“Si u arrestua Nexhmije Hoxha dhe miratimi i Ramiz Alisë”

Një histori “dashuri-urrejtje” ka qenë ajo mes krerëve të Partisë Demokratike. Janë zënë e janë pajtuar me Sali Berishën, duke hyrë e duke...

Një histori “dashuri-urrejtje” ka qenë ajo mes krerëve të Partisë Demokratike. Janë zënë e janë pajtuar me Sali Berishën, duke hyrë e duke dalë në parti Neritan Ceka, Gramoz Pashko, Eduard Selami, etj.
Në librin e tij “Shqipëria e Re”, gazetari amerikan Fred Abrahams përshkruan hap pas hapi ndryshimet që ndodhën në Shqipëri pas vitit 1990, që nga rrëzimi i diktaturës, ndërrimi i pushteteve, lejimi i pluralizmit, krijimi i Partisë Demokratike, përplasjet mes liderëve të saj, zgjedhjet, humbjet dhe fitoret…
Një nga këto momente të përshkruara në librin e tij (botimet “Dudaj”) është edhe prishja e marrëdhënieve mes Sali Berishës dhe Genc Rulit, Pashkos e Cekës. Në të njëjtën kohë (1991) ndodhi edhe arrestimi i disa prej ish-krerëve komunistë, mes të cilëve edhe e veja e diktatorit, Nexhmije Hoxha. Sipas Abrahams, me zemër të thyer, Ramiz Alia kishte dhënë miratimin e arrestimit të saj.
Në vitin 1992, këto veprime “antikomuniste” do të përshkallëzoheshin edhe më tej me zhvarrosjen nga Varrezat e Dëshmorëve të eshtrave të Enver Hoxhës dhe disa komunistëve të tjerë, mes të cilëve edhe të të atit të Gramoz Pashkos, Josif Pashkos. Ky urdhër i Berishës do të thellonte edhe më tej hendekun me Pashkon, i cili do të shprehej asokohe se gjithçka ndodhi pa dijeninë e tij.
FRED ABRAHAMS
Pas kongresit të PD-së, Qeveria e Stabilitetit i kishte ditët e numëruara. Më 5 tetor, PD-ja organizoi një demonstratë në Tiranë në parullën “Demokracia do të ketë sukses për çrrënjosjen e komunizmit në Shqipëri”.
Mitingu bëri thirrje për arrestimin e Nexhmije Hoxhës dhe ish-anëtarëve të Byrosë Politike, e akuzoi Ramiz Alinë për ngecjen e reformave. Në Parlament, PD-ja nisi të kritikonte Qeverinë e Stabilitetit. Sali Berisha akuzoi ministrat e PS-së, Genc Ruli dhe Gramoz Pashko, për korrupsion. Më 27 nëntor 1991, Komiteti Drejtues i PD-së pati një mbledhje me Grupin Parlamentar të partisë.
Nexhmije Hoxha duke votuar në burg

Berisha hodhi pikëpamjen se qeveria ishte e paralizuar dhe se PD-ja duhej të tërhiqej. Socialistët i dhanë PD-së bashkëpërgjegjësi për qeverisje, por e ruajtën pushtetin politik për veten e tyre, tha ai. Të tjerë bëjnë thirrje për vazhdimin e bashkëpunimit për zbutjen e tranzicionit.
Në fund, komiteti arriti një kompromis. PD-ja do të tërhiqej nga Qeveria e Stabilitetit, në qoftë se qeveria nuk përmbushte katër kushte brenda një jave: (1) të gjykoheshin personat përgjegjës për katër të vrarët e 2 prillit në Shkodër; (2) të zëvendësohej drejtori i televizionit shtetëror (3) të zhvilloheshin zgjedhje të reja në shkurt të 1992; (4) të arrestohej Nexhmije Hoxha dhe një grup i ish-udhëheqësve komunistë.
nexhiPër të paraqitur kërkesat u caktuan dy anëtarë të PD-së. Dy burrat arritën njëfarë suksesi. Parlamenti pranoi një projektligj që do ta çlironte televizionin shtetëror nga kontrolli politik. Prokurori pranoi të shpejtonte hetimin e Shkodrës dhe Alia u angazhua për zgjedhje të reja. Nyja e pazgjidhur mbeti tek arrestimi i Nexhmije Hoxhës.
Një nga përfaqësuesit e PD-së, arkeologu Neritan Ceka, i bëri një vizitë Presidentit Alia për të paraqitur çështjen. “Në qoftë se nisni arrestimet e ishanëtarëve të Byrosë Politike, ku do të ndalojë kjo?”, kujtoi Ceka pyetjen që i bëri Alia.
Nën trysninë e afatit prej një jave, Alia pranoi me gjysmë zemre të arrestohej Nexhmija. Ceka nxitoi për të çuar lajmin në Parlament. Policia nuk e kishte arrestuar Nexhmijen ende, por Alia kishte premtuar që kjo punë do të bëhej shpejt, i tregoi ai grupit të PD-së. Partia ra dakord të zgjaste afatin për një ditë më shumë, kur Berisha të mbante një konferencë shtypi për të lajmëruar rezultatet.
Sipas mendjes së Cekës, qeveria e Stabilitetit kishte shpëtuar. Të nesërmen në mëngjes Ceka shkoi në prokurori për të konfirmuar arrestimin e Nexhmijes. Ai pa se si mbërritën tri makina policie me targa civile me ish-zonjën e parë shtatëdhjetekatërvjeçare. I bindur që policia kishte vënë nën arrest Nexhmijen, Ceka shkoi në konferencë shtypi.
Berisha dhe Pashko
Berisha dhe Pashko
Berisha ishte i ulur vetëm në krye të sallës, duke lexuar një tekst të përgatitur paraprakisht. Ceka u ul pranë tij dhe i kaloi një pusullë përgjatë tavolinës “Nexhmija dhe të tjerë janë nën arrest”, thoshte pusulla.
Berisha e lexoi dhe vazhdoi fjalën. “Dita e stome do të mbahet mend si dita kur komunistët në pushtet, përmes shkeljes së ligjit, intolerancës dhe përçmimit në përgjithësi, e detyruan Partinë Demokratike të tërhiqej nga Qeveria e Stabilitetit Kombëtar”, tha ai. Gramoz Pashko ishte në Londër për takime me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim kur e mori vesh lajmin.
Gjithë zemërim ai e quajti vendimin një gabim historik dhe u ankua publikisht për një çarje brenda PD-së. Pas një jave ai gjykoi se ishte më me mend të ruhej një front i përbashkët para zgjedhjeve.
“Nuk ka ndarje brenda PD-së, tha ai në një konferencë shtypi në Tiranë. Ajo që më bashkon me Berishën është më e fortë se ajo që na ndan”. Neritan Ceka kishte biseduar për arrestimin e Nexhmijes me Ramiz Alinë, ishte më pak i gjindshëm.
Në një takim me Chris Hill-in, Berisha dhe Ceka i ulëritën njëri-tjetrit në anglisht, duke i hedhur fajin njëritjetrit për nxitjen e krizës. Më 6 dhjetor, Presidenti Alia thirri një mbledhje me partitë politike për të diskutuar një qeveri teknike deri në zgjedhjet e reja. Ceka dhe Berisha morën pjesë në emër të PD-së.
Ngjarjen e mbuloi televizioni shtetëror, ende e gjallë sepse PD-ja nuk kishte qenë unanime për tërheqje. Ai njoftoi dorëheqjen e tij nga partia dhe i bëri thirrje Berishës ta linte politikën. Berishës zor se iu drodh syri. Duke përfituar nga prania e kamerave, ai u dha një goditje vendimtare Cekës dhe Alisë.
“Ka një intrigë midis ju të dyve”, nguli këmbë ai, duke dalë me furi përjashta. Alia e kuptoi menjëherë se ç’kishte bërë Ceka. “Këtë do ta përdorin kundër teje”, i tha komunisti plak politikanit të paargasur. Ai kishte të drejtë. PD-ja reagoi duke thënë se deklaratat, intervistat dhe letrat i kanë shërbyer Ramiz Alisë dhe udhëheqësve komunistë shqiptarë. Në mitingjet elektorale të PD-së nisën së shpejti të ushtonin thirrjet Neritan-Alia dhe Gramoz- Hoxha.
Drejtuesit e pakënaqur të PD-së ishin nxjerrë jashtë loje. Shembja e Qeverisë së Stabilitetit e futi Shqipërinë në një vorbull anarkike që disa e kanë quajtur “koha e forcave të errëta”. Kryeministri në ikje, Ylli Bufi, lajmëroi në mënyrë të habitshme që Shqipërisë i kishin mbetur vetëm një javë rezerva buke, gjë që shkaktoi sulme nga turma të egërsuara kundër furrave të bukës, në shkurt 1992, vdiqën dyzetepesë veta nga trazirat dhe dhuna në rrugë.
Shteti i plotfuqishëm komunist ishte shembur dhe nuk u zëvendësua nga asnjë tjetër. Disa fshatra organizuan zhveshjen sistematike të qendrave komunitare dhe të kooperativave, duke shpërndarë dritaret, tjegullat, trarët prej druri dhe telat e elektrikut. Megjithatë, në shumë raste hajdutët shkulën nga vendi shinat e hekurudhës, nxorën nga toka tubat e ujësjellësve, vodhën kapakët e pusetave dhe shqyen shufrat prej hekurit nga burgjet e Shqipërisë.
Ata prenë plepat madhështorë që ishin të rreshtuar përgjatë rrugëve kombëtare dhe i përdorën për ngrohje. “Pemët janë të bukura”, i tha një burrë plak një gazetari. “Megjithatë, po nuk i premë ne, do të vijnë t’i presin të parët rrugaçët e fshatit tjetër”.
* * *
I pagëzuar me vaj të bekuar në Uashington, Sali Berisha e forcoi kontrollin e tij. Gjatë fushatës elektorale të vitit 1992 ai kishte theksuar ripajtimin kombëtar, duke sajuar frazën “bashkëfajtorë dhe bashkëvuajtës”, që nënkuptonte se të gjithë shqiptarët kishin luajtur një rol në diktaturë dhe duhet ta shmangnin hakmarrjen.
Pas zgjedhjeve, Berisha u drejtoi gishtin ish-udhëheqësve komunistë, të cilët i quajti mafia e kuqe. Në fillim të majit, qeveria zhvarrosi kufomat e Enver Hoxhës dhe dhjetë komunistëve të rangut të lartë nga Varrezat e Dëshmorëve, duke përfshirë edhe Josif Pashkon, të atin e Gramozit, dhe i varrosi ata në varrezat publike, në periferi të Tiranës. “Mënyra e dhunshme me të cilën u krye veprimi ishte e panevojshme”, i tha shtypit Pashkoja.
“Mua as që më informuan”. Ditën tjetër, Parlamenti ndryshoi kodin e punës për të lejuar punonjësit e tyre pa shpjegim ose apelim. Mijëra njerëz humbën vendin e punës në ministri, universitete, mjetet shtetërore të informacionit dhe ndërmarrjet shtetërore. Ndërkohë që shumë prej këtyre vendeve të punës kishin nevojë për ndryshim, terminologjia e vagullt e ligjit dhe mungesa e procesit të apelimit u hapën derën sipas vijës politike.
Duke u ankuar për një “operacion të zhdukjes”, socialistët thanë se 250.000 njerëz humbën vendin e punës. Kjo shifër duket e lartë, por përkrahësit e socialistëve u pushuan nga puna në masë anembanë vendit, të zëvendësuar nga entuziastët e PD-së dhe kushërinjtë e tyre, sidomos në Polici, Shërbimin Sekret dhe Doganë.
Sipas zyrtarëve të PD-së të asaj kohe, vija ndarëse nuk ishte ajo që kishte bërë personi, më përpara, por fakti nëse ai apo ajo mbështeste Berishën dhe regjimin e ri. Si ambasador në Hungari, Berisha zgjodhi Lisien Bashkurtin, ish-kreun e Organizatës së Rinisë Komuniste, që kishte qenë ulur ngjitur me Ramiz Alinë gjatë takimit të dhjetorit 1990 me studentët.
Mehmet Elezi, nga Tropoja, ish-shef i Mjeteve të Informacionit në Partinë e Punës dhe kreu i Rinisë Komuniste, shërbeu si këshilltar i Presidentit. Berisha ishte gati t’i falte këta njerëz për të kaluarat e tyre, për aq kohë sa ata i betoheshin për besnikëri për të ardhmen e tij. Në fakt, Berisha preferonte njerëz që e kishin një të kaluar, thanë zyrtarë të PD-së të asaj kohe.
Kjo i jepte atij një shpatë për t’ua mbajtur atyre mbi kokë, sidomos atyre që kishin bashkëpunuar me policinë e fshehtë. “Saliu i ndante njerëzit në spiunë të mirë dhe spiunë të këqij, mbi bazën se kush mbështeste atë”, shpjegoi kryetari i atëhershëm i PD-së, Eduard Selami. Në qoftë se ti ishe spiun që mbyllje gojën ose mbështesje atë, ti ishe në rregull. Në qoftë se e kundërshtoje, të dilte emri.
Kur ishte e nevojshme, “Rilindja Demokratike”, ose televizioni shtetëror nxirrte në dritë ndonjë person që bëhej i bezdisshëm për qeverinë, duke dhënë copëza të dhënash me spec nga ndonjë dosje e sigurimit ose duke nxjerrë pseudonimin nga kohërat e komunizmit.
Për të drejtuar agjencinë e re të zbulimit, të riemërtuar Shërbimi Informativ Kombëtar, Berisha caktoi një profesor matematike me emrin Bashkim Gazidede, që u bë shumë shpejt njëri nga njerëzit më të frikshëm të Shqipërisë.
I lindur në 1952, Gazidedja ishte duhanpirës i thekur dhe mysliman i devotshëm, që drejtonte Shoqatën e Intelektualëve Myslimanë të Shqipërisë. Besimi i tij e vuri në qendër të akuzave për marrëdhënie me fundamentalistët islamikë dhe grupet terroriste, po për këto akuza nuk ka dalë ndonjë provë.
Gjëja më e rëndësishme ishte se Gazidedja ishte antikomunist i flaktë që shihte komplote të kuqe pas çdo ferre. Ai e mbushi SHIKun me përkrahës të Partisë Demokratike, shumë prej tyre nga familje ish-të persekutuara, dhe shumë prej tyre djem nga Veriu. Rrogat e vitit 1992 prej 2.500 lekësh në muaj ishte e mirë me të ardhura të mëtejshme nga burime të paligjshme.
Ç’është më e rëndësishmja, Gazidedja ishte njeri i devotshëm ndaj Berishës, duke e drejtuar me besnikëri policinë politike të Presidentit. SHIK-u nuk pati kurrë marrëdhënie me partinë ose qeverinë, vetëm marrëdhënie me vetë Berishën”, tha Tritan Shehu, ministër i Jashtëm, zëvendëskryeministër dhe kryetar i Partisë Demokratike gjatë kohës së Berishës si President, që tha gjithashtu se e ndjente veten të ndjekur pandërprerë nga sytë vigjilentë të SHIK-ut.
Kryeministri i atëhershëm, Aleksandër Meksi, ra dakord me këtë, duke u ankuar për survejim kur ishte në detyrë, nga viti 1992 deri 1997. Kur diskutonte në zyrën e tij çështje delikate, më tregoi Meksi, ai u shkelte syrin vizitorëve dhe vinte gishtin para gojës, duke e ditur se SHIK-u ishte aty afër.
Berisha dhe Gazidede ndërtuan lidhje të ngushta me CIAn. Agjencia amerikane dha pajisje përgjimi dhe trajnoi agjentët shqiptarë për teknika survejimi. “Bashkëpunim total”, ishin fjalët me të cilat e përshkroi Berisha marrëdhënien e tij me zbulimin amerikan në atë kohë. “Ata punonin në Shqipëri sikur të ishin në Nju Jork ose Uashington”.
Interesi kryesor i CIA-s ishin grupet e huaja islamike që po ngrinin celula në Shqipëri, duke përfituar nga shteti i korruptuar dhe i pakontrollueshëm. Kurse Berisha i përdori pajisjet dhe trajnimin për të mbikëqyrur kundërshtarët e tij politikë. Politikanët dhe gazetat e opozitës u mësuan me makina me ndjekës zhulanjosë, që sorollateshin rreth shtëpive të tyre.

Related

Histori 7739796287917140579

Arkivi

Kontakt

Name

Email *

Message *

STUDJESA PETROL

item