INTERVISTA / Albulena Haxhiu: Qeveria Mustafa – Thaçi ka rënë! Protestat nuk ndalen

Albulena Haxhiu, deputete e Lëvizjes VETËVENDOSJE dhe njëherësh Kryetare e Komisionit parlamentar të Ligjeve në Kuvendin e Kosovës, mo...


Albulena Haxhiu, deputete e Lëvizjes VETËVENDOSJE dhe njëherësh Kryetare e Komisionit parlamentar të Ligjeve në Kuvendin e Kosovës, mori dje vazhdimin e masës së arrestit shtëpiak që nga 28 nëntori i vitit të kaluar, së bashku me Albin Kurtin dhe Faton Topallin, nga Gjykata për Krime të Rënda në Pallatin e Drejtësisë. Seanca e radhës u caktua më 15 shkurt. Ne mundëm të kontaktonim me zonjën Haxhiu dhe i morëm këtë intervistë ekskluzive për gazetën ‘DITA’.
Ajo tregon për arsyet e vërteta të këtij arrestimi dhe pse opozita zgjodhi rrugën e protestave të dhunshme kundër qeverisë Mustafa-Thaçi.
Pse ajo mendon se qeveria e Prishtinës pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese konsiderohet e rënë dhe cila është strategjia e VETËVENDOSJES për të ardhmen…

– Zonja Haxhiu! Aktet e Vetëvendosjes dhe opozitës kosovare në parlament vazhdojnë të komentohen gjerësisht. Pavarësisht kauzës që ju mbroni, një pjesë e opinionit nuk janë dakord me mënyrën që kini zgjedhur të kundërshtoni. Mund ta kishit shmangur këtë sjellje, duke përdorur mënyra të tjera?
 – Veprimet në Kuvendin e Republikës së Kosovës janë veprime të opozitës së bashkuar pra VETËVENDOSJE!-AAK-Nisma. Këto veprime kanë qenë të domosdoshme për faktin se Kryeministri Isa Mustafa dhe zëvendësi i tij Hashim Thaçi kanë injoruar kërkesat e opozitës dhe qytetarëve të Republikës.
Ne kemi thënë në vazhdimësi që pas nënshkrimit të atyre marrëveshjeve të dëmshme situata në Kosovë nuk është më normale pra është e jashtëzakonshme. Një pjesë e opozitës, siç është Lëvizja VETËVNEDOSJE! ka që prej vitit 2013 që i bën thirrje ta ndalin rrugën drejt krijimit të Zajednicës në Kosovë. Edhe para nënshkrimit në këtë legjislaturë të Kuvendit të Kosovës i kemi bërë thirrje, kemi debatuar shumë gjatë me Qeverinë, me orë të tëra në Kuvendin e Republikës, në debate publike, qindra sosh por kemi hasur në vesh të shurdhët dhe në arrogancën e 90 votave nga 120 të mazhorancës. Pas nënshkrimit të Isa Mustafës me Vuçiqin me 25 gusht, kundërshtimin tonë karshi këtyre marrëveshjeve e kemi nisur me tribuna në qendrat e mëdha, me tubime në lagje, fshatra dhe qytete. Po ashtu kemi organizuar peticionin më i madhi prej pasluftës pra 205 mijë e 254 qytetarë kanë nënshkruar bindshëm kundër këtyre marrëveshjeve. Kemi vazhduar po ashtu me aksione simbolike e demokratike për të përfunduar te hedhja e gazit lotsjellës në Kuvend që natyrisht mund të mos duket mirë, por ua hapi sytë shumë palëve në Kosovë e jashtë saj, madje edhe Presidentes dhe Gjykatës Kushtetuese, sepse e njëjta doli me aktgjykim që marrëveshja për “Zajednicën” është në kundërshtim me Kushtetutën, gjegjësisht me 23 nene të Kushtetutës.
Ne po ashtu i kemi propozuar Kryeministrit Mustafa që për marrëveshjet të vendoset me anë të referendumit porse i njëjti ka refuzuar kategorikisht.

– Mendoni se qeveria duhet të tërhiqet?
– Kryeministri dhe zëvendësi i tij në vazhdimësi kanë thënë se marrëveshja për “Zajednicën” është në përputhje me Kushtetutën dhe japin përgjegjësi për këtë. Tani kemi një vendim të Gjykatës Kushtetuese i cili thekson se kjo marrëveshje shkel 23 nene të Kushtetutës. Nuk ka asnjë kuptim që një Qeveri që ka shkelur haptazi Kushtetutën lidhur me integritetin dhe sovranitetin përballë një qeverie siç është ajo e Serbisë të vazhdojë të qëndrojë në krye të institucioneve të vendit andaj e njëjta duhet të largohet.

– A ju ka lëkundur në bindjet tuaja vendimi për t’ju arrestuar?
– Të gjitha përndjekjet ndaj Opozitës në Kosovë janë ndërmarrë pas urdhrave të pushtetit Thaçi-Mustafa. Qëllimi i vetëm ka qenë që ta kërcënojnë e frikësojnë opozitën. Tashmë edhe pushteti ekzekutiv e edhe ai gjyqësor e ka kuptuar se persekutimet politike as nuk na kanë ndalur e as nuk na kanë zmbrapsur. Përkundrazi jemi më të vendosur se kurrë. Ne e kemi pasur të qartë se kjo përpjekje kërkon sakrifica, ne jemi të gatshëm për gjithçka sepse po bëhet fjalë për Kosovën, për atdheun tonë të përbashkët. Nuk kemi zgjedhje tjetër përpos kësaj sakrifice.

– Po rolin e ndërkombëtarëve ndaj qëndrimit të opozitës në këtë rast, si e konsideroni?

– Do të ishte mirë që ne shqiptarët kudo ku jemi e veprojmë, të ndërrojmë referimin në kategori të tilla. Në secilin vend ka zyrtarë diplomatikë të shteteve të tjera dhe burokratë të organizatave ndërkombëtare. Po ashtu ka dhe kancelari të vendeve veç e veç, të cilat i kanë në masë të madhe të bëra publike interesat e qëndrimet e tyre të politikës së jashtme. Pyetja është, cila është politika jonë e jashtme sa i takon rajonit tonë, sa i takon Serbisë, apo rajoneve të tjera larg dhe afër nesh? Cila është politika lidhur me shqiptarët jashtë Kosovës e Shqipërisë si Lugina e Preshevës, Mali i Zi e Maqedonia? Kur nuk i kemi të saktësuara, të elaboruara dhe të unifikuara këto qëndrime të politikës tonë të jashtme teksa Qeveria në Prishtinë është duke ecur drejt një rrugë pa krye sa i takon koncesioneve ndaj Serbisë. Në mungesë të një projekti zyrtar kombëtar sa i takon pozicionit të shqiptarëve në rajon dhe përgjigjes që duhet të kemi përballë Serbisë lidhur me pretendimet dhe shovinizmin e saj, qeveritarët servilë në Kosovë po na i sjellin planet e të tjerëve kinse si përfitim yni. Pra është me shumë rëndësi që shqiptarët të dëgjojnë çfarë kanë për të thënë si projekt politik kryeministrat e ministrat e jashtëm të Shqipërisë e Kosovës, e të pajisur me këto të dhëna të lexojnë qëndrimet e aleatëve tanë siç janë SHBA e BE dhe të shteteve partnere kudo ku janë ato.

– Sidoqoftë, Qeveria në Kosovë punon dhe po kërkon me ngulm heqjen e regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Si e konsideroni ju të VETËVENDOSJES këtë akt?
– Ne të VETËVENDOSJE!-s e kemi thënë shumë shpesh na duhen aleanca të reja e jo aleatë të rinj. Por kështu me servilitet, mungesë vetërespekti, me shkallë kaq të lartë të krimit të organizuar të drejtuar nga vetë pushteti në Kosovë nuk mund ta mbrojmë as Kosovën as interesin kombëtar. Ne i kemi bërë këta aleatë kaq të afërt në momentin kur shprehëm qartë dhe pa kompromis së çfarë deshëm për Kosovën, për shqiptarët, pra gjatë luftës 1998-1999. Sakrifica jonë dhe këmbëngulësia jonë i ktheu ata me ne. Sot Thaçi e Mustafa i kanë reduktuar kërkesat e shqiptarëve të Kosovës në kërkesë për liberalizimin e vizave. Kjo është e papranueshme. Nuk mjafton kjo, madje është naive si qasje po aq dhe e dëmshme të vendoset liberalizimi i vizave të Kosovës si shkëmbim për pushtet të ri të Serbisë brenda Kosovës. Ne meritojmë të lëvizim lirshëm në BE, nuk kemi pse paguajmë çmim për ndarjen etnike të vendit tonë.
Duhet ta keni të qartë dhe në Shqipëri, se rruga pa krye e Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës duhet braktisur sa më parë, përndryshe nuk do të vonojë dita kur të na duhet sërish të përballemi me Serbinë si dikur.

– Ndërkohë ju kini paralajmëruar sërish protesta…
– Protestat e radhës e Opozitës së bashkuar në Kosovë është të shtunën në orën 14:00 në Prishtinë. Ne do të protestojmë për shtet me sovranitet dhe për largimin e një qeverie jokushtetuese. Nëse Qeveria Thaçi-Mustafa-Lista Serbe nuk largohet, atëherë duhet ta largojnë qytetarët e Republikës.

Related

Kosovë 8234888356495161719

Arkivi

Kontakt

Name

Email *

Message *

STUDJESA PETROL

item