Tallavaja e lajmit

Nga Ardian Vehbiu Para pak ditëve, me dhjetëra media dhe portale shqip online botuan një “letër” të bosit të Facebook-ut, Mark Zucke...

Nga Ardian Vehbiu

Para pak ditëve, me dhjetëra media dhe portale shqip online botuan një “letër” të bosit të Facebook-ut, Mark Zuckerberg, drejtuar shqiptarit Hajdar K. Shtimja, e cila ua prekte të gjitha telat budallenjve dhe histerikëve të Internetit shqip.
Sikurse del tani në shesh, kjo “letër” paska qenë një shaka ose satirë e Iliaz Hysajt, mjek dhe shkrimtar nga Kosova, i cili e ka shpjeguar këtë me një ndërhyrje të tanishme për publikun.
E kisha parë letrën, kisha dyshuar besoj së bashku me shumë të tjerë për natyrën e saj prej hoax-i, sikurse edhe e shkrova këtë shkarazi, në një koment në faqen time pardje në FB. Të tjerë e patën vënë re absurditetin e kësaj letre gjithashtu (p.sh. Ilir Seci).
Megjithatë, nuk pata kohë të merrem me verifikime madje as kisha dëshirë, sepse thjesht po shijoja, me hilaritet të trishtë, spektaklin grotesk të tallavasë së mediave shqip anembanë hapësirës mëmëdhetare virtuale, teksa këto u vunë ta kremtojnë lajmin dhe sidomos letrën si një fitore tjetër tonën (që “ka çmend Serbinë”).
Ky mirëbesim mendjelehtë dhe ndonjëherë kriminal i medias ndaj çfarë shitet për lajm, i tillë që e idiotizon publikun, nuk është i rastit dhe as priste shakanë e tanishme të z. Hysaj për të dalë në pah.
Kam përshtypjen se shumica e “lajmeve” që dalin në faqet shqip online janë të kësaj kategorie – ose po aq të paverifikuara, sa edhe të pasmet pneumatike të porn-yllkave.[1] Kopjimi i rrufeshëm dhe i pacipë, nga një faqe në tjetrën, nga një portal në tjetrin, e hollon përgjegjshmërinë teksa krijon iluzionin se lajmin nuk e luan topi, përndryshe nuk do të shfaqej praktikisht kudo.
Disa herë kemi shkruar në blog për këtë dukuri – si në rastin e një letre të stisur të aktorit Veli Rada për të bijën (JUNKdhe BURSA E VIRTYTIT).
Nuk mund t’i jap mësime gazetarie kujt, por veç po mjaftohem të them se, për mënyrën si u prezantuan tani me hoax-in e letrës nga Zuckerberg-u, mediat shqip online kam frikë se treguan që nuk mund të shpëtohen më.
Pa shkuar deri atje sa të gjykoj se ato nuk i shërbejnë më njeriu, në kuptimin që nuk ofrojnë më ndonjë farë shërbimi publik; dhe pa bërë as përgjithësime të cilat padrejtësisht do të penalizonin edhe ata që ende përpiqen, me kurajë civile të admirueshme, për ta ruajtur profesionalizmin (p.sh. Reporter.al), them se hapësira e mediave të shkruara tashmë nuk i përket më publikut, as të drejtës për informacion dhe as traditës së publicistikës shqip.
Është shndërruar, përkundrazi, në një landfill mbetjesh toksike, së cilës i duhet ndenjur larg, për hir të higjienës mendore.
Dhe e them këtë jo sepse disa të mjerë u gënjyen nga një shaka qëllim-mirë, si kjo e Hysajt; por sepse mungesa e profesionalizmit në trajtimin e lajmit tashmë është kthyer në model mbizotërues; dhe se publiku i faqeve informative online tashmë është mësuar të ushqehet me junk dhe e kërkon atë.
Për fat të keq, nuk ka një organ kolegjial dhe të pavarur të gazetarëve, që të mbajë qëndrim të prerë ndaj kësaj përdhosjeje që i bëhet lajmit dhe profesionit të tyre; dhe që të shqiptohet me autoritet në raste skandalesh të tilla.
Dhe mediave nuk ua lejon deontologjia profesionale të merren me njëra-tjetrën, çfarë është edhe, në vetvete dhe si e tillë, nëna e të gjitha shakave.
[1] Sipas kësaj logjike, edhe deklarata e tanishme e Hysajt mbetet e paverifikuar – së paku prej meje. Megjithatë, jam gati të rrezikoj dhe ta besoj, më shpejt e më mirë se letrën shqiptare të Zuckerberg-ut.
Peizazhe.com

Related

Opinione 8569604407997797383

Arkivi

Kontakt

Name

Email *

Message *

STUDJESA PETROL

item