Politika e Tiranës krejt e ftohtë për Kosovën

Nga Ben Andoni Ajo që ka bërë më shumë përshtypje në Tiranë për protestën e fundjavës në Kosovë nuk ishte thjesht pjesëmarrja, parul...

Nga Ben Andoni

Ajo që ka bërë më shumë përshtypje në Tiranë për protestën e fundjavës në Kosovë nuk ishte thjesht pjesëmarrja, parullat, por performimi i individëve, mjetet e përdorura, akuzat e ndërsjella dhe lloji i zjarrit! Kjo, pasi politika e Tiranës ka qenë krejt e heshtur për të mos thënë indiferente për atë që ndodhi në Kosovë. Veç mesazheve të ftohta dhe indirekte për vetëpërmbajtje, Tirana vazhdon me politikën e saj të jo-paternalitetit. Që në fakt, është e justifikuar deri diku, pasi Kosova është një vend i pavarur me institucionet e saj dhe në udhën e integrimit evropian, njësoj si Shqipëria dhe të gjitha vendet e rajonit. Kuptohet, jo në të njëjtën shkallë me to, por në një udhë që duket e pakthim.
Anipse, të mjaftojnë të dëgjosh parullat e opozitës kosovare për Shqipërinë dhe të ardhmen e të dy vendeve tona, që detyrimisht duhet ta bëjnë Tiranën zyrtare, por edhe Opozitën e saj të jenë jo thjesht fleksible dhe t’i shfrytëzojnë për elektorat, si kanë zgjedhur shpesh ta bëjnë, por të kontribuojnë realisht në zgjidhje. Kjo, për hir të së vërtetës, mungon krejtësisht.
Për fat të keq, qeveria aktuale në Kosovë, megjithë mesazhet që ka marrë nga mbledhja e firmave për Demarkacionin dhe Zajednicën, nuk po hap udhë bisedimi me Opozitën e saj, ku të mund të gjendet shtegu i qetësimit në Kosovë. E më shumë se kaq ka krijuar dhe tensione artificiale me Tiranën. Të mos harrojmë reagimin e kryeministrit Mustafa ndaj prononcimit të Ministres shqiptare të Mbrojtjes dhe të gjithë qerthullin në Kosovë, që shoqëron çdo gjë që bën Tirana. Dy qeveritë shqiptare, deri më sot, u ka mbetur te krenohen thjesht me foton e mrekullueshme të përbashkët që bënë në Tiranë, por asfare me punën e përbashkët, që duhet thënë se deri më tani nuk ka dhënë fare impaktin e duhur.
Nëse mendonim se Shqipëria dhe Kosova do të afroheshin shumë më afër në të ardhmen, po ndodh që gjithnjë e më shumë na mungon konstruktiviteti i lidhjes dhe respektimi i thellë i ndërsjellë, që vjen me shfaqje reale. Ato duhet të shtriheshin që nga lehtësimet në doganat respektive; rritjen e tregtisë, që çuditërisht lë për të dëshiruar; studimet e përbashkëta albanologjike; problemet e diplomave, por mbi të gjitha vëmendjen e sinqertë për njëra-tjetrën.
Nga ana tjetër, ndryshe nga politika, media e Tiranës dhe e gjithë Shqipërisë në fundjavë ka qenë me transmetime live për Kosovën, duke treguar se shqiptarët e thjeshtë jo vetëm s’janë indiferentë për ngjarjet por duan të dinë çdo gjë për Kosovën dhe njerëzit e tyre, teksa politikanët bëjnë retorika patriotike, apo hoka dhe qesëndi njëri-tjetrit nëpër emisione apo më shumë se kaq vazhdojnë të na shesin takime shterpë sikur gjërat po lëvizin. Ndaj, mediat, në mungesë të qëndrime politike të Tiranës, janë marrë jo pak pas informimit dhe me individët dhe atë që s’përbënte tamam qëllimin e protestave në Kosovë.

Related

Opinione 2538995693445821850

Arkivi

Kontakt

Name

Email *

Message *

STUDJESA PETROL

item