Një vit enigmatik

PREÇ ZOGAJ Si do të jetë viti 2016? Çfarë pritet të ndodhë? Çfarë mund të ndodhë? Këto janë pyetjet e ditës në rrafshin makropolit...

PREÇ ZOGAJ

Si do të jetë viti 2016? Çfarë pritet të ndodhë? Çfarë mund të ndodhë? Këto janë pyetjet e ditës në rrafshin makropolitik. Që kësaj radhe  nuk bëhen vetëm për zakon, si çdo fillimviti, kur gjithkush harxhon pak minuta të shohë yjet.
Ato kanë edhe ngarkesën e një pritshmërie të veçantë, që ka të bëjë me efektet politike të gjendjes ekonomike, të reformës në Drejtësi, të protestave të opozitës, të zhvillimeve plot të panjohura në kampin qeveritar dhe opozitar, të vendosmërisë së SHBA-ve për të mbyllur kapitullin e pandëshkueshmërisë dhe hapur kapitullin e sundimit të vërtetë të ligjit në vendin e vogël mik, siç është Shqipëria.
Pra janë të gjitha premisat për të pritur diçka të pazakontë, për të mos thënë të jashtëzakonshme, siç janë për shembull fillimi i goditjes ligjore të oligarkëve në zemër të pasurisë së tyre korruptive dhe kriminale, apo zgjedhjet e parakohshme me një qeveri teknike. Mjedisi publik është ngarkuar jo pak me këto pritshmëri, që dikush i referon si dëshira, shumica si domosdoshmëri dhe një pakicë si ndëshkim.
Është e njohur sentenca se ngjarjet në politikë zbulohen duke ndodhur. Parashikimi është kurdoherë një mundësi, që mund të përgënjeshtrohet nga lloj-lloj rrethanash dhe arsyesh. Në këtë kontekst, viti 2016 është gjithashtu një vit enigmatik, kur mund të ndodhë gjithçka, por mund të mos ndodhë asgjë. Për “asgjënë” nuk ka vlerë të flitet. Ka vlerë të flitet për zhvillime të mundshme, duke u mbështetur te premisat e lartpërmendura.
Ekonomia është premisa e parë. Me një ekonomi në përmirësim, Qeveria dhe Kryeministri Rama do të kishin luksin të vazhdonin pa shumë vështirësi qeverisjen e tyre, duke reklamuar shtetformimin dhe duke shijuar varavingot e kushtueshme sa në një cep të planetit në tjetrin. Po t’i ndihë ekonomia, nuk përjashtohet mundësia t’i bëjnë një karshillëk akoma më të dukshëm SHBA-ve dhe BE-së për reformën në Drejtësi sipas standardeve të Venecias, duke reklamuar në këtë rast vetëvendosjen.
Por është vetë qeverisja, oligarkike në thelbin e saj, që e përjashton përmirësimin dhe suksesin ekomomik. Nuk ka asnjë shenjë se ekonomia do të përmirësohet. Përkundrazi. Qeveria do të vijojë të rendë pas përputhjes së parashikimeve me faktet, duke ulur planin e të ardhurave e duke shkurtuar investimet, çfarë përkthehet si rënie e mëtejshme.
Ekonomia nuk e ka përshëndetur e nuk e ka ndjekur asnjë çast qeverinë e Edi Ramës. Kjo marrëdhënie ka lindur armiqësore e do të vijojë e tillë deri në fund për arsye se Rama ka shkelur ligjin e parë, atë të respektit. Rama është ofruar me mendësinë shëlbuese të atij që vjen nga Olimpi për të vënë sipërmarrjen në vijë, në rresht, sikur e ka kapur në gabim dhe në faj.
Kjo është fatale në ekonominë e tregut. Ekonomia hakmerret. Në sistemin e ekonomisë së tregut, liria dhe ligji janë një duet që vallëzojnë së bashku, ku sipas rrethanave, rolin e kavalierit e ka herë liria, herë ligji, por më shpesh liria. Këtu është sekreti, këtu e bën diferencën talenti dhe aftësia e drejtuesit: të ruajë në dinamikë raportin efektiv mes lirisë dhe ligjit. Po të ishte me dajak, po të ishte kaq e thjeshtë, s’do të kishte nevojë për talente, për dije, për nobelistë, për profesorë.
Mjaftonin nallbanët. Përvoja e këtyre dy vjetëve e gjysmë ka treguar se në konceptin e Ramës liria është një mjerane për t’u marrë zvarrë. Këtu është vija e kuqe e ngërçit ekonomik që ai nuk e kalon dot. Modeli i tij kërkon të pajtojë suksesin e sforcuar me korrupsionin. Kjo është e pamundur, ky model nuk bën gjë tjetër veçse ha vetveten si një piramidë.
Ekonomia rezervon ditë akoma më të vështira për vitin 2016, çfarë do ta rëndojë shumicën dërrmuese të familjeve dhe sipërmarrjeve, por nga ana tjetër, do të sjellë më afër në skenë skenarët e zhvillimeve të reja politike. A do të ketë zgjedhje të parakohshme? Ky është basti i vitit, që ngërthen në një nyje të vetme përkeqësimin ekonomik, reagimin popullor, reformën në Drejtësi dhe marrëdhëniet brenda koalicionit.
Në qoftë se një masë kompakte gjithnjë e më e madhe njerëzish pa dallime politike përqafojnë dhe dalin në sheshet e protestës për zgjidhjen që ka propozuar opozita dhe shefi i saj Basha, qeveria teknike dhe zgjedhjet e reja janë të pashmangshme. Nuk mund të ketë qeveri që nuk i numëron me saktësi, për hesapin e saj, njerëzit që dalin në protesta apo që përfshihen në aktet e mosbindjes civile.
Qeverisja nuk mund të shkojë në punë dhe nuk mund vazhdojë, kur qytetarët zgjedhin si punë të parë protestën. Në këtë skenar, zgjedhjet e reja do të diktohen dhe do vijnë nga vetë qytetarët. Opozita do të kapitalizojë politikisht këtë arritje, duke qenë se e ka propozuar dhe udhëhequr. Në një skenar tjetër, zgjedhjet e reja mund të vijnë jo nga sheshet, por nga pallatet e politikës në përgjigje të ecurisë së reformës në Drejtësi apo edhe duke kërkuar pretekste parimore.
Kryeministri Rama besoj se vazhdon ta përkëdhelë gjithnjë këtë skenar, duke qenë se sa më shumë ta zgjasë me qeverisjen e tij të bllokuar, aq më të rëndë do ta këtë humbjen në zgjedhjet e vitit 2017. Rama me partinë e tij janë të vetmit që humbin e do të vazhdojnë të humbin çdo ditë nga qeverisja, kështu siç është. Në qoftë se Rama ka akoma ambicie për të qëndruar e vazhduar në politikë, ai do të kërkojë momentin më të leverdishëm për të provokuar një krizë qeveritare dhe për të shpikur një fabul të re politike.
Në qoftë se ambiciet e tij janë tkurrur në suazën e një udhëtari që dëshiron të vizitojë sa më shumë vende të pashkelura të botës, Rama do të jetë në dorë të ngjarjeve që do të zhvillohen pa të. Aleatin më të sigurt për të çuar në fund mandatin kryeministror si turist dhe hedonist ka përcaktimin kushtetues të kohëzgjatjes katërvjeçare të qeverisjes. Ka edhe Ilir Metën, i cili e ka në interesin e tij ta mbyllë mandatin në qeveri me Ramën, pasi shkon me mendimin se nuk paguan kosto për keqqeverisjen. Koston e paguan Rama. Meta merr vetëm benefitet.
Situata brenda shumicës, ku qeveris sekush në çifligjet e veta, është plot me rebuse. I madhi duket më i dobët se i vogli. Mëdyshjet meskine, të maskuara si alergji intelektuale, e pengojnë të veprojë. Në fakt, zgjedhjet e parakohshme janë si një kimerë që u rri mbi kokë të gjithë aktorëve politikë kryesorë në vend. Meta nuk i do. Ramës i interesojnë, por s’di si t’ia bëjë. Historia zhvillohet në shtatë minuta, thotë Stejfan Cjavg, duke shkruar për vonesën shtatëminuteshe të një gjenerali të Bonapartit që i kushtoi humbjen këtij të fundit.
Rama e humbi vitin e kaluar shtatëminutëshin e parë, kur u kap në tundimin për të hequr qafe Metën me skandalin “Dia”, por u tremb. Një shtatëminutësh i dytë mund t’i rezervohet nga fundi i pranverës dhe duhet parë si do të veprojë. Basha dhe opozita nga krahu tjetër i kanë në favor zgjedhjet e parakohshme, sidomos po të diktohen nga qytetarët.
Por edhe po të provokohen nga brenda shumicës qeveritare, në favor i kanë. Duke formuluar e shtruar për mbështetje popullore qysh në muajin dhjetor zgjidhjen-qeveri teknike dhe zgjedhje të parakohshme- Basha e ka siguruar deri në fund veprimin politik të opozitës nga rreziku i befasive dhe pazareve që nuk mungojnë asnjëherë në kulisat politike.
Po reforma në Drejtësi? Po roli i SHBA-ve që ka marrë përsipër të ketë bashkautorësinë në këtë reformë dhe të angazhohet për zbatimin e saj? E fokusuar në gangrenën numër një të vendit të vogël aleat, që është korrupsioni shumë i lartë në sistemin e drejtësisë dhe në politikë, SHBA ka pak gjasa ta shohë në këtë fazë afrontimin e kësaj plage përmes zgjedhjeve apo të miratojë shkuarjen në zgjedhje me këtë status quo njerëzish, partish dhe oreksesh politike.
Në fillim pastrimi, pastaj zgjedhjet, mund të jetë receta amerikane. E cila nuk i konforton lojtarët e kulisave politike shqiptare. Punë e madhe! Viti 2016 ka trokitur me pritshmërinë e një “viti amerikan” në kuptimin e prerjes së nyjës gordiane të korrupsionit në sistem. Në qoftë se kjo ndodh- dhe duhet të ndodhë- i kemi fituar të gjitha: edhe zgjedhjet, edhe të ardhmen.

Related

Opinione 1984950172494890125

Arkivi

Kontakt

Name

Email *

Message *

STUDJESA PETROL

item