Ismail Kadaresë, në 80 vjetorin e Lindjes!

Nga Beqë Cufaj Ismail Kadare është shkrimtari më i madh shqiptar i të gjitha kohërave.  Ismail Kadare është shkrimtari më me peshë i g...

Nga Beqë Cufaj

Ismail Kadare është shkrimtari më i madh shqiptar i të gjitha kohërave. Ismail Kadare është shkrimtari më me peshë i gjallë europian. Ismail Kadare është gjeniu shqiptar të cilin ky komb e lindi me vuajtjet e një historie me krajata të cilave zor që ua gjen shoqet në këtë Kontinent.
Me këto dhe këso komplimentesh mund të vijoj me rreshta e orë të tëra.
Por s’është koha dhe çasti i duhur për të vazhduar mëtej. Sepse Kadare sot mbush 80 vjet dhe shqiptarët duhet t’i gëzohen kësaj ditëlindjeje sikurse i gëzohet çdo komb një feste e cila kalon përmasa të një përjetësie për së gjalli. Sepse s’ka gjuhë të rëndësishme bote që sot s’e shënon dhe s’e uron shkrimtarin shqiptar për këtë ditëlindje!
Ashtu siç nuk është koha dhe çasti të flas për gjithë atë që kam folur me të në raste e situata nga më të  ndryshmet qe sa vite e vite. Kam mirëkuptimin dhe i gëzohem çdo rrëfimi që tash disa ditë ka filluar të përçohet gjithandej nga miqtë e të njohurit, gazetarë e kritikë, shqiptarë e të huaj, që e urojnë dhe ndajnë çaste kujtimesh e gëzimesh me të e librat e tij.
Me Kadarenë kemi ecur me makina, trena, në këmbë… në Gjermani, Austri, Zvicër, Belgjikë, Francë… dhe në këtë ditëlindje të tij do të kisha dëshirë të tregoja aq shumë saqë zor që do të mund të ndalesha.
Por s’mundem sepse s’ma lejon respekti që kam për të. Si shkrimtar po se po. Si njeri edhe më shumë. Janë kujtime që hyjnë në atë privatësinë e madhe!
Ajo që më duhet vetëm njëherë ta them dhe të mos e përsëris më kurrë. Sa e sa e biseda që kam patur me Kadarenë gjatë gjithë kohës sa kam patur nderin ta shoh do t’i përmbledhja me tri fjali:
Kurrë në jetë s’më ka rënë të shoh një njeri i cili:
Sheh çdo gjë!
Mban mend çdo gjë!
Dhe ka një humor aq fin!
Jo rrallë më ka rënë që njerëz që e kanë takuar një apo disa herë dhe nuk “janë ndarë” mirë me të. Hijerëndë apo mendjemadh. I vështirë apo nuk lëshohet në biseda.
Kurrë s’e kam patur asnjë nga këto vështirësi. Ashtu siç nuk e kam vështirë që sot t’ia uroj këtë ditëlindje.
Dhe bashkangjitur me të ta lidhi me një rrëfim që dje, me 27 Janar më ngjau- ndërlidhur me Kadarenë.
Shoh që telefoni më ka cingërruar disa herë. Numër që s’e njihja. Mëpas lexoj një mesazh. Ishte shefi në detyrë, shefi i ditës, i faqeve të Kulturës së gazetës Frankfurter Allgemeine Zeitung të cilin e njoh tash e sa vite. E thërras dhe fillojmë bisedën për Urimin të cilin ai më propozonte që t’ia bëja në faqet e FAZ-it për numrin e sotëm.
I them që s’mundem sepse kam diçka të them… dhe mendoj që s’do t’i takonte pikërisht vegjëlisë sime ta uroj…
Ju mund të thuani çdo gjë dëshironi dhe këtë gjë e keni bërë tash 17 vjet në gazetën tonë, më kundërvihet redaktori.
Nuk mundem sepse i kam uruar tek kolegët tuaj në Neue Zürcher Zeitung para dhjetë vitesh kur i pat mbushur 70 vjet, i them unë paksa i hutuar.
E di që keni shkruar para dhjetë vitesh për të. Por tani kanë kaluar dhjetë vite…, më përgjigjet ai.
Pikërisht për këto vite është fjala, i them unë paksa me mëdyshje nëse vërtetë e dinte që kam shkruar para dhjetë vitesh.
Tani, si të doni ju. E dini që gjithmonë do jeni pjesë e kësaj gazete, më thotë ai.
Prandaj i them unë. Prandaj kam pak frikë dhe të nisi të bërtas në një gazetë e cila më ka rritur ngase jam aq i hidhëruar…, i them unë.
Pse jeni i hidhëruar, më pyet ai.
Sepse prej para 10 vitesh që e kam uruar, Nobelin s’e mori ende. Por Kadare u nderua me Çmimin Man Booker International, është bërë Princ i Asturias, së fundmi mori edhe Çmimin Shtetëror të Izraelit për Letërsi… Për çmimet në Francë as të mos flasim. Kurse ne gjermanët disi s’e kemi nderuar me Çmimin Kryesor- atë Paqes.
Përshëndetemi përzemërsisht. Dhe e mbyllim bisedën me premtimet e dyanshme që së shpejti edhe do shihemi.
Rrëfeva këtë bisedë sepse them që Kadarenë së shpejti do ta shohim edhe në Gjermani. Më gëzon sepse edhe ashtu ka tashmë një vit e kusur që s’jemi parë!
Deri atëherë: Ismail Kadaresë i uroj shëndet! /© GazetaBlic.com/

Related

Top Lajm 1697354091175385918

Arkivi

Kontakt

Name

Email *

Message *

STUDJESA PETROL

item