Një patriot i patjetërsueshëm

Nga Karl-Markus Gauss* I lindur më 28 janar 1936 në Gjirokastër në jug të Shqipërisë, Ismail Kadare është njëri prej tregimtarëv...

Nga Karl-Markus Gauss*

I lindur më 28 janar 1936 në Gjirokastër në jug të Shqipërisë, Ismail Kadare është njëri prej tregimtarëve më të mëdhenj europian. Në veprën e tij shumëvëllimore, polifonike ai ka gjurmuar një botë të panjohur, të fshehur pas mureve, miteve dhe paragjykimeve dhe e ka futur Shqipërinë në letërsinë botërore.
Romanet e tij lavdërojnë krenarinë e shqiptarëve, durimin e një populli të vogël, i cili gjatë historisë së tij disa herë ishte i kërcënuar nga shfarosja dhe të cilin ai (Ismail Kadare) me një rast e ka quajtur «kombi më kryengritës i të gjitha kombeve».
Në romanin e tij tërheqës historik «Kamarja e turpit», i cili bën fjalë për një revoltë kundër sundimit shekullor të osmanëve, madje thuhet: «Fryma e rebelimit ishte aq gjithëpërfshirëshe dhe e pandryshueshme si klima e vendit».
Ismail Kadare është një autor pahamendshëm patriotik, i cili me mjetet e letërsisë moderne rimerr një mision të lashtë të epikës dhe dëshiron ta vazhdojë atë. Ai synon t’i dizajnojë në imazh letrar çështjet e mëdha të mbijetesës së fisit, kombit – dhe si interpretues, si stimulues i identitetit tenton që ato të ndikojnë në kolektivitet.
Kundërthënëse është përpjekja e tij që duke përdorur forma moderne të stilit ta përthekojë identitetin e ardhur nga historia të kombit të tij, madje edhe për ta glorifikuar pathyeshmërinë e tij përballë fuqive të mëdha të kohërave dhe sistemeve të ndryshme.
Magji dhe realizëm
Natyrisht kundërthënës është edhe realiteti i atij vendi, kronikën e të cilit nëpër shekuj Kadare përpiqet ta shkruajë. Aty ekzistojnë botëra të huaja shumë afër njëra-tjetrësh, aty përplasen mes vete, shpesh brenda të njëjtës familje, bile edhe në shpirtin e një njeriu të vetëm, komunizmi dhe besimi në mrekulli, e drejta laike dhe kodi i nderit, ateizmi i urdhëruar nga shteti dhe sensi islamik i jetës.
Që Kadare shpesh i bashkon magjinë dhe realitetin nuk ka të bëjë vetëm me karakterin dhe talentin e tij artistik, por edhe me atdheun e tij, të cilit ai me fuqi kreative deri në moshë të shtyrë dhe qe gati 60 vjet i kushton libër pas libri. Nga magjia dhe realizmi janë ndërtuar romane madhështore si «Kronikë në gur», i cili më 1971 është botuar në shqip dhe më vonë është sjellë në gjermanisht nga Joachim Röhm, te i cili Kadare ka gjetur një përkthyes që është edhe njohës i vendit, edhe elokuent. Në këtë vepër mjeshtërore ngjarjet e tmerrshme, ndërrimi i pushtuesve në një qytet gjatë Luftës së Dytë Botërore, shihen dhe interpretohen nga prizmi i një fëmije, i cili i keqkupton disa kontekste të botës së të rriturve, të tjerat, ndërkaq, i përjeton në mënyrë më intensive dhe vazhdimisht duhet të përpiqet që shenjat e luftës, me të cilat ndeshet, t’i integrojë në botëkuptimin e tij magjik.
Shumë romane të Kadaresë syzheun e tyre historik e kanë në epokën kur Shqipëria ishte një krahinë e nënshtruar osmane, por kurrë e paqësuar tamam. Burokracia bizare e osmanëve, despotia githkund e pranishme, rrjeti i gjerë i spiunazhit, misteri i pushtetit herë shpërblyes, herë ndëshkues – të gjitha këto që ai ia ngarkon sundimit osman, Kadare në mënyrë të koduar i ka thënë mbase si kritikë edhe kundër stalinizmit shqiptar. Fakti që ai në një shtet ku poetë si Visar Zhiti për një poezi të vetme me vite të tëra u mbajt në burg, nuk u shqua si hero i rezistencës, atij mund t’ia zë për të madhe ai që nga distanca e sigurt me dëshirë rrah gjoks mbi epërsinë morale. Edhe fakti që në disa romane ai ka lavdëruar rrugën e veçantë të Shqipërisë komuniste, nuk flet gjithanshëm kundër tij.
Piktura epike kolosale «Dimri i madh», e cila më 1977 e lartëson vendimin me pasoja të Partisë Komuniste të Shqipërisë që më mirë të zgjidhet izolimi politik nga bota se sa të pranohet tutela e Bashkimit Sovjetik, është më shumë lëvdatë për sovranitetin kombëtar se sa për stalinizmin.
Natyrisht jo vetëm në këtë roman gjenden miniatura, të cilat e glorifikojnë diktatorin Enver Hoxha në sfera të mbinatyrshme dhe e veshin atë me figurën legjendare të Skënderbeut, kryengritësit të përjetshëm nga shekulli i 15-të.
Problematike është që Kadare post festum as që deshi të dinte më për të gjitha këto dhe më vonë librave të tij u dha atribute me prirje antikomuniste, gjë që ato nuk ishin në asnjë mënyrë. Në shkresën e çuditshme «Pranvera shqiptare» ai më 1991, pas rrëzimit të regjimit, u përpoq ta stilizojë veten madje si disidentin më të madh dhe armikun më të rrezikshëm të Enver Hoxhës, për kultin e të cilit ai kishte dhënë jo pak kontribut.
Nganjëherë në ngushtësi nacionaliste
Për të lideri bizar, i cili urdhëroi vrsajen e mijëra njerëzve, gati gjatë gjithë kohës ishte personaliteti meritor historik, gjatë viteve të sundmit të të cilit Shqipëria u bë komb, në ekzistencën e të cilit nuk ka dyshim më askush, dhe një shtet, sovranitetin e të cilit nuk e konteston askush. Patriotizmi i tij e ka çuar Kadarenë nganjëherë në ngushtësi nacionaliste dhe në sulme të ashpra kundër fqinjve sllavë, sidomos serbëve. Qëmoti ai me këmbëngulje thotë se pikërisht shqiptarët na qenkan i vetmi komb i lashtë europian i Ballkanit.
Kjo e ka bërë atë viteve të fundit kritik të pakompromis të ideologjisë neoosmane, me të cilën Turqia së fundi po tenton që sundimin e dhunshëm osman në Ballkan ta falsifikojë dhe shndërrojë në epokë të artë, gjë që është kundër çdo realiteti.
Rangu artistik i Ismail Kadaresë është i pamohueshëm, si autor i veprave të shumta grandioze atij i takojnë të gjitha dekoratat dhe çmimet, të cilat ekzistojnë për shkrimtarët. Fakti që nuk e ka fituar atë çmimin të cilin e jep Stokholmi, mbase është faji i atyre që patjetër dëshironin t’i ndihmonin ta merrte atë: në mënyrë tepër të theksuar Shqipëria komuniste dhe postkomuniste kanë bërë të ditur se Çmimi Nobel për Kadarenë është tamam çështje shtetërore, një mirënjohje që është dashur t’i jepet qëmoti jo vetëm një shkrimtari të madh, por edhe shtetit dhe kombit. (-lli)
*”Süddeutsche Zeitung”

Related

Kultura 7487083532702565689

Arkivi

Kontakt

Name

Email *

Message *

STUDJESA PETROL

item