Shtatzënitë e padëshiruara, metoda e re kontraceptive deri në 5 vjet

Dispositivët intrauterinë janë një kontracepsion afatgjatë, (metoda komode që mbron gratë nga shtatzënitë e padëshiruara).  Mirena-DIU...


Dispositivët intrauterinë janë një kontracepsion afatgjatë, (metoda komode që mbron gratë nga shtatzënitë e padëshiruara). Mirena-DIU arrin të sigurojë që ditën e parë një efekt të lartë, i cili zgjat deri në 5 vjet
Flet doktore e shkencave, Mirela Rista (Mino), obstetër-gjinekologe në Spitalin Universitar Obstetrik-Gjinekologjik “Koço Gliozheni”, Tiranë
Krijimi një familjeje të madhe gjithnjë e më shumë po bëhet një fenomen në zhdukje. Çiftet që kanë një ose dy fëmijë në familjet e tyre kërkojnë të kenë marrëdhënie seksuale të mbrojtura nga ndonjë shtatzëni e papritur. Mjekët gjinekologë pohojnë se kontraceptivët afatgjatë, siç janë aparatet intrauterinë, preferohen nga këto çifte. Mirela Rista doktore e shkencave, mjeke obstetër-gjinekologe në Spitalin Universitar Obstetrik-Gjinekologjik “Koço Gliozheni” në Tiranë, shpjegon për “Mapo” metodat e reja kontraceptive afatgjata dhe sa të sigurta janë ato.
Çfarë janë kontraceptivët afatgjatë? 
Dispozitivi intrauterin (DIU) është një aparat i vogël, fleksibël, në formë T-je, që vendoset në brendësi të kavitetit uterin nga mjeku gjinekolog, duke siguruar një kontracepsion afatgjatë, reversibël dhe të sigurt.
Një nga DIU e reja, me efekt jo vetëm kontraceptiv por edhe mjekues, i prodhuar nga farmaceutika botërore, mirena  përmban një depo hormonale, e cila çliron një dozë të vogël levonorgestreli (progesteroni) në mënyrë konstante (pulsatile). Mirena-DIU arrin të sigurojë që ditën e parë një efekt kontraceptiv të lartë, i cili zgjat deri në 5 vjet, duke qenë superiore përkundrejt DIU me bakër për efektet mjekuese te progesteronit, që ajo përmban. Mirena zakonisht përdoret për kontracepsion, pra për të mbrojtur gruan nga një shtatzëni. Prania e progesteronit  te mirena i bën ciklet menstruale te gratë që e mbajnë atë, më të shkurtra e më të padhimbshme dhe nga këto përparësi mund të përfitojë çdo grua, që i vuan këto shqetësime çdo muaj gjatë menseve. Ajo është një zgjedhje e shkëlqyer për të trajtuar gratë që vuajnë nga menstruacione në sasi të shtuar dhe me dhimbje dhe njëherazi t’i ruajë ato nga shtatzënitë e padëshiruara.
Si funksionon? 
Ky lloj aparati çliron çdo ditë një dozë të vogël levonorgestreli në uterus. Efekti kontraceptiv qëndron në veprimet lokale të këtij hormoni. Mukusi cervikal trashet, kështu që spermatozoidet kanë vështirësi për të penetruar drejt vezës. Ulet edhe shpejtësia e lëvizjes së atyre spermatozoideve, që arrijnë të depërtojnë mukusin, brenda në uterus dhe në tubat ovarialë. Reduktohet trashja normale e endometriumit që formohet çdo muaj, gjë që duket në ardhjen e menseve më të lehta (sasi e pakët) dhe më të shkurta. Të gjitha këto ndryshime janë plotësisht të rikthyeshme pas heqjes së mirenës DIU. Çdo grua mund të mbetet shtatzënë pas heqjes se Mirenës, edhe brenda muajit të parë.
Sa e sigurt është? 
Mirena është një nga metodat më të sigurta të kontracepsionit, me efekt të rikthyeshëm të fertilitetit, menjëherë pas heqjes së saj. Studimet afatgjata kanë treguar se ndërmjet 1000 grave që kanë përdorur Mirena-DIU për një vit, vetëm 1-2 gra kanë ngelur shtatzënë. Menjëherë pas vendosjes se saj, gruaja është e mbrojtur nga shtatzënitë e padëshiruara.
Sa zgjat efekti i saj dhe për cilat gra është e përshtatshme? 
Ajo siguron një mbrojtje kontraceptive të sigurt për 5 vjet. Është një zgjedhje perfekte për ato gra që kanë fëmijë, të cilat kërkojnë një metodë kontraceptive afatgjatë dhe të sigurt. Meqenëse periodat bëhen më pak të dhimbshme, më të shkurtra e në sasi më të vogël, ajo sjell edhe një përfitim shëndetësor për të gjitha femrat, të cilat vuajnë nga menstruacionet e zgjatura dhe të shumta. Mirena mund të përdoret gjithashtu dhe në periudhën e laktacionit, pasi nuk ndikon në sasinë e qumështit të gjirit. Megjithëse një sasi tepër e vogël levonorgestreli mund të kalojë në qumështin e gjirit, studimet nuk kanë treguar ndonjë efekt negativ tek foshnja.
Menstruacione të pakta, më të shkurtra dhe më pak të dhimbshme? 
Mirena çliron çdo ditë në uterus një sasi minimale levonorgestreli. Përqendrimi i lartë i këtij hormoni lokalisht në uterus pengon proliferimin (trashjen) e endometriumit, prandaj endometri që do të rrezohet me ciklin menstrual mujor, është më i hollë, më i pakët, gjë që rezulton në një gjakrrjedhje shumë të lehtë ciklike menstruale. Rreth një vit pas vendosjes së Mirenës, gratë do të kenë menstruacione vetëm dy ditë në muaj.
Çfarë ndodh nëse gjatë muajve të parë vërehen “njollat hemorragjike” dhe hemorragjitë intermenstruale? 
Gjatë 3-6 muajt e parë te shumica e grave mund të shfaqen njolla hemorragjike apo hemorragji intermenstruale pas vendosjes së Mirenës, të cilat zhduken gradualisht. Ky është efekti anësor më i shpeshtë i këtij sistemi, i cili nuk është i dëmshëm nga pikëpamja mjekësore, por përbën një “bezdi”. Çdo gjë normalizohet kur trupi përshtatet me këtë ndryshim hormonal. Ky është një efekt që shfaqet dhe gjatë përdorimit të shumë metodave të tjera kontraceptive hormonale, por në shkallë të ndryshme.
Shfaqja e një hemorragjie të zgjatur në muajt e parë, është gjithashtu e zakonshme pas inserimit të një DIU-je me bakër. Por ndërsa kur vendoset DIU-ja me bakër menstruacionet në përgjithësi shtohen më shumë dhe zgjaten si dite gjate gjithë viteve që ajo qëndron e inseruar, me Mirenën ciklet menstruale bëhen më të shkurtra dhe më të lehta dhe më pak të dhimbshme.
Po nëse nuk shfaqen menstruacionet? 
Mesatarisht pas një viti, 10-20% e grave që përdorin Mirenën nuk do të kenë menstruacione. Bazuar në efektet e shpjeguara më sipër, te këto gra mukoza uterinë nuk trashet, pra rri në qetësi. Si rrjedhojë nuk ka gjak që duhet të ekskretohet në formë të periodave. Kjo gjendje mungesë e menseve gjatë mbajtjes së saj, është e përkohshme dhe nuk përbën asgjë shqetësuese. Me heqjen e Mirenës menset kthehen si më parë.
A mund të mendosh për një shtatzëni të mundshme kur mungojnë menset pas vendosjes së Mirenës? 
Gjasat për të ngelur shtatzënë pas vendosjes së Mirenës janë minimale, meqenëse Mirena është nga metodat më të sigurta të kontracepsionit. Për të qenë më të sigurta, gratë porositen që në qoftë se nuk ju vinë periodat, të bëjnë një test shtatzënie. Nuk është fare e nevojshme që të përsërisni testin e shtatzënisë me vazhdimin e mungesës së menseve. Pas inserimit të Mirenës edhe ovulacioni vazhdon si më parë, sepse Mirena vepron vetëm lokalisht, pra rrallë mund të ndodhë ndonjë shtatzëni jashtë mitre. Çdo dhimbje e fortë te gratë me Mirena duhet të konsultohet nga gjinekologu, si edhe çdo ankese subjektive, që ngjan me shenjat e një shtatzënie gjithashtu. Gjinekologu porosit çdo paciente me Mirena të vazhdoj rregullisht vizitat periodike tek ai, për të konfirmuar shëndetin e mirë të saj.
A ka ndonjë lidhje midis mungesës së menseve pas vendosjes së Mirenës dhe menopauzës?
Nëse një gruaje që ka vënë Mirena, nuk i vijnë menset e radhës, nuk do të thotë që ka hyrë në periudhën e menopauzës, përderisa funksionet e ovareve nuk preken dhe hormonet prej tyre sekretohen normalisht. Disa simptoma që shfaqen gjatë menopauzës, siç janë afshet e nxehta dhe djersitja difuze, duhet ta drejtojnë gruan me Mirena për konsulte te gjinekologu. Nuk është mungesa e menseve te gruaja me Mirena, shenja e alarmit për fillim  të menopauzës, pa patur edhe ankesat e tjera, siç i përshkruam më lart.
Nuk ekziston asnjë lloj lidhjeje midis sasisë së menstruacioneve dhe pastrimit të trupit të femrës.
Ashtu siç është shpjeguar më sipër, menstruacionet shfaqen si rrjedhojë e rënies së mukozës uterine, kur nuk ndodh implantimi i vezës së fekonduar në te. Mirena pengon vetëm proliferimin ciklik të endometrit, për këtë arsye dhe menstruacionet janë minimale ose nuk shfaqen fare. Një mekanizëm ngjashëm ndodh tek gratë gjatë shtatzënisë apo laktacionit, kur mungojnë menstruacionet.
A është jonatyrale dhe jo e shëndetshme që të mos kesh menstruacione?
Kohë më parë, para se të zbuloheshin metodat kontraceptive efektive moderne, gjëja natyrale për një grua ishte ose të ishte shtatzënë ose të ushqente fëmijën me gji gjatë gjithë viteve të riprodhimit. Menstruacionet normale ishin ngjarje tepër të rralla. Biologjikisht, frenimi i ciklit menstrual gjatë viteve për njëfarë kohe mund të jetë në fakt një gjendje shumë natyrale.
Po kur menstruacionet zgjasim shumë dhe janë në sasi të shtuar?
Një numër i madh grash, veçanërisht ato që kanë lindur dhe që kanë përdorur sterile me bakër, me kalimin e viteve vuajnë nga menstruacione të zgjatura, të dhimbshme dhe në sasi të shtuar. Menstruacionet e shumta dhe të zgjatura (menorrhagjia) është shkaku më i zakonshëm i anemisë ferrodeficitare te gratë në vendet e zhvilluara. Në vendet perëndimore, 10-15% e grave, gjatë periudhës riprodhuese vuajnë nga menorrhagjia.
Përveç ankesave fizike, si pasojë e menstruacioneve të shumta, te këto gra vihet re stres emocional, që i pengon gjatë aktivitetit të përditshëm si në punë dhe në jetën sociale. Pra menstruacionet e shkurtra apo mungesa e tyre pas vendosjes së Mirenës përbëjnë një përfitim shëndetësor dhe përmirëson cilësinë e jetës te gratë. Kjo është zgjedhja ideale për gratë që kërkojnë kontracepsion afatgjatë.

Related

Shëndet & estetikë 755835662685323584

Arkivi

Kontakt

Name

Email *

Message *

STUDJESA PETROL

item