Pushteti i BE-së në Ballkanin Perëndimor: Parashikime për 2016-ën

Nga Robert Ledger Malit të Zi i është bërë muajin e kaluar oferta për anëtarësim në NATO, duke nxitur reagim të sertë të Moskës dhe ...

Nga Robert Ledger

Malit të Zi i është bërë muajin e kaluar oferta për anëtarësim në NATO, duke nxitur reagim të sertë të Moskës dhe duke vënë në pah shqetësimet se Rusia do të mundohet të bllokojë lëvizjet e mëtejshme drejt Evropës në shtetet e tjera në Ballkanin Perëndimor. Çështja e NATO-s ka nxitur një debat të madh identiteti dhe shumëkush në Serbinë fqinje – në mënyrë të veçantë krerët fetarë – po u kërkojnë malazezëve të mbajnë referendum për anëtarësimin.
Tensionet me Rusinë, qysh e ka demonstruar edhe kriza e Ukrainës, janë të lidhura ngushtësisht me çështjen e sigurisë. Sidoqoftë Bashkimi Evropian mund t’u ofrojë shumëçka ekonomive të vendeve të rajonit. Kjo do të testohet në muajt e ardhshëm për së paku dy arsye. Serbia ka hapur së fundi dy kapitujt e parë të bisedimeve të saj për anëtarësim në BE, njëherësh kryeministri maqedonas, Nikola Gruevski – nëse i del zotë fjalëve të dhëna në marrëveshjen e verës së kaluar të ndërmjetësuar prej BE-së – do të duhej të jepte dorëheqje më 15 janar para zgjedhjeve të reja të prillit.
Serbia ka marrë zyrtarisht statusin e kandidates së BE-së më 14 dhjetor të BE-së. Ka hapur dy kapituj, me dy të tjerë që pritet të hapen në janar. Për befasinë e shumëkujt, Qeveria serbe pothuajse menjëherë ndërmori një aksion të madh kundër korrupsionit. Arrestoi 79 zyrtarë të dyshuar për korrupsion. Megjithatë, procesi i anëtarësimit do të jetë i gjatë dhe goxha i vështirë. Serbia përballet me një numër të madh pengesash të anëtarësimit, si dhe me çrrënjosjen e korrupsionit.
Këto përfshijnë edhe reformimin e financave publike dhe – më e rëndësishmja – normalizimi e marrëdhënieve me Kosovën. Tashmë ka pasur protesta gjithandej Kosovës prej opozitës së shqiptarëve etnikë kundër marrëveshjes së arritur vjet me Serbinë, si dhe për atë të demarkacionit kufitar me Malin e Zi. Komisioni Evropian do t’i monitorojë gjatë viteve të ardhshme për së afërmi zhvillimet. Lëvizjet e para kundër korrupsionit – një çështje që ka dërmuar rajonin – janë pjesë e këtij procesi. Krerët evropianë kanë lavdëruar veprimet e Serbisë për qasjen e saj ndaj çështjes së Kosovës më 2015. Më parë, karrota e anëtarësimit e BE-së kishte shtrënguar Serbinë të dorëzonte krerët ushtarakë, si Ratko Mlladiq, në tribunalin për krimet e luftës në konfliktet e viteve nëntëdhjetë në Ballkan. Mbetet të shihet se si do të ndikojnë këto reforma progresi pas nisjes së bisedimeve për anëtarësim.
Përparim i avashtë në Shkup
Më urgjente për monitoruesit e BE-së do të jenë ngjarjet që pritet të zhvillohen këtë muaj në Maqedoni. Krejt do t’i kthejnë sytë kah kryeministri Nikola Gruevski që të shohin nëse do të japë dorëheqje – më 15 janar. Derisa kriza rrezikon ta ngufat vendin, ndërmjetësuesit e BE-së kanë marrë masa që ta stabilizojnë gjendjen.
Qeveria e Gruevskit ishte akuzuar për përmasa masive të përgjimit të qytetarëve dhe për korrupsion, dhe pastaj u pajtua të kishte një periudhë të përkohshme, përfshirë krijimin e një qeverie të unitetit dhe zbatim të reformave relevante para zgjedhjeve të reja të 24 prillit të vitit 2016.
Sidoqoftë, jashtëzakonisht avash është zhvilluar procesi i miratimit të ligjeve të reja. Në mënyrë të veçantë sharra ka hasur në gozhdë kur ka ardhur puna te ligji i mediave, më shumë për shkak të kundërshtive të Komisionit Evropian. Me vetëm tre muaj të mbetur për liderin e përkohshëm për të miratuar ngutshëm reformat para zgjedhjeve, analistët rajonalë besojnë se zgjedhjet do të shtyhen për pjesën tjetër të vitit. Kushdo që e merr këtë detyrë të zorshme, e pret alamet pune.
Gruevskit i është ndarë dyshueshëm vendi i tretë i nderit në listën «Personi i vitit» në Projektin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Nëse vendi e ka ndarë mendjen që të hyjë në rrugën e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, i duhet një prijës që do të zbatojë me vendosmëri politika të reformave qeveritare dhe ekonomike. Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka parashikuar njëfarë rritjeje të moderuar ekonomike në rajon sivjet derisa vendet e Ballkanit do të përfitojnë prej projekteve evropiane, dobësimit të euros dhe uljes së çmimeve të naftës. Kjo do të sillte edhe më shumë sukses nëse nuk do të kishte kriza politike dhe korrupsion të brendshëm.
Johannes Hahn – Komisar për Politikën e Zgjerimit dhe të Fqinjësisë së BE-së – do ta vizitojë gjatë këtij muaji Shkupin. Varësisht se çfarë përparimi do të shënojë situata në Maqedoni, do të matet fuqia ose dobësia e BE-së në rajon. Shumëkush beson se shtytësi i përnjëmendtë i ndryshimit proevropian në Ballkanin Perëndimor jeton në Berlin, e jo në Bruksel. Angela Merkel duhet të ndajë pak kohë në agjendën e saj të stërngarkuar për të bërë një vizitë tjetër në këtë pjesë ende të paqëndrueshme të Evropës Juglindore.
(«Globalriskinsights.com». Autori është analist politik i marrëdhënieve evropiane, me fokus të veçantë të atyre në rajonet e Ballkanit dhe Kaukazit. Ai ka mbrojtur tezën e masterit në Marrëdhënie Ndërkombëtare në Universitetin e Brunelit dhe po ndjek studimet e doktoratës në Universitetin e Mbretëreshës Mary në Londër.)

Related

Top Lajm 935621286718086865

Arkivi

Kontakt

Name

Email *

Message *

STUDJESA PETROL

item