Mehmet Kraja: Kadare ktheu në personazhe Esat Mekulin dhe Azem Shkrelin

Çifti Teuta dhe Martin Shkreli asociativisht përfshijnë çiftin Sahadete dhe Esad Mekuli. Përmes mbiemrit, gjithashtu korrespondojnë edhe m...

Çifti Teuta dhe Martin Shkreli asociativisht përfshijnë çiftin Sahadete dhe Esad Mekuli. Përmes mbiemrit, gjithashtu korrespondojnë edhe me mikun e Kadaresë, Azem Shkrelin, i cili, atëbotë, kishte qenë organizatori kryesor i vizitave të Kadaresë në Kosovë.

Gjatë qëndrimit sado të shkurtër në Kosovë në vjeshtën e vitit 1980, Kadareja kishte marrë me vete imazhe dhe mbresa, të cilat nuk do t’i shlyheshin aq shpejt. Ai e kishte njohur ambientin kosovar. Në mënyrë të veçantë atë të Prishtinës. E kishte parë nga afër si funksiononte ky komunitet i shqiptarëve, çfarë synonte dhe cilat ishin preokupimet e tij. Kishte pasur takime dhe njohje me njerëz të ndryshëm, veçmas me të tillë që i përkisnin shtresës intelektuale. Ndonjë vit më vonë, ndërsa mund të ketë dëgjuar dhe lexuar se çfarë ndodhte me këta njerëz, tashmë miq të tij; si ishin përfshirë ata në një proces të egër të diferencimit politik; pra, në një rrethanë të këtillë, Kadareja do të ketë ndërtuar pa ndonjë vështirësi të madhe konstruktin rrëfimor të romanit “Krushqit janë të ngrirë”. Në të vërtetë, romani është mbështetje e përballjes së suksesshme dhe jashtëzakonisht dinjitoze të inteligjencies kosovare me aparaturën e egër represive të pushtetit dhe, në këtë pikë, romani përfshin një dimension më të gjerë të konfliktit të përjetshëm të shtetit represiv me atë shtresë të popullsisë, e cila ndryshe quhet ndërgjegje njerëzore. Në Kosovën e vitit 1981, kjo përplasje ishte e ashpër dhe gjithëpërfshirëse.
Në qendër të rrëfimit të tij, Kadareja vendos një galeri personazhesh imagjinare, por që, disa prej tyre, krijojnë ngjashmëri të qartë me personat realë. Çifti Teuta dhe Martin Shkreli asociativisht përfshijnë çiftin Sahadete dhe Esad Mekuli. Përmes mbiemrit, gjithashtu korrespondojnë edhe me mikun e Kadaresë, Azem Shkrelin, i cili, atëbotë, kishte qenë organizatori kryesor i vizitave të Kadaresë në Kosovë. Mirëpo, ashtu siç ndodh rëndom në letërsi, imanenca e rrëfimit romanor e çon autorin në shqyrtime dhe përplotësime imagjinative. Teuta Shkreli është kirurge në spitalin e Prishtinës. Ajo, në procesin e diferencimit, akuzohet për përfshirje në tri çështje, të cilat lidhen drejtpërdrejt me demonstratat: Kush e shtoi numrin e shtretërve në spital, në repartin e kirurgjisë, një natë përpara demonstratave? Kush i angazhoi autoambulancat për bartjen e të plagosurve? Kush e zhduku librin e të vdekurve? Ky është, si të thuash, rrafshi dokumentar i romanit. Por Kadareja, i cili shquhet për imagjinatë shpërthyese, nuk mund ta linte rrëfimin vetëm në suaza të ndodhive reale. Përballë çiftit Shkreli dhe personazheve të tjera të kësaj kategorie, ai vendos kundërpeshën e tyre, njerëzit e sigurimit, të UDB-së, të cilët situatën e krijuar në Kosovë e shohin si mundësi për ringjalljen e kohëve të errëta, në radhë të parë, të periudhës së Rankoviçit. Fitorja morale e Teuta Shkrelit mund ta ngazëllejë lexuesin, por në këndvështrimin e shkrimtarit ajo nuk i davarit retë e errëta mbi Kosovën e viteve të ardhshme. Mitet dhe legjendat vrastare, nga studimet etnografike të Martin Shkrelit, tashmë kanë dalë në dritë të diellit dhe kanë marrë forcën e shfaqjes reale. Mbyllja e romanit është rrëqethëse: Si te Skorsa, Kadareja zbret në varrin pa gjurmë të Shpend Brezftohtit dhe që andej sjell imazhin e një vdekjeje që gllabëron dhe tret trupin e një viktime të pafajshme. Kjo vdekje duket sikur pret në pusi kohë të reja dhe viktima të reja. Me këtë roman, Kadareja i jep Kosovës një mbështetje të fortë letrare, krahas mbështetjes politike. Mbështetja e tij letrare është esenciale: Kosova, në njërën nga situatat e saj më të rënda, bëhet subjekt i veprës të tij. Botimi i romanit në Tiranë, atëbotë, do të sjellë në Kosovë dy kumte diametralisht të kundërta: do të shkaktojë mirënjohje entuziaste te komuniteti letrar dhe intelektual i Kosovës, më një anë dhe, më anën tjetër, do të shtojë urrejtjen për Kadarenë te strukturat represive të pushtetit të atëhershëm serb dhe jugosllav. Ajo që i xhindoste më shumë këto struktura ishte mesazhi i veprës së tij thellësisht human, i cili shkonte në rrjedhë të kundërt me mësymjet shoviniste mbi Kosovën. Kosova, atëbotë, kishte nevojë pikërisht për një mesazh të këtillë.

Related

Kultura 5885671138720318800

Arkivi

Kontakt

Name

Email *

Message *

STUDJESA PETROL

item