NJË ÇEREKSHEKULLI FRYMËZIM, SH.B. “LOGOS A” SHËNON 25 VJETORIN (VIDEO)

Në atmosferë festive, Shtëpia Botuese “Logos A”, ka shënuar 25 vjetorin e themelimit. Në prani të publicistëve dhe bashkëpunëtorëve t...


Në atmosferë festive, Shtëpia Botuese “Logos A”, ka shënuar 25 vjetorin e themelimit. Në prani të publicistëve dhe bashkëpunëtorëve të njohur, akademikëve, profesorëve, studentëve dhe miqve të librit, u prezantuan të arriturat e kësaj shtëpie botuese, e cila deri më tani ka shtypur gjithsej rreth 8 milion kopje të rreth 1000 titujve të ndryshëm. Në fjalën e tij të rastit, akademiku Ali Aliu përgëzoi Shtëpinë Botuese “Logos A” për kontributin në sferën e letërsisë, në një hapësirë që sipas tij, konceptohet si e margjinalizuar.
“Në Shkup, që këto ditë nuk i është ndarë mjegulla, do të thosha edhe mjegulla metaforë, në të gjitha kuptimet, edhe politike, shoqërorë, sociale.. Ja dikush në këtë mjedis kujdeset për të promovuar vlera shpirtërore”, theksoi akademiku Ali Aliu.
“Kjo kolonë e veprave është edhe një mesazh edhe për shkrimtarët e rinj edhe për shkrimtarët e tjerë që nuk janë të përfshirë, jo se janë më pak të vlefshëm, por fakti që duhej të përmbyllej ajo, dhe që të kemi arsye të bëjmë një kolonë tjetër në të ardhmen. Shtëpia Botuese ‘Logos A’ i bie të jetë një miniaturë, një ministri e kulturës shqiptare në Maqedoni”, theksoi Zeqirija Ibrahimi nga “Logos A”.
Ndërkohë, akademiku Milazim Krasniqi, tha se Shkupi në memorien e shqiptarëve mbetet si kryeqendra e dikurshme e Dardanisë, dhe se Shtëpia Botuese “Logos A” kontribuon në rikthimin e shkëlqimin e dikurshëm.
“’Logos A’ është njëri nga tregimet më të suksesshme të shqiptarëve të Maqedonisë në këndin kulturor. Është një referencë në botën kulturore shqiptare sot. Ndoshta është pikërisht ky gjen shqiptar që nuk ka reshtur së prodhuari vlera që i ka prodhuar edhe ‘Logos A’ dhe këta shkrimtarë që ndonëse edhe në shtetin në të cilin jetojnë, kanë qenë realisht të diskriminuar”, theksoi shkrimtari Milazim Krasniqi.
“8 milion kopje librash është një ngjarje e lakmueshme edhe për botuesit më të mëdhenj në botë. Kam përshtypjen se ‘Logos A’ ka mundur të bashkojë këtë energji që e kemi ne, por që nuk është koherente, që është e hedhur kudo nga pak. Mirëpo, ka treguar një fuqi dhe rezultatet janë evidente sot”, tha gjatë fjalës së tij, akademiku Luan Starova.
Me rastin e 25 vjetorit të themelimit të saj, Shtëpisë Botuese “Logos-A” ka bërë edhe promovimine 12 vëllimeve të shkrimtarëve shqiptarë nga Maqedonia, të titulluar “Letërsia shqipe në Maqedoni”.Dymbëdhjetë titujt e botuar janë: “Librat e Babait” – Luan Starova, “Lypsiqarët e Shkupit” – Kim Mehmeti, “Një natë sa një jetë” – Salajdin Salihu, “Trishtimi i Milingonave” – Rexhep Zllatku, “Dhoma pa Derën Dalëse” – Lindita Ahmeti, “Portret pa Fytyrë” – Shkëlzen Halimi, “Heronjtë e Heshtur” – Halil Zendeli, “Vetullholla e Kobshme” – Xhabir Ahmeti, “Zjarri që ha dhe pi veten” – Nehas Sopaj, “Dashuria e Kapitenit” – Resul Shabani, “Balsami i Pritjes” – Avni Halimi, “Vetmi e Varur si numër në portë” – Lulëzim Haziri.
Abdulla Berisha /SHENJA/


Një çerekshekulli frymëzim, SH.B... by tvshenjaofficial

Related

Kultura 5053018182304245687

Arkivi

Kontakt

Name

Email *

Message *

STUDJESA PETROL

item