Skllavet e seksit nga Shqipëria

Abuzuar nga gangsterët, mohuar nga familjet dhe të braktisura nga shteti, ish-skllavet e seksit përballen me sfidën e ndërtimit të një...


Abuzuar nga gangsterët, mohuar nga familjet dhe të braktisura nga shteti, ish-skllavet e seksit përballen me sfidën e ndërtimit të një jetë të re.


Zona përreth Place de I’Yser në Bruksel është vendi i punonjëseve shqiptare të seksit. Territori i tyre është vetëm pak kilometra larg nga sheshi qendror i qytetit, Grand Place, ku mijëra turistë derdhen çdo ditë.
Pasi pinë një kafe në lokalin aty pranë, rreth mesditës gratë fillojnë të presin në rrugë për klientë. Dhjetë minuta seks këtu kushtojnë jo më shumë se 50 euro.
Epshndjellëse, me flokë të gjatë kaçurrela dhe me sy të mëdhenj të zinj, 31 vjeçarja Eva flet pa turp për klientët e saj; sa para u merr, pozicionet e seksit dhe madje edhe për sherret mes grave që ndajnë rrugën.
“Unë fillimisht erdha këtu me të fejuarin tim, 14 vjet më parë,” kujton Eva (një pseudonim, si emrat e tjerë të viktimave të trafikut apo punonjëseve të seksit të cituara në këtë shkrim) Burri me të cilin kishte rënë në dashuri i tha se ajo duhet të bënte një “sakrificë për hatër të dashurisë” – të bënte seks me burra të tjerë për të fituar paratë për ata si çift.
Ende pa e kuptuar se çfarë po i ndodhte, Eva u bë një viktimë e trafikimit – ose siç njihet formalisht, trafikimit të grave për shfrytëzim seksual.
Në Europë mund të jenë rreth 140 mijë viktima të trafikimit seksual dhe rreth një e treta e tyre vjen nga Ballkani, sipas një raporti të OKB-së  të vitit 2010.
Mijëra gra dhe vajza janë trafikuar vetëm nga Shqipëria drejt Europës Perëndimore si skllave seksi përgjatë dy dekadave të fundit. Grupe kriminale të mirëorganizuara kontrollojnë trafikun, në disa raste me bashkëpunimin e vetë familjarëve të viktimave, ndërsa trafikantët i pastrojnë fitimet përmes blerjeve të pronave në Shqipëri, thonë policia dhe ekspertët.
Përpjekjet për të eliminuar grupet kriminale përballen me pengesa të mëdha. Kërkohen hetime komplekse ndërkombëtare dhe është e gjithëpranuar se kriminelët janë në gjendje të blejnë ndikim në sistemin e drejtësisë të Shqipërisë, një nga vendet më të varfra në Europë.
“Korrupsioni dhe ndryshimet e shpeshta në stafin e forcave policore pengojnë aksionet për zbatimin e ligjit kundër trafikimit. Bashkëpunimi i zyrtarëve me kriminelët e trafikimit mbetet një shqetësim domethënës,” thuhet në seksionin për Shqipërinë të raportit të fundit për trafikimin e qenieve njerëzore të Departamentit të Shtetit të SHBA-ve i vitit 2015.
Raporti vë në dukje gjithashtu se kur u publikua në korrik, “një anëtar aktual i parlamentit ka dënime të mëparshme për krime të lidhura me trafikimin”.
Ndërkohë, shumë viktima që i shpëtojnë bandave, përfundojnë sërish në tregtinë e seksit, pasi refuzohen nga familjet dhe shoqëria e tyre dhe marrin shumë pak ndihmë nga shteti shqiptar për të ndërtuar një jetë të re.
Mijëra viktima
Një raport i policisë shqiptare i vitit 2007 dhe i papublikuar më parë, i siguruar nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative, BIRN, thotë se së paku 5,162 gra dhe vajza janë trafikuar për t’u shfrytëzuar si punonjëse seksi mes viteve 1992 dhe 2005.

Rreth 22 për qind e tyre qenë minorene kur u trafikuan. Shtatë për qind e viktimave qenë rrëmbyer, përdhunuar ose u qenë kërcënuar familjet. Katër për qind u shitën në prostituim të detyruara nga vetë familjet e tyre.
Që nga periudha e mbuluar nga ky raport, rreth 1 mijë viktima të tjera të trafikimit janë identifikuar sipas raporteve vjetore të krimeve, të publikuara nga Prokuroria e Përgjithshme.
Viktima të panumërta të trafikut të qenieve njerëzore nuk shfaqen në statistikat zyrtare dhe shifrat nuk paraqesin tmerrin e vërtetë të historive individuale të grave.
Intervistat me gratë e trafikuara zbulojnë se në disa raste, ato qenë viktima të dhunës apo abuzimeve seksuale nga vetë familjarët e tyre.
“Atë natë babai piu shumë dhe rreth orës 2 të natës e kam parë veten të zhveshur dhe atë mbi mua,” kujton Vera, një 27 vjeçare në qendrën “Të ndryshëm dhe të barabartë” në Tiranë, qendër që ofron ndihmë për viktimat e trafikimit.
“Isha si një trup i vdekur… Ika me të parin që më premtoi martesë; por sapo mbërritëm në Kamzë më detyroi të shkoj me meshkuj të tjetër për para,” shton ajo, mes lotëve që është përdhunuar aq shumë herë nga i ati kur ishte e vogël sa nuk e mban mend sa.
Nëna e Verës vrau veten në vitin 2009. Policia beson se ajo kreu vetëvrasje pasi zbuloi se bashkëshorti i saj po abuzonte seksualisht me vajzën e tyre.
Maria, nga Malësia e Madhe në veri të Shqipërisë qe vetëm 16 vjeç kur babai i saj e martoi me një burrë të moshuar. Bashkëshorti i saj e detyroi atë të prostituojë në Greqi.
“Çdo natë ishte si të më përdhunonin,” kujton Maria. “Kur i tregova nënës, ajo më ulërinte se nuk mund të kthehesha në shtëpi, duke më thënë që të kemi nxjerrë njëherë nga kjo derë,” shtoi ajo.
Elsa, nga qyteti verior i Kukësit, binte shpesh viktimë e dhunës së babait të saj pasi nëna e saj u nda nga jeta kur ajo që vetëm gjashtë vjeç.
“Kur ai kthehej në shtëpi, më rrihte me zorrën e ujit thjesht sepse unë ekzistoja,” thotë ajo me zë të ulët, sikur është ende e mbërthyer nga frika.
Pasi u përdhunua nga vëllai i saj në moshën 13 vjeçare, ajo u arratis nga shtëpia dhe u detyrua të punojë si prostitutë, fillimisht në Tiranë dhe më pas në Kosovë.
“Askush nuk arrin të kuptojë se çfarë të ndodh po të kalosh nëpër duart e shumë njerëzve, të kalosh këto gjëra në familje, të bëhesh fajtore që fëmijë, pa e ditur çfarë ke bërë,” thotë ajo në një qendër për viktimat e trafikimit në Vlorë.
“Askush nuk më ka treguar se kush ishte e mira dhe e keqja, çfarë është dashuria. Jam si e damkosur që fëmijë dhe të gjithë e gjithmonë do më quajnë kurvë.”
Pandëshkueshmëria e kriminelëve
Në raportin e vitit 2007, policia shqiptare thotë se identifikoi më shumë se 2 mijë njerëz të dyshuar për trafikime përgjatë një dekade e gjysmë, por vetëm 23 për qind e tyre qenë në burg, në Shqipëri apo jashtë vendit, për krime të trafikimit apo për krime të tjera.
Më 2013, në Shqipëri u miratuan dënime më të ashpra për trafikimin e qenieve njerëzore, nga 10 deri në 15 vite burg, por numri i dënimeve ka mbetur i vogël. Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, Shqipëria dënoi nëntë njerëz për trafikim në vitin 2014 dhe tri vetë në vitin paraardhës.
Për më tepër, disa nga trafikantët e dënuar ia dalin të shmangin burgun duke apeluar.
Hysni Sokolaj, një 43 vjeçar nga Tropoja, u shpall fajtor në mungesë në vitin 2011 për trafik qeniesh njerëzore dhe shfrytëzim prostitucioni. Ai u dënua me 20 vjet burg. Dënimi i tij u la në fuqi nga gjykata e Apelit, por u rrëzua nga Gjykata e Lartë.
Sokolaj u akuzua se pati mashtruar një 18 vjeçare me premtimin e rremë të dashurisë dhe martesës, si dhe për detyrimin e saj që të prostituohej në Belgjikë dhe Angli, sipas dosjes së tij të siguruar nga BIRN.
Më 2006, pasi Sokolaj u ekstradua nga Britania si emigrant i paligjshëm, viktima e tij u rikthye në Shqipëri dhe gjeti strehë në qendrën e ndihmës për viktimat e trafikuara në Vlorë dhe ngriti akuzë ndaj tij.
“Kur erdhi ishte e traumatizuar dhe kishte frikë tutorin e saj që gjatë gjithë kohës e kishte kërcënuar se do t’i vriste vëllezërit,” kujton Enkelejda Avdylaj, koordinatorja e Qendrës.
“Kishte turp të tregonte se çfarë kishte ndodhur dhe ndjehej në faj që ishte larguar nga shtëpia me të,” shton ajo.
Çështja kundër Sokolajt u regjistrua fillimisht nga prokuroria e Fierit, e cila refuzoi të fillojë procedim penal ndaj tij, duke thënë se nuk qe në gjendje të mblidhte prova. Pas protestave të grupimeve në mbështetje të viktimave, rasti u transferua në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në Tiranë.
Prokuroria ngriti akuzë ndaj Sokolajt, i cili besohej se qe rikthyer në Britani, dhe lëshoi një urdhër për arrestim ndërkombëtar. Në vitin 2012, policia e Britanisë e shpalli Sokolajn një nga të huajt më të kërkuar në vend.
Por në dhjetor të atij viti, Gjykata e Lartë e rrëzoi vendimin e dënimit të tij, duke argumentuar se gjykatat e faktit dhe apelit e patën keqinterpretuar qëllimisht ligjin.
Avokati i Sokolajt, Ferit Muça, thotë se klienti i tij, i cili nuk jeton më në Shqipëri, ka thënë gjithmonë se është i pafajshëm.
“Gjykata e Lartë bëri drejtësi për shkak se klienti im qe i pafajshëm,” thotë ai. “Ai jetoi me të akuzuarën dhe nuk e trafikoi atë. Akuzat kundër tij u ngritën në bazë të manipulimeve nga prokurorët. Vajza qe e paqëndrueshme.”
Biznes familjar
Një rast tjetër i hetuar nga prokurorët e krimeve të rënda në Tiranë përfshin dy vëllezër, Bledar dhe Shyqeri Stafuga, respektivisht 33 dhe 24 vjeç.
Dy gjykata i kanë shpallur ata fajtorë për pjesëmarrje në një grupim kriminal që trafikoi së paku gjashtë gra të reja në skllavërinë e seksit. Gjykata e Lartë po shqyrton rekursin kundër dënimit të tyre.
Një nga gratë dëshmoi se ajo qe vetëm 16 vjeç kur Shyqeri Stafuga e trafikoi atë në Zvicër dhe Gjermani dhe e detyroi atë të bënte seks me dhjetë burra çdo ditë.
“Më ka vënë thikën në fyt; më ka fikur  cigaren në trup… Më kërcënonte se do më vriste familjen nëse nuk bëja 1000 franga çdo natë,” tha ajo.
Në nëntor 2014, Bledar dhe Shyqeri Stafuga u gjykuan për trafikim qeniesh njerëzore dhe trafikim minorenësh nga Gjykata e Krimeve të Rënda në Tiranë dhe u dënuan me 12 vjet e gjysmë dhe 12 vjet burg respektivisht.
Anila Trimi, një eksperte e antitrafikut në policinë shqiptare, i tha BIRN se vëllezërit qenë pjesë e një organizate kriminale më të madhe dhe të mirëstrukturuar, ndërkohë që hetimet vijojnë mbi anëtarë të tjerë të dyshuar të grupit.
Dolores Musabelliu, një prokurore në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, thotë se trafikimi i qenieve njerëzore dhe rastet e shfrytëzimit të prostitucionit janë të vështira për t’u provuar në gjykatë.
“Arsyeja pas dështimit të shumë rasteve është se prokurorët detyrohen të bazojnë akuzat vetëm në dëshminë e viktimës,” thotë ajo.
Gjithsesi, viktimat shpesh vendosin të mos dëshmojnë apo tërheqin dëshminë për shkak se nuk mund të përballen me zvarritjen e çështjeve në gjykata dhe prej frikës për hakmarrje nga trafikantët.
“Ja e denoncova dhe çfarë fitoj?” pyet Lola, një grua 21 vjeçare nga një fshat i vogël në veri të Tiranës, e cila kreu kallëzim ndaj tutorit të saj në vitin 2014 dhe që jeton në strehën e vetme shtetërore për viktimat e trafikimit në Shqipëri.
“Ai e di ku unë jetoj, di gjithçka për mua dhe është ende i lirë,” thotë ajo.
Mungesat e sekuestrimit të aseteve
Strategjia kombëtare e luftës kundër trafikut të qenieve njerëzore e qeverisë shqiptare, e miratuar në nëntor 2014, përmendi Belgjikën si një nga destinacionet kryesore në Europën Perëndimore për gratë shqiptare të trafikuara për prostitucion.
Në Bruksel, Didier Dochain, drejtues qendrës kundër trafikut në Policinë Federale të Belgjikës, i tha BIRN se përfshirja e shqiptarëve në trafikimin e qenieve njerëzore është rritur gjatë viteve 1990 dhe 2000 për të shënuar kulmin më 2010 dhe se trafikantët kanë akumuluar fitime të stërmëdha.
“Në 99 për qind të rasteve, përfituesit nga ky aktivitet kriminal i dërgojnë paratë në vendin tuaj, ku ata investojnë, blejnë prona dhe jetojnë si Don,” tha ai.
“Ata kthehen në shtëpi sepse atje njohin njerëz, korruptojnë sistemin dhe janë jetë sociale,” shtoi ai.
Dochain argumenton se konfiskimi i aseteve të trafikantëve mund të shërbejë si një mjet i rëndësishëm parandalues.
“E vetmja gjë që mund të bëjmë është të dërgojmë kërkesa për të sekuestruar bizneset e tyre apo t’i japim të gjitha të dhënat që disponojmë, por janë autoritetet shqiptare që duhet të marrin vendimet për të konfiskuar asetete e tyre,” tha ai.
Në shumicën e rasteve, tha ai, zyrtarët shqiptarë thonë se nuk kanë informacion mbi të dyshuarit, ose që i dyshuari nuk ekziston ose që ata nuk janë në gjendje të sekuestrojnë asetete.
“Ne kemi viktimat, kemi dosjet dhe profilet e turorëve por nuk kemi çfarë kanë [fituar ata nga trafikimi],” shtoi ai.
Në Tiranë, Dolores Musabelliu nga prokuroria thotë se autoritetet shqiptare kanë problemet e tyre në marrjen e informacionit nga vendet e huaja për hetimet komplekse.
“Hetimi i këtyre rasteve varet nga kërkesat për bashkëpunim ligjor, për të cilat përgjigjet shpesh vijnë shumë vonë dhe kjo është arsye se pse shumë çështje mbyllen,” thotë ajo.
Por ndërsa disa zyrtarë dhe politikanë punojnë kundër trafikimit të qenieve njerëzore, dy anëtarë të parlamentit shqiptar kanë qenë të akuzuar për përfshirje aktive në këto trafiqe.
Prokurorët në Belgjikë kanë akuzuar Mark Frrokun, një deputet nga Partia Kristiandemokrate, për vrasjen e një shqiptari tjetër në Belgjikë në vitin 1999. Viktima thuhej se po shantazhonte një grua që shfrytëzohej nga një rrjet prostitucioni i drejtuar nga vëllai i Frrokut.

Qyteti verior i Pukës. Foto: Lindita Çela
Qyteti verior i Pukës. Foto: Lindita Çela

Një gjykatë shqiptare po vlerëson kërkesën belge për ekstradimin e Frrokut. Frroku ka mohuar ta ketë kryer krimin dhe i ka përshkruar akuzat kundër tij si të motivuara politikisht.
Arben Ndoka, një deputet nga Partia Socialiste në pushtet, ka pranuar se ai qe dënuar nga një gjykatë italiane në mesin e viteve 1990 për shfrytëzim prostitucioni dhe pengmarrje.
Ndoka pranoi se qe dënuar vitin e kaluar pasi dosja e tij u publikua nga opozita dhe dha dorëheqjen në shtator 2015. Pavarësisht dorëheqjes, ai këmbëngul se është i pafajshëm ndaj akuzave.
Megjithëse ato janë viktima, shumë gra që qenë trafikuar dhe detyruar të ushtrojnë prostitucionin janë refuzuar nga vetë familjet e tyre dhe janë të stigmatizuara nga shoqëria.
Nëna e gruas që aludohet se po shantazhohej në çështjen Frroku jeton në qytetin e vogël të Pukës, në veriun malor të Shqipërisë.
Shtëpia e saj është në katin e parë të një pallati të vjetër. Ajo është 63 vjeç, por telashet në jetë e bëjnë të duket shumë më e vjetër, me rrathë të nxirë përreth syve të saj. Për të, çdo lidhje me tregtinë e seksit është burim turpi. Për aq sa i përket asaj, ajo thotë se nuk ka më një vajzë.
“Unë nuk e di se çfarë i ndodhi asaj,” thotë ajo, duke qëndruar te pragu i derës. “Gjithçka që di e kam dëgjuar në lajme.”
Përgjatë 25 viteve të fundit, 83 gra të reja dhe vajza nga Puka janë trafikuar për prostitucion, sipas policisë vendase. Historitë e tyre janë ende temë thashethemesh në qytetin e vogël me vetëm 3,600 banorë.
Zajmira Laçi, një mjeke dhe aktiviste e të drejtave të grave thotë se, njësoj si gruaja në rastin e Frrokut, shumë viktima të trafikimit nuk janë kthyer kurrë në Pukë.
“Për shkak të turpit, familjet e tyre nuk i pranojnë,” thotë Laçi. “Vajzat nuk janë kthyer nga frika se të gjithë do t’i tregojnë me gisht.”
Rrugë e vështirë drejt rehabilitimit
Shumë vende perëndimore tashmë kanë programe të financuara mirë për të ndihmuar viktimat e trafikut që të nisin një jetë të re.
Në qytetin belg të Antverpit, Patsy Sorensen, drejtoreshë e Payoke, një organizatë bamirëse që ndihmon viktimat e trafikut, jep dhjetëra raste të grave që riintegrohen në shoqërinë belge.
“Në shumicën e rasteve ne synojmë t’i arsimojmë ato, për shkak se universiteti paguhet nga shteti,” thotë Sorensen.
“Pasi dalin nga streha, vajzat marrin 800 euro në muaj për të mbuluar kostot e tyre të jetesës dhe janë në gjendje të kërkojnë punë si kujdestare, dado apo infermiere, në varësi të profilit.”
Gjithsesi, Sorensen pranon se ka raste kur gratë janë rikthyer në skemat e trafikut sërish.
Në Shqipëri, pasi gratë identifikohen si viktima trafiku, ato në përgjithësi i referohen strehës shtetërore ose një prej tri qendrave të rehabilitimit.
Streha në fshatin e Linzës, pranë Tiranës strehon viktima që po presin rezultatet e hetimeve paraprake.
Qendrat e tjera në Tiranë, Elbasan dhe Vlorë drejtohen nga organizata jofitimprurëse dhe ofrojnë kurse profesionale, si gatim apo parrukeri, me synimin për të ndihmuar gratë të punësohen.
Raporti i Departamentit të Shtetit për vitin 2015 thotë se shërbimet psikologjike, mjekësore dhe të riintegrimit në strehë janë të pamjaftueshme ndërsa qeveria nuk ka dhënë para të mjaftueshme për qendrat e tjera – edhe pse ajo mund të përdorte një fond të posaçëm për parandalimin e krimit, ku gjendeshin së paku 25 milionë lekë (rreth 180 mijë euro).
Edhe pasi kalojnë përmes programit të rehabilitimit, viktimat e trafikut vuajnë për të gjetur punë.
“Ne kemi pasur vetëm një rast punësimi në një institucion shtetëror dhe kjo ka ndodhur me ndërmjetësimin tonë,” thotë Enkelejda Avdylaj, koordinatore e qendrës Vatra në Vlorë.
“Ne flasim me bizneset, por kur u themi për profilin e tyre, ata refuzojnë t’i punësojnë.”

Patsy Sorensen, drejtoreshë e Payoke, organizata kundër trafikimit në Antverp. Foto: Lindita Çela
Patsy Sorensen, drejtoreshë e Payoke, organizata kundër trafikimit në Antverp. Foto: Lindita Çela

Edhe nëse viktimat e trafikut janë në gjendje të gjejnë një punë-edhe një punë të keqpaguar, ato sërish vuajnë nga stigma për jetët e tyre të mëparshme.
Diana Kaso, drejtoreshë ekzekutive e qendrës Tjetër Vizion në Elbasan thotë se 80 për qind e grave që kanë kaluar përmes programeve të rehabilitimit synojnë të rindërtojnë jetët e tyre larg qyteteve të lindjes.
Maria, gruaja që u detyrua të prostituohej në Greqi ka ndjekur këtë rrugë. Ajo jeton në një qytet shumë larg vendlindjes me fëmijën e saj 12 vjeçar, për të cilin thotë se është i vetmi gëzim që ka në jetë.
Pas një programi rehabilitimi, ajo punoi për shumë vite si pastruese në lokale dhe tashmë është pasticiere me një pagë mujore prej 110 eurosh, gjysma e së cilës shkon për qira.
“Shumë njerëz janë përpjekur të shfrytëzojnë fatkeqësinë time në vend që të ndihmojnë,” thotë ajo. Kur shkon të takojë një zyrtar vendor për të aplikuar për pagesën e vogël të ndihmës shtetërore për viktimat e trafikimit, ajo thotë se zyrtari i kërkon seks. “Është e frikshme të hysh në një zyrë.”
Kaso thotë se shumë pak gra kanë fuqinë që ka treguar Maria për të ndërtuar një jetë të re. Nga të gjitha rastet që ajo ka trajtuar, rreth 100 kanë përfunduar sërish në prostitucion.
“Në disa raste ato nuk kanë mbështetjen e nevojshme ose mendojnë se për shkak të stigmës, nuk kanë mundësi zgjedhjeje,” thotë Kaso.
Në Place de l’Yser në Bruksel, Eva është një nga këto gra që ka mbërritur në këtë konkluzion. Fillimisht, ajo jetoi në Belgjikë për pesë vjet me të fejuarin trafikant, deri sa ai u zhduk me të gjitha paratë e tyre.
Eva u rikthye në Shqipëri për një copë herë dhe vendosi të rikthehet në Belgjikë për të punuar sërish si prostitutë. Kjo i mundëson asaj të dërgojë para pas te familja, e cila mendon se ajo punon si ndihmëse për një çift të moshuarish.
“Në Shqipëri, nuk kishte vend pune për mua,” thotë Eva. “E vetmja punë që di të bëj është kjo. Dhe këtu mund të fitoj më shumë.”

*Emrat e viktimave të trafikut të qenieve njerëzore në këtë artikull janë ndryshuar për të mbrojtur identitetin e tyre.
Shënim: Ky artikull u realizua si pjesë e Bursës Ballkanike për Gazetari Ekselente, mbështetur nga Fondacioni ERSTE dhe Fondacioni për Shoqëri të Hapur, në bashkëpunim me Rrjetin Ballkanik të Gazetarisë Investigative.

Related

Top Lajm 2862922507446084373

Arkivi

Kontakt

Name

Email *

Message *

STUDJESA PETROL

item