Ibrahim Rugova dhe Shqipëria – një pamje me fakte

Enver Robelli Për të kuptuar cilësinë e gazetarisë dhe të publicistikës që praktikojnë gazetarët si puna e Blendi Fevziut mjafton ...

Enver Robelli


Për të kuptuar cilësinë e gazetarisë dhe të publicistikës që praktikojnë gazetarët si puna e Blendi Fevziut mjafton të lexosh recensionin që vite më parë e ka shkruar gazetari Mero Baze për librin («biografinë») e Enver Hoxhës me autor B.F.. Baze i ka vënë recensionit këtë titull: «Një libër ku autori nuk dëgjon as vetveten». Për të ilustruar këtë, Baze ofron shembuj me bollëk. Ja njëri prej tyre: «Flet për mjekun e shquar francez Pol Miliez si mjek personal të Enver Hoxhës. Më lart citon mjekun realisht personal të Enver Hoxhës, Isuf Kalo, që thotë se Miliez asnjëherë nuk e ka vizituar Enver Hoxhën». Në një shembull tjetër Baze dëshmon se si B.F. me apo pa vetëdije ia keqinterpreton dhe bastardon fjalët Hana Këlcyrës, vajzës së Ali Bej Këlcyrës. Recensioni i Bazes mund të gjendet online dhe vazhdon të jetë tejet aktual. Mënyra se si Baze e shkërmoq këtë vepër ka edhe anët e saj tejet gazmore.
Në 10-vjetorin e vdekjes së Ibrahim Rugovës nëpër portale është shpërndarë një tekst i B.F., të cilit do t’i shkonte ky titull: «Një artikull ku autori manipulon me fakte». Lehtësia me të cilën opinionisti nga Tirana manipulon mbi liderin shumëvjeçar të shqiptarëve të Kosovës është e tmerrshme. Gjykimet kuturu, formulimet absurde, diagnozat groteske nga largësia, interpretimet e pabesueshme e bëjnë këtë tekst ekzemplar të gazetarisë manipuluese, që është përhapur si epidemi ndër gazetarët shqiptarë në Tiranë, në Prishtinë dhe në Shkup.
Ngatërrime jo vetëm me data
Që në fillim të tekstit B.F. e quan veten «vëzhgues të vëmendshëm» të karrierës së Rugovës. Një gazetar serioz do të tregohej më modest dhe do t’ua linte lexuesve të gjykonin sa i vëmendshëm është. A mund të duket, për shembull, poet serioz dikush që edhe kur shkruan për dele apo derra së pari tregon se është autor i 77 veprave me poezi, prozë e përralla? Edhe B.F. sillet kështu: «Unë i vëmendshmi kam vendosur t’ua tregoj biografinë e Ibrahim Rugovës».
«Emrin e Ibrahim Rugovës e kisha dëgjuar herët, në mes të viteve 80-të, kur Ben Blushi më kishte sjellë një libër që ky i fundit i kishte dhuruar gjyshit të tij, Dhimitër Shuteriqit. (…) E dija që ishte Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës dhe po kaq pakuptuar e dëgjova emrin e tij të asociouar me LDK–në». Kështu shkruan B.F. në artikullin e tij. Ndoshta vërtet e ka takuar Ben Blushin nga mesi i viteve ‘80, por një gjë është e sigurt: në atë kohë Ibrahim Rugova nuk ka qenë as kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, as kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve ai u zgjodh në fund të viteve ‘80 (1988), ndërsa në krye të LDK-së erdhi në fund të vitit 1989, pra me themelimin e LDK-së më 23 dhjetor 1989.
Rreth themelimit të LDK-së B.F. me gjasë nuk ka asnjë informacion, sepse duket se as nuk ka lexuar, as hulumtuar për këtë punë. Në shkrim ai vetëm thotë se e paskësh pyetur Sofokli Lazrin, këshilltarin e Ramiz Alisë, dhe ky, Lazri, i paskësh treguar se pas çdo interesimi të tij mbi themelimin e LDK-së, Rugova qenkësh përgjigjur: «Ja ashtu!» Lazri jo vetëm që ishte njëri prej propagandistëve më të mëdhenj të regjimit komunist, i cili e çoi Shqipërinë në humnerë, por kundër tij ka mjaft akuza se ka qenë agjent i shërbimeve sovjetike në Shqipëri. Andaj rezervat që Rugova mund t’i ketë pasur ndaj tij duken krejtësisht të justifikueshme. Po aq sa edhe përgjigjja: «Ja ashtu!»
Nuk ka asgjë mistike sa i përket raportit të Rugovës me komunistët shqiptarë. Nuk u zinte besë, andaj ishte i rezervar në komunikim me ta. Përvoja historike i jep atij të drejtë. Çështja e Kosovës nuk ka qenë prioritet i regjimit komunist të Tiranës. Prioritet ishte nënshtrimi i popullit, dënimet drakonike të çdo kritiku a kundërshtari politik, gatimi i «njeriut të ri socialist», i cili kur ra komunizmi doli i shpërfytyruar, i uritur, i sfilitur, i degraduar shpirtërisht.
Kundër bashkimit me Kosovën
Në Kosovë edhe sot shumë njerëz e kujtojnë me zemërim 2 korrikun e vitit 1990, kur në Tiranë mijëra shqiptarë u futën në ambasadat e shteteve të huaja. Po atë ditë kur Kosova shpalli Deklaratën Kushtetuese, e cila është një dokument i rëndësishëm në rrugën drejt pavarësisë, shqiptarët në Tiranë nuk shikonin drejt Kosovës, por drejt Italisë. Kjo është edhe e kuptueshme. Shqiptarët e Kosovës gabojnë nëse mendojnë se shqiptarët e Tiranës do të duhej të marshonin atëbotë drejt Kosovës për ta çliruar nga zgjedha serbe. Ata njerëz që Enver Hoxha i kishte poshtëruar dhe lënë pa dinjitet kërkonin shpëtim nga diktatura. Shikoni fytyrat e shqiptarëve dhe shqiptareve të asaj kohe: më zi se koreanoveriorët e sotëm!
A mund t’i besonte Rugova, për shembull, Ramiz Alisë, atij që pak kohë pas masakrës së Tivarit të komunistëve jugosllavë mbi mijëra shqiptarë të Kosovës u bë shef i Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Jugosllavi? A mund t’i besonte atij që ishte ende fanatik i Partisë Komuniste të Shqipërisë, e cila – sikur po harrohet! – ishte themeluar nga të dërguarit e Josip Broz Titos (Dushan Mugosha e Miladin Popoviqi).
E pandershme jo vetëm nga aspekti profesional është përpjekja bizare e B.F. që Ibrahim Rugovën ta përshkruajë si kundërshtar të Shqipërisë dhe si kundërshtar të bashkimit kombëtar. B.F. pretendon se Rugova e transformoi ëndrrën e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë dhe e përpunoi atë në një ëndërr të re, «atë të Kosovës së pavarur». Kjo tingëllon thua se shqiptarët jashtë Shqipërisë me vullnetin e tyre e kanë zgjedhur së pari pushtimin jugosllav, pastaj janë përcaktuar për pavarësinë e Kosovës për inat të Shqipërisë. E vërteta është se pavarësia e Kosovës qe modeli i vetëm realist.
E vërteta tjetër është se dy nga udhëheqësit kryesorë të Shqipërisë në shekullin XX në faza të caktuara ishin kundërshtarë të egër të shqiptarëve të Kosovës. Që Ahmet Zogu ka vrarë patriotë të Kosovës dihet botërisht. Që ka ardhur në pushtet me ndihmën e Beogradit, është e qartë. Që Enver Hoxha e mori pushtetin me ndihmën e jugosllavëve, dihet po ashtu mirë. Që ishte kundër bashkimit të Shqipërisë me Kosovën, është e dëshmuar shkencërisht. Në librin e tij mbi historinë e Kosovës profesori Oliver Jens Schmitt shkruan: «Heqja dorë nga Kosova do të mbesë njollë në Partinë Komuniste shqiptare; pas vitit 1948 diktatori shqiptar Enver Hoxha bëri të gjitha përpjekjet për të mohuar këtë hap. Tek kur u hapën arkivat pas vitit 1991 u dëshmua se akuzat e ballistëve (se Hoxha kishte hequr dorë nga Kosova, v.j.) ishin të bazuara».
Sipas Schmitit, lideri komunist Enver Hoxha «vepronte i shtyrë nga dy motive: së pari ai ishte plotësisht i varur nga Titoja, pastaj me Jugosllavinë socialiste ndante një qëllim strategjik: eliminimin e elitës gege, sidomos të klerit katolik, i cili kishte rëndësi shumë të madhe kulturore, kombëtare dhe politike nga Shkodra deri në Kosovë. (…) Enver Hoxha eliminoi elitën e Shkodrës, e cila para vitit 1941 e kishte përkrahur opozitën në Kosovë dhe pastaj ishte angazhuar për <Shqipërinë etnike> me orientim të qartë perëndimor. (…) Ai nuk kishte ndonjë interes për Kosovën; atij dhe elitës komuniste nga Jugu i Shqipërisë madje edhe gegët në Shqipërinë Veriore i dukeshin armiq potencialë. Për shqiptarët e Kosovës ai u angazhua vetëm me retorikë, bile edhe këtë nuk e bënte përherë, por vetëm kur mund të nxirrte përfitime politike». Për liderë të tjerë si puna e Sali Berishës dhe Fatos Nanos pak më vonë.
Një dëshirë e kuptueshme
Për Rugovën flasin përherë faktet dhe veprat. Në një intervistë dhënë revistës së njohur gjermane «Der Spiegel» më 8 qershor 1992, ai thoshte: «Ne do të ishim të gatshëm të jemi shtet neutral dhe tani për tani të mos pranojmë bashkimin me Shqipërinë. Por bashkimi me Shqipërinë, këtë më duhet ta pranoj, është caku ynë i natyrshëm». Më 22 qershor 1991, ai deklaronte për gazetën «Tageszeitung» të Berlinit: «Nëse Jugosllavia ndahet, ne nuk duam të mbesim relikt. Për neve kjo do të ishte e padurueshme. Unë pothuaj nuk besoj se Jugosllavia ka një shans të mbijetojë, duket se nuk ekziston më gatishmëri për kompromis mes kombeve të ndryshme. Nëse shpërbëhet Jugosllavia, neve nuk na mbetet asgjë tjetër, përveçse të bashkohemi me Shqipërinë».
Konsekuent në lidhje me këtë temë ai ishte edhe pas luftës së vitit 1999. Për numrin e 11 dhjetorit të vitit 2000 të «Der Spiegel», Rugova thoshte: «Natyrisht që është e kuptueshme që të gjithë shqiptarët duan të jetojnë në një shtet të vetëm. Një integrim të tillë ne e shohim tek në kuadër të Evropës së bashkuar. Natyrisht nuk mund ta përjashtoj se një ditë do të shihen edhe perspektiva të tjera për të ardhmen, pra edhe bashkimi me Shqipërinë». Ideja më e fuqishme për bashkim që u lansua nga Rugova në fillim të viteve ‘90 ishte ndërtimi i autostradës Prishtinë-Durrës. Për këtë ide Rugovën e kanë përqeshur atëbotë mondialistët e sokakëve të Tiranës dhe globalistët e kozmopolitët e Prishtinës. Sot ata janë shfrytëzuesit kryesorë të rrugës së kombit.
Një shpifje e radhës e B.F. kundër Rugovës është kjo: «Në Prishtinën e kohës (së socializmit jugosllav, v.j.) nuk ishte shquar për asgjë, përpos për oportunizëm». Në fillim të viteve 90-të në Prishtinë, nën kujdesin e publicistit Faruk Tasholli, është botuar një libër, i cili përmbledh gati të gjitha paraqitjet e Rugovës në shtypin kosovar, jugosllav dhe ndërkombëtar (e njëjta vepër më 2005 është ribotuar nga shtëpia botuese «Faik Konica» në Prishtinë). Duke qenë tepër trim për të shkruar marrëzira, B.F. nuk e di se te gazeta «Bota e re» e datës 28 nëntor 1968 Ibrahim Rugova ka shkruar një tekst plot zjarr në kujtim të Pavarësisë së Shqipërisë. Këtë ai e ka bërë vetëm dy vite pasi kishte rënë nga pushteti Aleksandar Rankoviqi, organizatori kryesor i dhunës serbomadhe mbi shqiptarët e Jugosllavisë.
Në vitin 1978 çdo intelektual i Tiranës që do e përmendte Faik Konicën në kontekst pozitiv, do të shkonte në Burgun e Burrelit. Në një intervistë dhënë gazetës «Rilindja» të datës 9 shtator 1978, Rugova e quante Konicën «themelues të kritikës sonë», pra shqiptare. Në vitet ’80 Rugova u shqua si kritik i rreptë i represionit serb dhe mori pjesë në debate e ballafaqime me intelektualë serbë, bile një kohë ai, siç tregon vetë në një intervistë, bojkotohej edhe nga gazeta «Rilindja», sepse konsiderohej radikal. Në Kongresin e Lidhjes së Shkrimtarëve të Jugosllavisë, që u mbajt në Novi-Sad nga data 18 deri më 20 prill 1985, Rugova, veç të tjerash, tha: «Si mund ta përjetoj lirinë unë si intelektual shqiptar, në kohën kur nga forcat e ndryshme me pikëpamje dogmatike për çështjen nacionale më imponohet asimilimi apo dysia. Dhe si mund ta përjetoj lirinë, kur sot, tashmë qe 3-4 vjet nga publicistika e verbër dhe nga pseudoshkenca e pseudoletërsia, kërkohet të zhduket historia ime kombëtare, realiteti historik dhe realiteti shoqëror, me pretekst të cungimit: hiq këtë e hiq atë, madje edhe në pikëpamje kushtetuese».
Ringjallja e Pjetër Bogdanit
Rugova, bashkë me gjuhëtarin e shquar Rexhep Ismajli, solli në Prishtinë që në vitet ‘70 një frymë të re, perëndimore, të kritikës letrare dhe studimeve gjuhësore, duke u larguar nga shabllonet e socrealizimit. Kjo qasje novatore ngjalli jo pak xhelozi në mesin e atyre klaneve letrare në Prishtinë që besonin se mendimet e tyre janë të përjetshme dhe kulti i tyre është i pamohueshëm.
Rugova nuk ishte oportunist, por disident joviolent, një zë kryengritës, ndër më të shquarit e viteve ‘80. B.F. me paditurinë e tij kolosale për kohën dhe personin me të cilin merret, shkruan se Rugova «dilte shpesh në TV dhe me fraza të zgjatura fliste për një letërsi që pakkush e kuptonte në qytet. Letërsia e vjetër e Pjetër Bogdanit, një murg që kish jetuar plot 400 vjet më parë». Murgu është anëtar i një urdhri fetar, që rri në një manastir e bën një jetë prej asketi. Pjetër Bogdani nuk ishte i tillë. U lind më 1630 në Guri të Hasit, rrethina e Prizrenit. Doktoroi në teologji dhe në filozofi në Romë. Ishte ipeshkëv i Shkodrës dhe argjipeshkëv i Shkupit. Veprën e tij «Çeta e profetëve» e botoi në shqip dhe italisht më 1685 në Padovë të Italisë. Ai, sipas Rugovës, ishte aktiv edhe në organizimin e qëndresës kundër sundimit otoman, që vazhdon traditën e pararendësve të tij (Budi, Bardhi etj.) duke inkuadruar në këtë lëvizje katolikë e myslimanë.
Rugova e ka një meritë të madhe në popullarizimin e kësaj figure të rëndësishme shqiptare përmes librit «Vepra e Bogdanit 1675-1685». Lartësimi i merituar i Bogdanit ishte edhe përgjigje e fuqishme kundër propagandës serbe, e cila trumbetonte se shqiptarët, sidomos ata të veriut (nga Shkodra në Shkup), ishin vetëm një nocion gjeografik, pa intelektualë, pa traditë shkrimore, pa kundërshtarë të pushtimit osman dhe me shumë bejtexhinj që shkruanin shqip me shkronja arabe. Duke e ringjallur traditën dhe trashëgiminë letrare dhe atdhetare të teolog-shkrimtarëve katolikë, Rugova përpiqej të lidhte fijet mes modernes dhe mesjetës, mes Evropës që shkruante latinisht dhe asaj që në fillim të viteve ‘90 bënte hapat e parë drejt bashkimit, Schengenit, valutës së përbashkët.
Propaganda serbe përherë ka theksuar se në vitin 1690, pas kryengritjes së dështuar antiosmane «të drejtuar nga patriarku Arsenije III», 40 mijë familje serbe u larguan nga Kosova. Studimet e historianit Noel Malcolm tregojnë se nuk bëhej fjalë për 40 mijë familje, por individë (dhe jo të gjithë sllavë), që u larguan nga Kosova. Në Vojvodinë edhe sot ka fshatra të banuara me katolikë me origjinë shqiptare. «Udhëheqës i kryengritjes kundër osmanëve nuk ishte patriarku serb, por argjipeshkvi katolik i Shkupit, shqiptari Pjetër Bogdani. Përkatësia etnike e kryengritësve është vështirë të përcaktohet, por Prizreni si qendër e trazirave atëbotë kishte një shumicë shqiptare», shkruan Oliver Jens Schmitt. Të gjitha këto fakte tregojnë se Rugova e studioi veprën e Bogdanit jo vetëm për arsye shkencore, por edhe politike e atdhetare.
Qesharak B.F. bëhet kur merr rolin e një eksperti për diagnoza nga distanca dhe zbulon se në takimin e shumëpërfolur me Slobodan Milosheviqin, gjatë bombardimeve të NATO-s më 1999, Rugova «u shfaq në TV» (thua se kjo ishe dëshirë e tij) dhe «ishte i qeshur, pa ndonjë gjurmë frike dhe pa ankth». Mendime të kualifikuara për rrethanat në të cilat Rugova takoi Milosheviqin kanë dhënë gazetarët gjermanë. Matthias Rüb, njëri prej korrespondentëve me mendjemprehtë të Ballkanit, autor i një libri për luftën e Kosovës, më vonë korrespondent në Washington, në numrin e 4 majit të vitit 2002 të gazetës «Frankfurter Allgemeine Zeitung» shkruante: «Në fillim të prillit 1999 ai (Rugova) u soll nga Prishtina në Beograd dhe u detyrua të dalë duke tundur duart me Milosheviqin para kamerave propagandistike të diktatorit. Pak më vonë ai u lejua të emigrojë, dukej se ky ishte fundi i tij politik. Mirëpo, durimi i tij ishte i madh dhe vullneti i tij për mbijetesë politike së paku po aq i madh sa ai i Milosheviqit. Historia në fund i dha të drejtë Rugovës dhe besimit të tij në pacifizëm. Përballja e tij me Milosheviqin në Hagë ishte një triumf i qetë për Rugovën».
Peng i Beogradit
Për Matthias Rüb nuk ka dilemë se Rugova ishte peng dhe u detyrua të takonte diktatorin serb. Gazetarja gjermane e revistës «Der Spiegel», Renate Flottau, e cila pasi filluan bombardimet u gjend në shtëpinë e Rugovës në lagjen «Velania» në Prishtinë, ka treguar se lideri i shqiptarëve ishte praktikisht në arrest shtëpiak. Në atë kohë dëgjoheshin disa figura të ndryshme cinike që, pasi kishin lënë familjet në qetësinë e Perëndimit dhe luftonin për Kosovën nga kopshti i bukur me pishinë i hotelit «Rogner» në Tiranë, e akuzonin Rugovën për tradhti. Nuk është e vërtetë se Rugova nuk ka folur për takimin me Milosheviqin gjatë bombardimeve. Më 17 prill 2000, revista «Der Spiegel» e citonte me këto fjalë: «Populli ynë kurrë nuk ka pasur dyshim sa i përket sjelljes sime. Kjo ka qenë vetëm propagandë primitive nga Tirana dhe Beogradi. Sikur nesër të mbaheshin zgjedhjet presidenciale, unë këto do t’i fitoja sërish. Kosovarët dinë t’i çmojnë vlerat». Në një intervistë për televizionin e Kosovës pas luftës Rugova kërkon mirëkuptim njerëzor për këtë kapitull të vështirë të karrierës së tij politike, kur ishte peng i Milosheviqit. Në tekstin e tij B.F. duket se flet me vetveten duke përtypur një propagandë që do të duhej të ishte e tejkaluar, madje edhe në Tiranë.
Rugova ishte kritik ndaj atyre figurave në krye të UÇK-së që nuk e kishin synim çlirimin e Kosovës, por luftën vëllavrasëse për pushtet. Përkundër rrethanave të rënda, kërcënimeve të pandërprera me ekzekutim, akuzave për tradhti, ai në prill të 1999-s, kur ende ishte peng i regjimit serb, i përshkruante ushtarët e mirëfilltë të UÇK-së si patriotë. Për dallim nga gazeta «Koha jonë», ku punonte B.F. në vitet ’90, e cila i quante sulmet e UÇK-së aksione terroriste si në Korsikë. Edhe në Hagë, kur shkoi për të dëshmuar kundër Milosheviqit, Rugova mbajti qëndrim dinjitoz ndaj UÇK-së, protagonistë të së cilës pas luftës dyshohet se ekzekutuan me dhjetëra bashkëpunëtorë të Rugovës. Ky kapitull i errët i historisë së Kosovës injorohet shpesh nga mediumet dhe publicistët e Tiranës. Ndoshta për shkak se në shumë vepra të përgjakshme mund të jetë i përfshirë edhe vetë shërbimi sekret i Tiranës, që atëbotë drejtohej nga Fatos Klosi. Akuza në këtë drejtim ka bërë edhe ish-kryeministri në ekzil Bujar Bukoshi në një deklaratë dhënë revistës «Der Spiegel» në shkurt të vitit 2000. Edhe sot mbetet e pasqaruar vrasja në Tiranë e Ahmet Krasniqit, ministër i Mbrojtjes i Kosovës. Pushtetarë të Tiranës bëhen sikur nuk ka ndodhur asgjë. (Fundja, ngjashëm sillen edhe me viktimat e 21 janarit të vitit 2011).
Ashtu duke bërë muhabet me veten e tij, B.F. shkruan se Rugova «në fillim ishte mjaft aktiv me Shqipërinë, më pas, aty nga viti 1996, diçka u thye midis tij dhe vendit amë». Çka është kjo diçka që u thye? Rugova e vërejti se që në vitin 1994 ishte keqpërdorur nga Sali Berisha në fushatën për referendumin mbi Kushtetutën e re. Më vonë Berisha nisi të acarojë raportet me botën perëndimore. Qeveria e tij e quajti BBC-në «Korporata Bolshevike Britanike», organizoi një gjyq të montuar kundër Fatos Nanos (sipas revistës britanike «The Economist» ky ishte «gjyqi i fundit farsë në Evropë») dhe intensifikoi kontrabandën me naftë në drejtim të Malit të Zi, duke injoruar sanksionet e OKB-së kundër Serbisë (Jugosllavisë së atëhershme). Në librin e tij të jashtëzakonshëm për Shqipërinë postkomuniste, publicisti Fred C. Abrahams shkruan se më 1994 Shqipëria importonte dyfishin e naftës që përdorte.
«…brenda Jugosllavisë»
Kur Berisha e hetoi më 1996 se sistemi mashtrues i piramidave financiare mund të shembej dhe shqiptarët do të zemëroheshin po qe se do të humbnin paratë, ai u përpoq ta zhvendoste konfliktin në Kosovë. Nisi me deklarata skandaloze – thoshte se për Kosovën mjafton «një hapësirë demokratike brenda Jugosllavisë» -, vazhdoi me kërkesa të hapura që shqiptarët e Kosovës t’i bashkoheshin opozitës serbe për ta demokratizuar Serbinë, dhe gati e fundosi Shqipërinë kur manipuloi zgjedhjet e vitit 1996. Kur filluan protestat kundër rënies së piramidave financiare, njerëz të afërt të Berishës, si shefi i Shërbimit Sekret, Bashkim Gazidede, dhe kreu i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Blerim Çela, hodhën akuza të rënda kundër Washingtonit: i pari tha se Amerika po mbështeste planet greke për ta copëtuar Shqipërinë, i dyti deklaroi se këshilltarët e presidentit Bill Clinton ishin grekë – fjalën e kishte për «ish-këshilltarin George Stephanopoulos dhe drejtorin e CIA-s, George Tenet», shkruan Abrahams. Rugova i kishte varur gati të gjitha shpresat për çlirimin e Kosovës te ndihma amerikane, andaj nuk mund t’i duartrokiste popullizmit dhe antiamerikanizmit të Berishës. Që nga fundi i viteve ‘90 Rugova nuk pranoi ta takonte më.
Jo më pak problematik ishte edhe qëndrimi i Fatos Nanos ndaj kërkesave të shqiptarëve të Kosovës për pavarësi. Në një intervistë dhënë revistës «Der Spiegel» më 8 shtator 1997, ai me cinizëm pyeste: «Ç’domethënë pavarësi në një Europë pa kufij, nëse jeni qytetar europian? Pavarësi domethënë barazi dhe respekt për të drejtat e njeriut. Së shpejti do të flas me Rugovën dhe jam i bindur se edhe ai do të përkrahë një zgjidhje europiane për kombin tonë shqiptar». Zgjidhja evropiane ishte vetëm sinonim për autonomi të Kosovës brenda Jugosllavisë së cunguar dhe kontrolluar nga Milosheviqi.
Kulmin e marrëzisë B.F. e arrin me konstatimin se Rugova «befas deklaroi një ditë se ishte konvertuar në katolik». Nuk ka asnjë deklaratë publike të tij në lidhje me këtë çështje tejet personale. Ai ishte i afërt me prijës fetarë të krishterë dhe myslimanë, por a ishte besimtar i ndonjë feje mbetet sekret i tij. Marrëdhëniet e tij ishin të përzemërta si me ipeshkvin Mark Sopi ashtu edhe me kryeimamin e Kosovës Rexhep Boja.
Kush është i çuditshëm?
Rugova nuk u përpoq të krijonte kurrfarë identiteti të ri kombëtar, «kinse identitet, atë Dardan», siç shkruan me mendjelehtësi B.F. Rugova konceptoi për Kosovën një flamur me shqiponjë që nuk dallonte shumë nga flamuri i Shqipërisë. Këtë flamur e dogjën disa cuba të UÇK-së. Të njëjtët më vonë ulën kokën dhe pranuan flamurin e ri të Kosovës, i cili është neutral sa u përket ngjyrave «kombëtare».
Rugova u përpoq të krijonte një identitet shtetëror të Kosovës dhe kush e akuzon për këtë përfundimisht nuk kupton asgjë as nga historia, as nga rrethanat e shtetformimit në Kosovë. Përrallat se ai e paskësh prishur ëndrrën për bashkim me «shtetin amë» nuk shiten në asnjë pazar ballkanik. Njëjtë si për të lozur tango, edhe për t’u bashkuar duhen dy veta apo palë. Që nga rënia e komunizmit Shqipëria ka nënshkruar pa asnjë dilemë çdo marrëveshje ndërkombëtare që garanton mosndryshimin e kufijve në Ballkan. Kosova i respektoi rrethanat e reja gjeostrategjike në Ballkan, të cilat u diktuan sidomos nga bashkësia ndërkombëtare dhe, siç nënvizonte Rugova, u përcaktua për pavarësi si zgjidhje kompromisi. Rugova nuk ishte politikan i pagabueshëm, nuk ishte as profet, kishte madje shumë të meta. Por ai duhet të mbrohet nga përshkrimet dashakeqëse, që u përngjajnë llafeve bajate të kafeneve të pista ballkanike.
Duke i dhënë fund tekstit të tij, B.F. shkruan se Rugova ishte «një njeri i çuditshëm». Gazetarët që s’kuptojnë asgjë shpesh shpëtimin e kërkojnë në këso formulimesh. Rezultati i shkrimeve të tyre zakonisht është i çuditshëm. Dhe qesharak.

Related

Opinione 5057593469891935473

Arkivi

Kontakt

Name

Email *

Message *

STUDJESA PETROL

item