Poezia rock e viteve ’90: Tirana e “horrave” të ‘91-shit

Nga Elis Buba T ej dritares është ngrohtë, njerëz janë ulur në tavolina, qyteti nis e del prej vetes, në rrugë bredhin klube e makin...

Nga Elis Buba

Tej dritares është ngrohtë, njerëz janë ulur në tavolina, qyteti nis e del prej vetes, në rrugë bredhin klube e makina… Kur rikthej ndërmend atë periudhë, nuk ka asnjë varg tjetër që ripërtyp, para atyre të këngës “Dëshirë dhe heshtje” nga grupi Ritfolk. Atmosferën e vërtetë të buzëmbrëmjeve pranverore të viteve ’90, në atë Tiranën si të dalë nga lufta, nga një pushtim dhjetravjeçar, e gjen vetëm në ato pak vargje vërtet të ndjera, të penës së poetit Ervin Hatibi. Më vjen vërtet keq, që rrjedha e ëmbël poetike, melodia e jashtëzakonshme e kulmuar me një lirizëm virtuoz nuk gjendet më askund në muzikën rock. Gjithsesi më vjen mirë që vendi ynë ka pasur Beatles-at e tij të vegjël. Ata petroninsat e hershëm që dikur i gjeje të gjithë tek “Parku i dhimbjeve” (Parku Rinia, i pagëzuar kështu nga grupi) duke pirë ndonjë gotë e duke ëndërruar me kitara ndër duar.
Ritfolk kanë qenë askush më pak se Altin Goci, Sajmir Braho, Blendi Dafa, Aleks Mazniku, Elinor Butka, Artan Lokja dhe Enris Qinami. Në festivalin e dhjetorit të vitit 1991 u vlerësuan si grupi më i mirë. Bashpunimi i tyre finalizoi në albumin e parë dhe të vetëm “Drejt fatit tim”. Në ’97-ën famkeqe grupi shpërbëhet. Gjithsesi duke lënë pas një trashëgimi të shkëlqyer këngësh legjendë tashmë, si “Drejt fatit tim”, “Ëndërroj”, “Dëshirë dhe heshtje”, “Hija”, “Cilët jemi”, “Ndjenjë e dashuruar”, etj. Refreni i këngës thotë; …harroemi në brigje prekjesh, në këngë vetëtimash, në dete të artë buzëqeshjesh, ecim mbi perla vargjesh, në majat e lira, ku vetëm një zë është dëgjuar, hej… hej jam dashuruar… më pas tingujt e shtruar të një harmonike të shpien përdore në përfytyrime përgjatë disa hallkave shqisore krejt të panjohura.
Rruga me erë e quajtëm ne, se flokët na i shpurpuriste shpesh… rruga me erë një grup hijesh ish, nga stilografi im, por unë në të ecja kejt i qetë i sikurt sa më s’kish… Këto janë dy fjalë të shkëputura nga kënga e grupit Arb “Rruga me fllad kujtimesh”. Kthesa e parë në rrugën e zhvillimit të muzikës dhe poezisë së vërtetë e të kultivuar lirisht, pas një gjysëm shekulli ngecje në vend, erdhi në vitin e stuhishëm 1991, i cili nga njëra anë shënoi shkëputjen nga totalitarizmi dhe boshti i famshëm ideologjik, që duhet të gjendej në ç’do krijim artistik e nga ana tjetër dëshmoi për kapacitetet e pacikshme krijuese tek të rinjtë. Konkretisht tek Arb gjejmë Redon Makashin, Bledar Sejkon, Roland Fushën e Mit’at Laron, pjestarët e tjerë kanë qenë në varësi të shfaqeve. “Rruga me fllad kujtimesh” do mbetet për shumë vjet himni i rrugës që kalon nga kryeministria, tek Radio-Televizioni Shqiptar e në fund tek Liceu Artistik “Jordan Misja”. Ajo quhej rruga e liceut edhe tani për disa ende ashtu quhet, është blatuar në kujtesën e brezave, me anë të vargjeve të këngës së kant-autorit Makashi.
Në vitet e para të pluralizmit, emigrimi në shkallë të gjerë i shqipëtarëve kishte zbuluar një destinacion tjetër mendor, për të gjithë, e sidomos për ata me një ndjenjë të lartë e me një formin e frymëzim të spikatur artistik: Europën. Tingulli Zjarrtë, një ndër grupet më të hershme e ndër grupet e para që ka formuar kant-autori Elton Deda, e solli këtë dëshirë që kishte mbushur rrugët e qytetit, në vargjet e thjeshta të një kënge të madhe “Jemi emri i vetë jetës”. Fryma e qëndresës karshi ç’do shfaqeje diktatoriale, karshi ç’do gjurme të sistemit të përmbysur, edhe sot gjendet në mendësinë e shqipërisë moderne…E duam jetën ndaj na lini të jetojmë…thotë kënga legjendë “Na lini të jetojmë” e grupit në fjalë.
Pak kohë pas suksesit me Tingulli Zjarrtë, Elton Deda bashkohet me artistë të tjerë, shumë në zë sot, si Bledar Sejko (kitarë), Mit’at Laro (basist), Roland Fusha (baterist), Alban Laro (organo) dhe Artan Xheladini (kitarë), për të formuar atë që legjenda e njohu si grupi Thunderway. Të etur për një shkundje të tërësishme të mendjes dhe trupit nga mbeturinat e totalitarizmit 50 vjeçar e mjedisit cinik të politikës mashtruese të organizuar nga një sistem autokratik, Thunderwayashpërsuan nonat dhe tonet e teksteve qenë një rebelim ndaj një shoqërie me portret primitiv ku e reja është ende e huaj. “The Order Executors” është albumi i vetëm, dalë nga duart e këtij grupi dhe vetë titulli është një metaforë groteske ndaj të gjithë të nënshtruarve dhe nënshtruesve që përmes atmosferës intrigante e mesjetare kanë përvijuar dhunën e verbër enveriste. Ky është fati im, ky është realiteti im, nuk ka gjë tjetër për tu provuar, pres momentin e vdekjesKam frikë kur rrëfej ëndrrat e mija, teksa këshillohem me gënjeshtarë, vallë a i ndjej iluzionet e mija… nga kënga “Nothing else to try” një nga trillet më epike të grupit. Tekstet e këtij albumi janë në anglisht, pasi mendësia që qarkullonte asokohe ishte se gjuha angleze i përshtatet shprehimisht më mirë ritmeve metal.
Një tjetër band që e mendonte po kështu sa i takon teksteve, qe The Fish Hook, i Bojken Lakos e Heldi Krajës dhe Redi Hasës, të cilët në vitin 1993 përfunduan së regjistruari në Maqedoni albumin e tyre të parë “King of beers”. Po ajo periudhë e historisë shqiptare është trajtuar dhe përbën sfondin alegorik të 10 këngëve të përfshira në të. Poezia ka zënë kurdoherë kryet e vendit në rock-un shqiptar. Një nga mospërputhjet më të dukshme sa i takon rinisë shqiptare, ka qenë mjedisi i shterpë nga lexuesit, që gjente një poezi në zhvillim të vrullshëm. Gjetja jashtzakonisht e vonë dhe e ngadalshme, ka qenë pikërisht tejçimi i një mesazhi artistik, me anë të muzikës, që në njëfarë mënyre është e vetlexueshme. …Provo të bëhesh rebel, kur askush nuk të shikon, përpiqu të bërtasësh, edhe pse me një plumb mbi gjuhë… “Bullet In Your Tongue”. Flet për shtirjen organike që pësojnë mendjet në përsosje e sipër. Jo gjithçka është për transmetim, jo ç’do vepër bëhet për sytë e të tjerëve, aq më tepër rebelimi. Këtë album e sidomos këngën në fjalë e pushtojnë meloditë e rock-ut psikodelik. Pra këtu kemi të bëjmë me një evolucion cilësor. Tashmë nuk kopjohen shabllone perëndimore, por eksperimentohet në zhanre ku edhe muzikantët botëror më në zë, ende pluskojnë në terrene eksperimentale.
Jo ti s’flet, ndoshta s’dëgjon, por jeton si ç’do njeri. Ti që ecën që krijon, vall pse heshtesh përjetësisht… “Ti Botë e Heshtur” nga grupi MHZ ose Megaherz i themeluar në 1988 nga antarët e grupit të mëvonshëm ThunderWay, është himni i vogël, po shumë kuptimplotë, kushtuar një studenteje shurdh-memece, në fakultetin e pikturës në akademinë e arteve të bukura në Tiranë. Mosdallimi i muzikës nga jeta, u shndërrua në një traditë përsosëse të kulturës e të vargjeve.
Një tjetër poezi vërtet e kultivuar është “Anija plakë” e Aleksandër Gjokës që nuk mund të qëndrojë larg përfilljes së kritikëve letrar. …në port s’e futën hijen time, e lanë në breg me sytë pa jetë, me shpresën kripur nga dallgët, me shpresën e madhe det… Nëse dikush pandeh se kjo është një tjetër nuance e këngeve të kurbetit dhe kaq, është masivisht gabim. Gjuha e poezisë nuk mund të jetë kurrë e njësuar. Ajo që kupton sot nga një poezi, mund të ndryshoje e të pasurohet ose të varfërohet nesër. Thelbi filozofik jo vetëm i kësaj poezie, të cilën Gjoka e reciton mjeshtërisht me anë të zërit të tij pa të dytë, por edhe i poezive të tjera, nuk është amorf. Ka vlerë që mëtejsohet.
Ndodhi dy dekada më vonë se në vendet e tjera perëndimore, por edhe Tirana e pati rock-revolutionin e saj jetëshkurtër të fillim-viteve ’90. Më të mirët e atyre djemve të vegjël me flokë të gjata, të atyre kohëve janë artista famozë në ditët e sotme. Të tjerët u shndërruan në “Brez i djegur” sipas vargjeve të këngës së grupit Centaur, të Gent Pjetrit, Nertan Mollës, Fabian Asllanit etj. Në atë park në qendër të Tiranës, që nuk e di a mban më emrin “Rinia” duhet të gjendej një përmendore kushtuar atyre që ju bënë vllezër njëri-tjetrit, pa kurrfarë përfitimi, në emër të krijimtarisë artistike. Aty në qendër të katrahurës shqiptare.
Postbllok.com

Related

Kultura 3899891090225540609

Arkivi

Kontakt

Name

Email *

Message *

STUDJESA PETROL

item