Të sëmurët me zemër, kujdesi gjatë ditëve të ftohta

Eristen Kuka, mjek kardiolog në Qendrën Shëndetësore Nr.9 në Tiranë, në një intervistë për Mapon jep këshillat shëndetësore dhe kujdesi...


Eristen Kuka, mjek kardiolog në Qendrën Shëndetësore Nr.9 në Tiranë, në një intervistë për Mapon jep këshillat shëndetësore dhe kujdesin që duhet të tregojnë të sëmurët me sëmundje kardiovaskulare gjatë ditëve të ftohta
Të sëmurët me zemër duhet të tregojnë kujdes nga i ftohti, po kështu duhet të shmangin punët e rënda, në të kundërt, jo vetëm që rrezikojnë përkeqësimin e shëndetit, por pasojat mund të jenë deri fatale. Përmes studimeve shkencore është evidentuar gjithashtu se faktori mot është ndikues i drejtpërdrejtë në shëndetin dhe se rreth 53% më tepër atakë kardiake ndodhin gjatë stinës së dimrit, krahasuar me stinën e verës. Eristen Kuka, mjek kardiolog në Qendrën Shëndetësore Nr.9 në Tiranë, në një intervistë për “Mapo” jep këshillat shëndetësore dhe kujdesin që duhet të tregojnë të sëmurët me sëmundje kardiovaskulare gjatë ditëve të ftohta. Kardiologu Kuka thotë se ditët e ftohta të dimrit shkaktojnë ngushtimin e enëve të gjakut, deri në reduktim të fluksit të gjakut dhe oksigjenit në zemër. “Në këto kushte, – shpjegon mjeku, – do të rriten rrahjet e zemrës dhe forca tkurrëse e saj për të bërë të mundur qarkullimin e gjakut nëpër arteriet e ngushtuara. Si rezultat rritet presioni i gjakut, i cili mund të rrisë rrezikun e shfaqjes së sëmundjeve kardiovaskulare si infarkti imiokardit dhe insulti cerebral”.
A ndikon moti i ftohtë në sëmundshmërinë e zemrës?
Temperaturat e ulëta gjatë dimrit, duke ngushtuar enët e gjakut, sjellin reduktim të fluksit të gjakut dhe oksigjenit në zemër. Në këto kushte do të rriten rrahjet e zemrës dhe forca tkurrëse e saj për të bërë të mundur qarkullimin e gjakut nëpër arteriet e ngushtuara. Si rezultat rritet presioni i gjakut, i cili mund të rrisë rrezikun e shfaqjes së sëmundjeve kardiovaskulare (infarkti i miokardit dhe insulti cerebral). Gjithashtu gjatë muajve të dimrit ka një ndryshim të raportit mes orëve të natës dhe të ditës duke ndryshuar kështu edhe ekuilibrin hormonal të organizmit, gjë e cila ndikon në rritjen e rrezikut për shfaqjen e sëmundjeve kardiovaskulare.
Cilat janë shenjat që ne të kuptojmë problemet me zemrën?
Shenja kryesore është dhimbja e gjoksit e cila në shumicën e rasteve interpretohet si dhimbje shtrënguese në dërrasën e kraharorit, shtrëngim në fyt, dhimbje e krahut të majtë dhe dhimbje në mes të shpatullave. Dhimbja mund të këtë edhe ndjesinë e djegies e cila shpesh ngatërrohet me sëmundjet e stomakut. Dhimbja e gjoksit shfaqet gjatë aktivitetit fizik,në mëngjes, në ambiente të ftohta, zgjat 1-5 minuta dhe qetësohet me ndërprerjen e aktivitetit fizik ose pas përdorimit të nitroglicerinës. Kur dhimbja e gjoksit shfaqet menjëherë në qetësi, zgjat me tepër se 20-30 minuta dhe shoqërohet me djersë,vështirësi në frymëmarrje, rrahje të shpeshta dhe të çrregullta të zemrës duhet kërkuar menjëherë ndihmë mjekësore pasi jemi përballë një ataku kardiak. Shenja të tjera për sëmundjet e zemrës janë vështirësia në frymëmarrje, kolla e thatë, rrahjet e shpeshta dhe të çrregullta të zemrës, ënjtjet e këmbëve, lodhja dhe dobësia trupore.
Cila kategori e të sëmurëve është më e rrezikuar dhe a rritet rreziku për atakë kardiake?
Gjatë periudhës së dimrit kemi rritje të numrit të pacientëve që zhvillojnë atakë kardiakë. Studimet kanë treguar që ka rreth 53% më tepër atakë kardiake në stinën e dimrit krahasuar me stinën e verës. Kategoria e të sëmurëve më e rrezikuar për atak kardiak është grupmosha mbi 65 vjeç sidomos ata që kanë kaluar më parë atak kardiak dhe kur i shtohen faktorë rreziku si: duhanpirja, përdorimi i alkoolit, hipertensioni, diabeti, yndyrat e larta në gjak, jeta sedentare, stresi.
Cili duhet të jetë kujdesi për zemrën gjatë kësaj periudhe?
Pacientët me sëmundje kardiovaskulare duhet të evitojnë daljen jashtë gjatë orëve me temperatura të ulëta (në mëngjes dhe mbrëmje). Temperatura optimale për ambientet e brendshme duhet të jetë jo me pak se 18°C. Rekomandohet përdorimi i borsave me ujë të ngrohtë në shtrat gjatë gjumit. Të evitohet aktiviteti i sforcuar fizik në ambiente me temperatura të ulëta. Të shmanget qëndrimi ulur për periudha të gjata kohore duke lëvizur nëpër shtëpi çdo orë. Rekomandohet veshje optimale për stinën duke përdorur edhe shalle, doreza, kapele. Rekomandohet mospërdorimi i pijeve alkoolike. Rekomandohet përdorimi i lëngjeve dhe ushqimeve të ngrohta për ti dhënë organizmit energjinë e nevojshme për të përballuar temperaturat e ulëta. Rekomandohet kufizimi i kripës dhe yndyrave shtazore në dietën ushqimore. Marrja e rregullt e mjekimeve për sëmundjen kardiake dhe kontrollet e rregullta tek mjeku. Rekomandohet vaksinimi kundër virusit të gripit.

Kujdesi dhe ushqimet për fëmijët, të rriturit dhe të moshuarit
Frutat dhe perimet përmbajnë gjithashtu edhe kripërat minerale (hekur, kalcium, fosfor, kalium), të domosdoshme për organizimin për të kryer funksionet jetësore, duke u dhënë gjithashtu ushqimeve shije, ngjyrë dhe aromë, e për rrjedhojë, nxisin kështu oreksin dhe përthithjen e lëndëve ushqimore.
Gjatë qëndrimit jashtë, pjesët më të ekspozuara si koka, këmbët e duart mund të ngrijnë. Nëse kryeni sforcime fizike në ambientin e jashtëm, rrezikoni të përkeqësoni sëmundjet e zemrës. Kujdes të veçantë duhet treguar për të vegjlit, pasi sa më të vegjël ata, aq më shumë rrezikojnë nga uljet e temperaturës dhe sëmundjet, ndaj evitoni në maksimum daljet dhe siguroni një temperaturë konstante në shtëpi. Të porsalindurit deri në 6 muajsh, rrezikojnë më shumë nga i ftohti, pasi përgjigja e organizmit të tyre nëpërmjet termorregullimit dhe aftësia e tyre për të komunikuar ende nuk janë zhvilluar plotësisht. Për këtë arsye, prindërit duhet të kontrollojnë herë pas here këmbët, duart e veçanërisht fytyrën. Foshnjat rekomandohen të pinë rregullisht gji, sa herë të dëshirojnë, dhe nëse kanë filluar edhe ushqimet plotësuese, të mos harrohet dhënia e lëngjeve, për të garantuar hidrim të mirë të tyre.
Kujdesi për fëmijët më të rritur
Ushqyerja duhet të jetë sa më e larmishme, me ushqime nga të gjitha grupet ushqimore.
Konsumimi, 5 vakte ushqimore:
1) një mëngjes i pasur, bukë, qumësht, mjaltë, vezë)
2) fruta dhe perime (të freskëta, të pjekura apo lëng i shtrydhur)
3) dreka me ushqime proteinike (mish, peshk, shpendë, fasule, thjerrëza), karbohidrate (bukë, oriz, makarona), perime të ndryshme
4) fruta, perime, kos apo akullore (ka veti antiinflamatore)
5) darka me ushqime të variueshme. Për shembull: supa e pulës është shumë e këshillueshme gjatë dimrit, pasi përmban proteina të tretshme dhe ka veti antiinflamatore, rehidruese, ofron nxehtësi dhe fluidifikon mukozat
-mbani gjithnjë të pastra duart e fëmijëve, duke i larë me ujë e sapun për rreth 20 sekonda, sa më shpesh, sidomos para ushqyerjes apo pas përdorimit të tualetit
-mbani të lira rrugët e frymëmarrjes, duke i mësuar të fryjnë mirë hundët, apo përdorni ujë fiziologjik për ti liruar ato.
-evitoni kontaktet me të sëmurët. Për këtë nuk rekomandohet të çohen fëmijët në vende ku ka shumë grumbullime, si bare, qendra tregtare, pasi aty rrezikohen të infektohen me viruse të ndryshme.
Kujdesi për të moshuarit:
-Dimri mund të kthehet në një periudhë të gjatë vetmie dhe izolimi, dhe nëse përjetoni këto ndjenja nuk jeni i vetmi që ju ndodh një gjë e tillë. Është normale  të ndjeheni në humor të rënë ndonjëherë. Nëse gjendje të tilla zgjasin, atëherë duhet të kontaktoni mjekun e familjes i cili do t’ju ndihmojë në raste të tilla.
-Duke ngrënë ushqime të shëndetshme dhe duke u ekspozuar në diell, kur është e mundur, ndihmoni shëndetin e kockave. Nuk duhet të mungojnë në kuzhinën tuaj ushqime të tilla si qumësht i konservuar, patate, oriz dhe makarona si dhe ushqime të konservuara, peshk ton e mish kutie. Të moshuarit janë 80% më të rrezikuar nga gripi apo ftohja në dimër nëse nuk kanë imunitet të fortë. Prodhimet si djathi, qumështi dhe kosi janë burime të shkëlqyera të proteinave dhe vitaminave A dhe B12. Ato gjithashtu përmbajnë sasi të lartë kalciumi, i cili është i domosdoshëm për shëndetin e kockave.
-Përpiquni të konsumoni sasinë e nevojshme të lëngjeve, ujë dhe pije freskuese dhe kujdes me sasinë e alkoolit të cilin ju konsumoni sepse në moshën e pleqërisë ju bëheni më të prekshëm nga efektet e alkoolit. Rekomandohet që ju duhet të konsumoni 6-8 gota lëngje në ditë, ku përfshihen lëngje të ngrohta dhe të ftohta.
-Temperatura ideale që duhet mbajtur në shtëpi është 21 gradë celsius dhe mundësisht duhet mbajtur konstante.
Çfarë duhet ngrënë gjatë dimrit dhe të ftohtit?
Gjatë stinës së ftohtë rekomandohet një ushqyerje e variueshme dhe e ekuilibruar, e përbërë nga ushqime grupet ushqimore, duke preferuar ushqime dhe pije të nxehta, që ndihmojnë jo vetëm për të plotësuar nevojat më të lartë ushqyese por edhe për të prodhuar më shumë nxehtësi të brendshme.
Kur temperaturat janë veçanërisht të ulëta, rekomandohet:
-pini të paktën 2 litra lëngje gjatë ditës ( përjashtohen vetëm rastet kur mjeku nuk jua rekomandon për shkak të ndonjë sëmundjeje). Preferoni pije të ngrohta si çaji, por edhe supat dhe lëngun e portokallit të shtrydhur.
-hani sa më shumë fruta dhe perime që janë të pasura me vitamina dhe kripëra minerale, të domosdoshme për t’u mbrojtur nga i ftohti dhe sëmundjet që mbart. Në përgjithësi rekomandohen të gjitha ushqimet që përmbajnë vitaminë E, vitaminë C dhe betakaroten, të afta për të stimuluar mbrojtjen imunitare. Nga perimet që përmbajnë betakaroten dhe vitaminë C janë: karotat, kungulli i dimrit, patatet, lakrat, domatet, specat, panxharin, lulelakrën, brokoli, spinaqin, radhiqet, preshin, qepa dhe hudhra. Ndër frutat e këshillueshme janë : boronica, agrumet, pjepri, bananet, gështenjat.
Nga ushqimet që përmbajnë vitaminë E janë: bajamet, lajthitë, vaji i ullirit, etj. Që këto ushqime të ruajnë vlerat e tyre ushqimore dhe terapeutike, rekomandohet të konsumohen sa më shumë “të gjalla” dhe të stinës.
Studimet tregojnë se personat që hanë më shumë sallatë gjatë dimrit, kanë në gjakun e tyre nivel më të lartë të vitaminës C dhe antioksidantësh, e për rrjedhojë janë më të mbrojtur nga infeksionet.
Frutat dhe perimet përmbajnë gjithashtu edhe kripërat minerale (hekur, kalcium, fosfor, kalium), të domosdoshme për organizimin për të kryer funksionet jetësore, duke i dhënë gjithashtu ushqimeve shije, ngjyrë dhe aromë, e për rrjedhojë, nxisin kështu oreksin dhe përthithjen e lëndëve ushqimore.
Po ashtu, frutat dhe perimet që përmbajnë edhe celulozë, një lëndë e rëndësishme për të pastruar zorrët nga lëndët e dëmshme, përfshirë këtu edhe kolesterolin e tepërt. Shumë prej perimeve dhe frutave përmbajnë gjithashtu lëndë antioksidante, që zvogëlojnë rrezikun e prekjes nga sëmundjet dimërore si gripi dhe infeksionet. Kështu lakra, është një nga perimet tipike dimërore, ka jo vetëm veti të larta ushqyese, por edhe mbron nga infeksionet rrugët e frymëmarrjes, dhe parandalon problemet e stomakut si gastritin, ulçerën apo kancerin. Po ashtu përmendim qepën dhe hudhrën, me aftësi dezinfektuese dhe shkrirëse e nxjerrëse të sekrecioneve bronkiale apo specat më shumë vitaminë C dhe me veti zgjeruese të enëve të gjakut dhe aftësi holluese të sekrecioneve. Veti të ngjashme kanë edhe molla dhe dardha e pjekur.
-ushqime të tjera të këshilluara janë bishtajoret e thata si: fasulet dhe thjerrëzat, të cilat ju furnizojnë me energji, proteina dhe fibra e për më tepër janë të ngrohta. Po ashtu, gjellët dhe suprat me perime dhe lëng mishi apo peshku janë shumë të rekomanduara pasi ju furnizojnë me energji, proteina dhe vitamina. Qumështi dhe mjalti, janë gjithashtu të rekomanduara gjatë dimrit, përveçse tek personat që vuajnë nga diabeti.
-shmangni pirjen e pijeve alkoolike dhe super alkoolike, pasi ndonëse duket se fillimisht ju ngrohin, në të vërtetë ato mund të shkaktojnë humbje të energjisë që prodhon trupi, duke favorizuar hipoterminë.
Në dimër: Sëmundjet që shfaqen ose përkeqësohen:
  • Sëmundje të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes: skuqeje apo dhimbje deri në infeksion të bajameve, veshëve, hundës dhe sinuseve;
  • Sëmundje të rrugëve të poshtme të frymëmarrjes: gripi dhe viroza të ndryshme, acarim i astmës deri në infeksione në mushkëri;
  • Dhembje koke si pasojë e spazmave/ngushtim të enëve të gjakut në kokë;
  • Shtrëngime gjoksi deri në infarkte të zemrës;
  • Probleme të qarkullimit të gjakut si: morthi, scleroderma;
  • Fraktura, ndrydhje dhe dëmtime të tjera si pasojë e rrëshqitjeve në akull;
  • Ngritjet e ekstremiteteve deri në amputime të tyre.
Botim i Institutit të Shëndetit Publik

Related

Shëndet & estetikë 2796263431569631874

Arkivi

Kontakt

Name

Email *

Message *

STUDJESA PETROL

item