I riu pakistanez pret dorën pas akuzës së hoxhës për blasfemi

Hoxha kërkoi nga besimtarët të çonin dorën nëse nuk e donin profetin Muhamed, Anvari, një djalë pakistanez, duke menduar se hoxha i kish...


Hoxha kërkoi nga besimtarët të çonin dorën nëse nuk e donin profetin Muhamed, Anvari, një djalë pakistanez, duke menduar se hoxha i kishte pyetur se a e donin profetin mysliman, ngriti dorën. Hoxha e akuzoi Anvarin për blasfemi. Dhe Anvari për të dëshmuar se e do profetin mori një kosë të mprehtë dhe preu dorën e vet. Një rrëfim i «New York Times» nga Pakistani.
Në orët e vona të një nate, imami Shabir Ahmad, doli prej xhamisë pasi kishte falur vaktin e akshamit për ta parë një djalosh pesëmbëdhjetë vjeç që po vinte me një pjatë në dorën e majtë. Në të kishte dorën e djahtë. Nuk kishte kaluar shumë prej se e kishte këputur.
Ahmadi nuk ishte menduar dy herë. Ai u arratis nga xhamia dhe fshati në krahinën pakistaneze Punxhab. Pak orë më parë atë natë të dhjetë janarit, hoxha e kishte akuzuar djaloshin për blasfemi para të gjithë besimtarëve. Kjo akuzë mund të të kushtojë me jetë në Pakistan – qoftë edhe kur akuzat janë të rrejshme, qysh kishte ndodhur në rastin e djaloshit.

Djali Anvar Ali, i biri i një punëtori të varfër, po lutej në vaktin e akshamit në xhaminë e fshatit Khanqali, kur imami Shabir Ahmad kishte kërkuar prej xhematit të çonin dorën nëse nuk e donin profetin Muhamed. Duke menduar se hoxha i kishte pyetur se a donin profetin mysliman, Anvari e kishte ngritur dorën, kanë bërë të ditur dëshmitarët dhe anëtarët e familjes së djaloshit.

Ai e kuptoi menjëherë se kishte gabuar kur pa se ishte i vetmi që  kishte ngritur dorën dhe e uli shpejt e shpejt. Por imami tashmë kishte bërtitur fuqishëm «Blasfemues!» në drejtim të tij, bashkë me shumë të tjerë në mesin e xhematit. «Nuk e do profetin tënd?» i ishin drejtuar kërcënueshëm, derisa djaloshi kishte marr vrull të dilte prej xhamisë për shkak të turpit.

Djaloshi ishte kthyer në shtëpi, kishte gjetur një kosë të mprehtë dhe kishte prerë dorën e djathtë atë natë. Por duke ia çuar dorën në pjatë imamit, djaloshi donte ta dëshmonte se kishte hyrë në gjynah dhe kështu po mundohej ta lante gjynahun.

Policia shumë shpejt e kapi imamin dhe e mbajti në arrest, por prijësit fetarë në zonës protestuan duke detyruar autoritetet të lironin hoxhën. Pasi rrëfimi i djaloshit rroku vëmendjen e medieve ndërkombëtare, autoritetet e arrestuan përsëri imamin. Ahmadi akuzohet për terrorizëm dhe akuza të tjera.

«Nuk ka dëshmi fizike kundër përfshirjes së imamit, por ai është akuzuar për nxitje dhe përflakje të emocioneve të njerëzve deri në atë shkallë saqë djaloshi e kreu aktin», ka deklaruar shefi lokal i policisë, Faisal Rana.

Sidoqoftë, familja e djaloshit mendon se imami nuk ka bërë asnjë shkelje që të ndëshkohet.

«Ne jemi me fat që kemi këtë djalë që e do aq shumë profetin Muhamed», ka deklaruar Mohammad Ghafoor, babai i Anvarit në një intervistë të zhvilluar nëpërmjet telefonit. «Ne do të shpërbelehemi prej Zotit në botën e përtejme».

Edhe Anvari mendon se nuk duhet të ngrihet asnjë akuzë ndaj imamit. «Ajo çfarë kam bërë e kam bërë për dashurinë ndaj profetit Muhamed», ka theksuar djaloshi.

Blasfemia është temë delikate në Pakistan, ku një mori ligjesh të pështjellta parashikojnë edhe dënime kapitale për ata që fyejnë parimet fetare. Madje ato e bëjnë pothuajse të pamundshme që të mbrohet i akuzuari në gjykatë. Përsëritja e blasfemisë në vende publike mund të të kushtojë me jetë.

Raste të tilla pothuajse nuk shkojnë në gjykatë. Mjafton që të ngrihen dyshime për blasfemi dhe është një bandë njerëzish që të linçojnë e të dhunojnë në rrugë për vdekje.

Guvernatori i Punxhabit, Salman Taseer, ishte vrarë prej truprojës së tij më 2011 pasi Taseeri kishte kritikuar ligjet për blasfemi dhe kishte mbrojtur një grua të krishterë që ishte akuzuar rrejshëm për fyerje të islamit. Vrasësi është hero kombëtar për shumë pakistanezë të devotshëm: qelia e tij është shndërruar në vend pelegrinazhi dhe një xhamie i është vënë emri i tij.

Pakistani ka shfuqizuar të hënën ndalesën prej tri vitesh të «YouTube», që ishte bllokuar për shkak të akuzave se aty po emetoheshin akuza antiislamike. Qeveria ka bërë të ditur se «Google», që është pronare e «YouTube», është pajtuar të bllokojë videot me përmbajtje fyese. Qeveria pakistaneze ka bllokuar edhe mijëra uebfaqe që i konsideron me përmbajtje fyese.

«Jemi bërë shoqëri aq e helmuar prej gjërave negative në emër të fesë, saqë prindërit ndihen krenarë që fëmijët e tyre shkojnë në xhihad dhe vdesin në emër të aktiviteteve të ngjashme», ka deklaruar I. A. Rehman, sekretar i përgjithshëm i Komisionit të të Drejtave të Njeriut në Pakistan. «Qeveria duhet të bëjë më shumë për të shkolluar njerëzit dhe të flasë kundër ekstremizmit».

Anvar Ali madje nuk ka shkuar as në spital pas prerjes së dorës së djathtë. Ai vetëm e kishte mbështjellë dorën e prerë me disa fasha në klinikën e fshatit dhe ishte kthyer në shtëpi. Familja e tij ia ka varrosur dorën e amputuar në varrezat e fshatit.

DP

Related

Top Lajm 8214425949882903938

Arkivi

Kontakt

Name

Email *

Message *

STUDJESA PETROL

item