.
 Të katër femrat e familjes janë natyra të ndryshme, me temperamente të ndryshme. Autorja i portretizon ato bukur qoftë në jetën vetjake e familjare të secilës, qoftë në raport me familjen ku strumbullari janë dy prindërit. Kjo i jep kolorit gjuhës së romanit, e pasuron atë, duke e bërë lexuesin të kalojë nga njëri ambient në tjetri, nga njëri personazh tek tjetri, pa humbur fillin që i lidh midis tyre.
Ndërsa “njeriu që fliste me pemët”, babai, mjeku Sotir, thuajse gjithnjë i heshtur në jetën familjare, e zbulon papritur natyrën e tij të ndjeshme nëpër faqet e ditarit të mbajtur fshehurazi me vite e që e shoqja e zbulon rastësisht pasi ai shtrohet në spital. Ditari i tij ka një gjuhë krejt tjetër nga ajo e personazheve të tjerë, faqet e ditarit janë poetike dhe shpalosin botën e pasur e thuajse të panjohur të një njeriu shumë të ndjeshëm. Është sa interesante, aq edhe reale idea që shtron autorja nëpërmjet zbulimeve që bën Luiza në faqet e ditarit mbi natyrën e të shoqit, që nganjëherë nuk mjafton edhe një jetë pesëdhjetëvjeçare e konsumuar sëbashku për ta njohur deri në fund personin që ke në krah e ke ndarë me të fatin e familjes. Fillimisht të duket sikur Sotiri e Luiza pas kaq shumë vite martese, kanë rënë në heshtje e në rutinë se nuk kanë gjëra të reja për të thënë. Por e vërteta qëndron tjetërkund.
Përmenda më lart që romani nuk është ndërtuar mbi konflikte të forta. Por autorja ka ditur të sjellë ato konflikte të vogla e jo pak të rëndësishme që shpalos secili nga personazhet në vetveten e tij, në familjen e tij e në raport me të tjerët. Ema, krijuesja e dhënë dikur pas alkoolit, si rezultat i zhgënjimit me realitetin dhe botën agresive të meshkujve mbyllet pak a shumë në botën e saj e në krijimtarinë e vet, Inesi me një martesë të ndërtuar nxitimthi përballet me kopracinë ekstreme të të shoqit dhe me kapriçiot e ekzagjeruara të vajzës së saj Alda. Vajzat dhe nëna Luiza ndeshen me kundërshtimin e prerë të të atit kur ato marrin rrugën e mërgimit e ai kërkon me çdo kusht të evitojë lënien e atdheut për të shkuar në një vend të huaj. Në fillim ato e mendojnë se kanë të bëjnë me një patriotizëm paranoiak, por më vonë zbulojnë që ai nuk donte që vajzat e tij të bëheshin shërbëtore nëpër botë, pasi e kishe provuar vetë poshtërimin duke qenë shërbëtor në fëmijërinë e tij. Ai pozicion që e kishte bërë aq të mbyllur në vetvete, aq sa shpesh shkonte e fliste me pemët në park, pasi nuk kishte kujt t’ ia qante brengat e tij në vitet e vështira e të mundimshme të rritjes.
12540253_10207069417728132_1013184195_n
Autorja zbulon bukur edhe një fenomen, që është gati një konflikt i brendshëm që futet si pakuptuar në jetën e çdo emigranti e që qëndron tek jeta frenetike në emigracion . Shprehet Ema: “Kanë ndryshuar shumë gjëra. Vizitat e shpeshta në shtëpinë e prindërve apo të dielat që, me një kafe përpara, na dukeshin të magjishme, nuk ekzistojnë më. Miqësitë e pakta nuk i frekuentoj më. S’ është vetëm çështje kohe, po edhe dëshire. Jam e lodhur së dëgjuari rrëfime të gjata, shfryrje e ankime. Tani kam nevojë për hapësirë për vete e për dhimbjen time”.
Në jetën e sotme bëhet gjithnjë e më evidente mungesa e komunikimit qoftë në shtëpi apo në jetën shoqërore. Teknologjia e re, etja për fitime sa më të shpejta, problemet e papritura që shfaqen atëherë kur nuk e pret e kanë bërë jetën më stresante e kanë ndikuar thellësisht edhe në marrëdhëniet midis njerëzve. Këto dukuri autorja, me përvojën e gazetares di t’ i evidentojë e t’ i hedhë në roman me gjuhën e shkrimtares.
 Poetja Irma e ka ndihmuar prozatoren Irma, që gjuhën e romanit ta bëjë në shumë raste poetike, një poezi që buron natyrshëm frazave e pasazheve të tëra, larg emfazës, një poezi që shkrihet edhe në gjuhën e natyrën e personazheve, veçanërisht të Sotirit, një poezi që është si një puhizë përkëdhelëse faqeve të librit.
Romani “Njeriu që fliste me pemët”, është një shkallë e re në krijimtarinë e Irma Kurtit e dëshmon për pjekurinë e mëtejshme të personalitetit të saj si krijuese, si artiste.

Related

Kultura 3721014473707275952

Arkivi

Kontakt

Name

Email *

Message *

STUDJESA PETROL

item