Kadare, leximi dhe rileximi

Nga Agim Baçi Ka një mendim shumë të përhapur kur vjen puna për Ismail Kadarenë: ai ishte shkrimtar për “atë kohë”, thuhet rëndom, d...

Nga Agim Baçi

Ka një mendim shumë të përhapur kur vjen puna për Ismail Kadarenë: ai ishte shkrimtar për “atë kohë”, thuhet rëndom, duke shënjuar kështu me “atë kohë” pikërisht periudhën nën diktaturë. Në fakt, pasi kanë kaluar 25 vite ndryshimesh politike, e padyshim edhe leximesh, vlen të pyesim: a ishte Kadare shkrimtar i gatuar të shkruante në dykuptimësi brenda një regjimi, apo si i tillë ishte kuptuar vetëm nga lexuesi i kohës?
Duhet të pohojmë qysh në fillim se, për njeriun në atë regjim, i tulatur nga jeta e kufizuar dhe pa liri, letërsia mbetej gjithnjë një dritare e mirë, të paktën për të ëndërruar. Në këtë këndvështrim, i ndërtuar sipas stilit “as…as – edhe … edhe”, teksti kadarean lë hapësirë për ndërfutjen e lexuesit gjatë kohës së leximit. Si i tillë, në ndërtimin e tij stilistik, Kadare ofronte mundësinë që shumë shqiptarë të lexonin në atë kohë alegori, dykuptimësi, fantazi dhe të hamendësonin edhe për ironi të autorit me sistemin.
Të mos harrojmë se në atë kohë kishim të bënim me bashkëqytetarë që vinin çdo ditë e më shumë drejt absurdit të sistemit, i cili mënjanonte çdo gjë që vinte nga të menduarit, e ku liria po bëhej një diamant i pamundshëm për t’u pasur apo përdorur. Pikërisht këto tekste me stil alegorik, me ironi, dhe me asosacion, bënë që shumë shqiptarë ta shihnin artin e Kadaresë si dritare për të menduar ndryshe.
Por çfarë ndodhi pas vitit 1990? Shqiptarët u ndeshën në të njëjtin moment me gjithçka të ndaluar më parë. Kështu që në vend të ëndërrimit, që ua jepte letërsia, vendin e zuri pamja apo prekja me dorë e botës. Dukej sikur nuk kishte më vend për shumë fantazi. E natyrisht, gjuha elgorike, ironia, apo asosacioni nuk kishin më të njëjtën vëmendje nga lexuesi, apo të shkaktonin të njëjtin ëndërrim si në mungesë lirie, sepse muri që i ndante më parë nga këto hapa tashmë nuk ekzistonte më tek lexuesi i Kadaresë.
Ka nga ata që pyesin: po vetë Ismail Kadare, çfarë mendonte për letërsinë e tij? Kujtimet e së shoqes Helenës, bisedat e botuara me Eric Faye, Alain Bosque dhe sidomos në librin “Ftesë në studio”, tregojnë se ka qenë gjithnjë në një dyzim, jo të varur nga ai. Sipas kujtimeve të vetë autorit, esse-ve të mëvonshme apo dialogjeve të ndryshme, ai ka rrëfyer se kishte ndërmend gjithë mekanizmin e sistemit për leximin e tekstit, kishte lexuesin e huaj dhe padyshim kishte lexuesin shqiptar me të cilin ai lidhte përditshmërinë e tij. Megjithatë, krijimtaria e pas vitit 1990, me fabulat që i përkasin vetëm “asaj kohe”, e paraqesin Kadarenë si pjesë e “burgut alegorik”. Por, me meritën që përmes stilit të tij alegorik të nxiste  për të ëndërruar “jashtë burgut” që jetuan lexuesit e tij për rreth 30 vite që ai shkroi në atë sistem.
Në këtë pikë, lexuesi, e sidomos autori, janë përballë pyetjes thelbësore: a do të rilexohet Ismail Kadare? Në ndihmë të kësaj pyetjeje vjen koncepti i “horizontit të pritjes”, i studiuesit Hans-Robert Jauss, i cili shpjegon përmes këtij koncepti pikërisht pikëtakimet e ndryshme të leximit dhe lexuesve përmes të njëjtit tekst. (Horizonti i pritjes, sipas Jauss, lidhet me mënyrën sesi një lexues kupton, dekodifikon dhe vlerëson një tekst të caktuar në bazë të kodeve të veçanta, të cilat më së shumti lidhen me kohën kur është shkruar vepra, pra me sfondin historik të një teksti letrar. Dhe ndryshimi i pritshmërive është pikërisht në faktin se, lexuesi nuk është më ai i burgosuri i botës së regjimit por jeton në një status tjetër politik).
Studiuesi Behar Gjoka, në studimin e tij “Kadare i rilexuar”, kërkon me të drejtë shmangien e leximit patriotik nga veprat e Kadaresë. E po të kemi parasysh lexuesin dhe mësuesit e përgatitur të asaj shkolle deri në vitin 1990, por edhe disa vite më pas, kërkesa e kritikut Gjoka duket e domosdoshme.
Nga leximet e shumta mbi veprat e Kadaresë, hasen shumë lexime që lidhen më shumë me atë si person, se sa me veprën e tij. Leximet ideologjike deri në vitin ’90, dhe të po asaj shkolle që vazhduan më pas, nuk kanë mundur ta sjellin Kadarenë në domosdoshmërinë e “leximit në liri”. Kjo edhe për faktin se, ende ai është shumë i lexuar po nga ata që e kanë jetuar atë kohë dhe e ndaj e lexojnë ende me “ata syze”.
Ka nga ata që këmbëngulin në disidencën e tij, ose në të kundërtën. Vetë Ismail Kadare ka pohuar se nuk e ka parë veten si disident. Gjithashtu, ka pohuar se, ka vendosur t’i paguajë taksën sistemit, për të qëndruar në lirinë e tij krijuese. “…Mbetej zgjidhja e tretë: taksa. Taksa paguhej nga të gjithë. Në çdo libër ishte e detyrueshme përmendja e partisë komuniste. Por për një liri të madhe  edhe taksa duhej të ishte e pazakonshme. Dhe unë kisha nevojë jo për një liri gjysmake”. (Kadare Ismail, Dialog me Alain Bosque, Onufri 2002, Botim i Katërt, Tiranë, F.34).
Ndërkohë, në librin e saj “Kohë e pamjaftueshme”, bashkëshortja e shkrimtarit, Helena Kadare, pohon “vëzhgimin” nga vetë diktatori të gjithë jetës dhe veprës së shkrimtarit. “Me Is ndodhnin gjëra që nuk ndodhnin me asnjë shkrimtar tjetër. Qëndrimi i dyzuar i shtetit ndaj tij, ndihej qartë. Merrej me mend se dikush nga lart ndiqte çdo hap të tij. Ky dikush s’mund të ishte veçse Enver Hoxha. Kështu që legjenda e mbrojtjes së tij kishte një bazë dhe Is vetë nuk e ka mohuar asnjëherë këtë”. (“Kohë e pamjaftueshme”, Helena Kadare, Onufri 2011, f.343).

Parë sot, pas shumë e shumë debatesh mbi letërsinë e tij, duke mos harruar as atë kohë e as këtë kohë, e as pohimet apo mohimet e vetë autorit, vlen të bëjmë vetëm një pyetje: A do ta lexojmë veprën e Kadaresë sipas “kohës universale të letërsisë”?

Related

Kultura 2170146788443427455

Arkivi

Kontakt

Name

Email *

Message *

STUDJESA PETROL

item