Gazetarët në Ballkan, të terrorizuar (FOTO & VIDEO)

Arbana Xharra & Lavdim Hamidi “Do ta heqim kokën, nëse vazhdon të shkruash për kompaninë tonë”. Ky është mesazhi telefonik që ka ...


Arbana Xharra & Lavdim Hamidi
“Do ta heqim kokën, nëse vazhdon të shkruash për kompaninë tonë”. Ky është mesazhi telefonik që ka marrë, në korrik të vitit 2015, kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), Zekirja Shabani, pas publikimit të storjes në portalin e tij “Gazetafjala.com” se kompania për shitjen e derivateve të naftës në Kosovë, “Al Petrol”, po i vjedh konsumatorët në sasinë e derivateve që ua shet.
“Në dy makina, rezervuari i të cilave kishte kapacitet 50, përkatësisht 55 litra, ‘Al Petrol’ në Ferizaj dhe në një pikë në Prishtinë ua faturoi konsumatorëve së paku nga dhjetë litra më shumë”, pati shkruar Shabani në mediumin e tij online, gjë të cilën e kishin raportuar për medie dy qytetarë që pretendojnë se janë viktima të mashtrimit me sasinë e derivateve nga kjo kompani.
“Al Petrol” është kompania e tretë më e madhe kosovare, e cila gjatë vitit 2014 ka importuar derivate të naftës në vlerë prej rreth 55 milionë eurosh, të cilat më pas i shet në mbi 50 pika të shitjes me pakicë. Numri i pikave të shitjes të kësaj kompanive është rritur dukshëm viteve të fundit, ku vërehen edhe investime të mëdha, pavarësisht deklaratave të naftëtarëve kosovarë, se përfitimet nga ky biznes janë shumë të vogla.
Shabani thotë se rastin e kërcënimit menjëherë e ka paraqitur në Policinë e Kosovës, e cila, siç thotë ai, të nesërmen e ka arrestuar njërin nga menaxherët e kësaj kompanie.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, konfirmon se më 28 korrik 2015, në Polici është raportuar rasti i kanosjes, që, siç thotë ai, viktimës (Shabanit) i është bërë përmes telefonit.
“Policia menjëherë e ka intervistuar të dyshuarin, i cili në konsultim me prokurorin është liruar në procedurë të rregullt. Ndërsa, më 4 gusht 2015 është ngritur kallëzimi penal kundër të dyshuarit dhe rasti është proceduar në Prokurori”, bën të ditur Kelani.
Mirëpo, sipas Shabanit, për shkak se kërcënimi ishte shumë serioz dhe vinte prej njërit nga biznesmenët më të mëdhenj kosovarë, Policia i kishte ofruar atij gjatë dy ditëve mbrojtje të afërt fizike.
“Dy policë më kanë shoqëruar nga Prishtina, ku i kemi zyrat e portalit ‘Gazetafjala.com’, deri në Ferizaj, ku e kam shtëpinë, në një relacion prej 35 kilometrash dhe anasjelltas”, bën të ditur Shabani, duke përshkruar reduktimet e lëvizjeve në qytet me rekomandim të Policisë.
Ndonëse, vetë Policia ishte përfshirë në ruajtjen fizike të gazetarit nga Kosova, Lulzim Kryeziu, menaxher në kompaninë “Al Petrol”, mohon ta kenë kërcënuar Shabanin, madje thotë se gazetari u kishte kërkuar falje. “Shabani na ka kërkuar falje për pohimet se kinse ne e kemi kërcënuar. Në fakt atë e kanë kërcënuar drejtuesit e një kompani tjetër. Gjithçka ishte një keqkuptim”, thotë Kryeziu.
Megjithatë, Shabani insiston se posedon fakte të kërcënimit klasik që ka marrë nga ky person.
”Nuk ka pasur kurrfarë keqkuptimi. Drejtuesit e ‘Al Petrol’ më kanë kërcënuar. Unë i posedoj edhe mesazhet kërcënuese telefonike”, bën të ditur Shabani.
Shabani, i cili udhëheq Asociacionin që grumbullon rreth 400 gazetarë nga mediume të ndryshme në Kosovë, nuk është gazetari i vetëm që përballet me kërcënime, të cilat vijnë kryesisht nga politikanë dhe biznesmenë të fuqishëm. Kërcënimet ndaj gazetarëve janë të formave të ndryshme, nga thirrjet dhe mesazhet telefonike, përcjelljet, shantazhet e deri te paditë në gjykata. Madje, në fund të vitit 2014 kishte ndodhur edhe një rast i tentim vrasjes së një gazetari kosovar në vendin e tij të punës.
Image
U sulmua me thikë në qafë, 4 vjet burg sulmuesit
Në nëntor të vitit 2014, kryeredaktori i emisionit të mëngjesit në televizionin “Klan Kosova”, Milot Hasimja, ishte sulmuar disa herë me thikë në qafë në zyrën e tij, pasi nuk kishte pranuar ta heqë një video nga kanali “Youtube” të postuar nga kjo redaksi.
Image
Sulmuesi Sovran Syla i kishte kërkuar Hasimes që ta heqë videon e transmetuar para tre vjetëve, video që kishte të bënte me të. Meqë gazetari nuk e kishte pranuar një kërkesë të tillë, sulmuesi ishte futur në zyrë të gazetarit, duke e goditur fort me një thikë të mprehtë në qafë, me ç’rast i ka shkaktuar gjakderdhje të madhe, nga e cila rrezikonte të vdiste apo të paralizohej. Por, mrekullisht ai kishte shpëtuar.
“Sipas raporteve të mjekut, në pjesën e pasme të kokës i kam pasur katër goditje me thikë. Njëra goditje për vetëm 1 milimetër nuk e ka prekur trurin e vogël. Një ekspert mjeko-ligjor, më pati thënë se nga ky sulm gjasat për të vdekur janë 90 për qind, ndërsa 10 për qind të mbetur i paralizuar, e jo për të shpëtuar”, tregon gazetari që për fat kishte shpëtuar.
Pas disa seancave të mbajtura, Gjykata Themelore e Prishtinës, një vit pas sulmit, përkatësisht më 5 nëntor 2015, Sovran Sylën e dënoi vetëm me katër vjet burg dhe 1000 euro gjobë, me akuzën për sulm me thikë ndaj gazetarit në ambientet e punës të televizionit “Klan Kosova”, duke i shkaktuar plagë në pjesë të ndryshme të trupit
Hasimja: Dënimi motivon sulmuesit potencialë
Gazetari Hasimja thotë se dënimi nga Gjykata me 4 vjet burgim për sulmuesin e tij është i ulët dhe motivon të tjerët të marrin veprime të njëjta ndaj gazetarëve. “Edhe të tjerët mund të thonë se mund të bëjmë veprime të tilla, sepse pas katër vjetëve lirohemi prej burgut”, flet Hasimja i dëshpëruar ndaj sistemit të drejtësisë në Kosovë.
Hasimja tregon se si ende po i vuan pasojat shëndetësore të atij sulmi me thikë, i cili ka ndodhur para një viti. “Pas sulmit jam më nervoz, kam kokëdhembje, ankth gjatë natës, prandaj nuk guxoj të rri vetëm as në shtëpi e as në punë”, thotë Hasimja.
Ky rast ka bërë që Hasimja ta kuptojë se në Kosovë ka potencial të madh për sulme të tilla ndaj gazetarëve. Ai jeton dhe punon me frikën se dikush tjetër mund ta sulmojë prapë.
Pos sulmit direkt, Hasimja ka përjetuar edhe sulme verbale që i kanë shkaktuar shqetësime të mëdha. Një javë pasi që ishte liruar nga spitali, Hasimja kishte hapur portalet kosovare për t’i lexuar storjet që ishin bërë për të, por ajo çka kishte lexuar te komentet e lexuesve, të cilat nuk menaxhoheshin nga drejtuesit e këtyre medieve, sipas tij, ishte tmerruese.
“Çdo i dyti koment nga lexuesit, ma uronte vdekjen, ose ia uronte të njëjtën gjë kolegëve të mi prej secilës medie, duke më thënë: mirë ta kanë bërë, ju gazetarët po shkruani gjithçka. Pasi kam lexuar këto komente, jam detyruar të shtrihem edhe për dy ditë tjera në spital”.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës alarmon për dyfishim të kërcënimeve dhe sulmeve ndaj gazetarëve viteve të fundit, duke potencuar se kjo po i dekurajon sidomos gazetarët e rinj të merren me këtë profesion, për shkak të rrezikshmërisë së lartë.
Gjykata nuk i trajton me prioritet lëndët e gazetarëve
Rritjen e kërcënimeve dhe sulmeve ndaj gazetarëve e konfirmon edhe Policia e Kosovës. Shpend Maxhuni, drejtor i përgjithshëm i Policisë, bën të ditur se institucioni që ai e drejton gjatë vitit 2014 ka evidencuar 22 raste të kërcënimeve dhe sulmeve ndaj gazetarëve kosovarë, përderisa rastet e tilla janë rritur në gjysmën e parë të vitit 2015. Gjatë periudhës janar-qershor 2015 në Polici janë raportuar 14 raste të tilla.
“Nga të gjitha rastet e raportuara ku kemi pasur të bëjmë me kanosje, sulme, vjedhje, apo vepra tjera ndaj gazetarëve, Policia e Kosovës ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore, duke përfshirë këtu edhe parandalimin, hetimin dhe arrestimin e personave të dyshuar dhe pas përfundimit të procedurave, shumica nga këto raste i janë percjellë Prokurorisë kompetente”, bën të ditur Maxhuni.
Megjithatë, gazetarët kosovarë ankohen se problemi më i madh qëndron me Prokurorinë dhe gjykatat, të cilat, sipas tyre, po i neglizhojnë lëndët e gazetarëve, sidomos kur kërcënimet vijnë nga disa zyrtarë të lartë shtetërorë me ndikim politik, apo biznesmenë të fuqishëm, të cilët kanë lidhje të forta me sistemin kosovar të drejtësisë.
“Për shkak të ndikimeve të mëdha të disa individëve të pushtetshëm në sistemin e drejtësisë, lëndët e gazetarëve po neglizhohen. Në gjykatat kosovare lëndët presion së paku 5 vjet, për shkak të mbingarkesës dhe kjo është arsyeja kryesore pse kërcënuesit po e marrin drejtësinë në duar, pasi që organet e drejtësisë nuk e kryejnë punën e vet si duhet”, shprehet Shabani nga Asociacioni i Gazetarëve në Kosovë.
Kryeprokurori i Shtetit në Kosovë, Aleksandër Lumezi, i cili e ka marrë detyrën në vitin 2015, premton se prokurorët kosovarë do t’i japin prioritet të gjitha lëndëve, ku palë e dëmtuar janë gazetarët.
“Do t’ia fillojmë procedurës penale dhe brenda parametrave të arsyeshëm kohorë do të sigurojmë të dhëna të mjaftueshme për të paraqitur akuzën apo për të pushuar hetimet”, shprehet Lumezi.
Ai pranon se lëndët e gazetarëve në gjykata nuk trajtohen me prioritet dhe në disa raste ka ndodhur që ato të vjetërsohen, për shkak të ngarkesës së madhe të punës, apo edhe për shkak të neglizhencës së gjyqtarëve. Sipas Lumezit, nuk është e nevojshme që të bëhen ndryshime ligjore në rastet kur viktima janë gazetarët, por, siç thotë ai, duhet që afatet ligjore të respektohen si nga prokurorët, ashtu edhe nga gjyqtarët, për trajtimin e këtyre rasteve dhe të zbatohen procedurat alternative për të pasur efikasitet më të lartë.
“Është e vërtetë se kërcënimet që bëhen ndaj gazetarëve pengojnë punën e këtyre të fundit dhe krijojnë një situatë të ndjenjës së pasigurisë permanente, të cilat edhe pamundësojnë funksionimin normal të kryerjes së veprimeve hulumtuese nga gazetarët”, shprehet kryeprokurori Lumezi.
Ndërsa, Mirlinda Gashi, zyrtare për Informim në Gjykatën Themelore të Prishtinës, thotë se viteve të fundit në këtë Gjykatë janë paraqitur dy raste kur gazetarët kanë qenë të akuzuar për shpifje, përderisa në tre raste të tjera gazetarët kanë qenë si palë të dëmtuara, përkatësisht një rast ka qenë për kanosje dhe dy të tjerë për keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës.
“Tri rastet ku gazetarët kanë qenë të dëmtuar, ato kanë përfunduar. Në njërin rast dënimi ka qenë me burg, ndërsa për dy të tjerë janë dhënë dënime me kusht. Edhe në rastet ku gazetarët kanë qenë të akuzuar është hedhur poshtë akuza nga gjyqtarët”, shprehet ajo. Për një rast të kanosjes së një gazetari përmes telefonit në vitin 2010 në Gjilan, komunë kjo në lindje të Kosovës, Gjykata Themelore e këtij qyteti e kishte dënuar kërcënuesin me gjobë financiare prej vetëm 200 euro.
OSBE: Trendi i sulmeve ndaj gazetarëve në Kosovë, shqetësues
Përfaqësues të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian (OSBE) në Kosovë thonë se trendi i kërcënimeve dhe sulmeve ndaj gazetarëve është shqetësues, i cili, sipas tyre, është cekur edhe në raportet e organizatave të huaja.
Në raportin e “Human Rights Watch” të botuar më 15 korrik 2015, me titull “Profesion i vështirë”, ku thuhet se liria e medies është nën kërcënim në Ballkanin Perëndimor, potencohet se gazetarët, redaktorët e përshkruajnë një ambient të vështirë të punës së mediave, ku ballafaqohen me kërcënime, sulme, apo mënyra të ndryshme të frikësimit dhe intervenimit në punën e tyre. Gazetarët e përshkruajnë se ballafaqohen me kërcënime të përsëritura gjatë punës së tyre, kërcënime anonime dhe të drejtpërdrejta kundër tyre dhe familjarëve të tyre, sulme fizike, madje edhe kërcënime me vdekje. Shumë prej incidenteve të dhunës dhe të frikësimit të dokumentuara në këtë raport, veçanërisht, janë të drejtuara kundër gazetarëve që kanë realizuar storje në të cilat janë implikuar biznese të fuqishme, ose elita politike, raportime për krime të luftës, për shkallë të lartë të korrupsionit dhe për grupe radikale fetare.
Edita Buqaj nga Misioni i OSBE-së në Kosovë thotë se pavarësisht se nga kush vijnë kërcënimet ndaj gazetarëve, qoftë nga politikanët apo biznesmenët e fuqishëm, ato duhet të ndalen. Sipas saj, përfaqësuesit e medieve duhet të jenë të lirë të realizojnë storje hulumtuese pa kurrfarë frike.
“Incidentet, kërcënimet dhe sulmet ndaj gazetarëve nuk mund të tolerohen, pasi që kontribuojnë për krijimin e një atmosfere të frikshme dhe rrezikojnë medien e lirë”, shprehet ajo, duke shtuar se mediet e lira janë kruciale për forcimin e vazhdueshëm të demokracisë në Kosovë.
Misioni i OSBE-së në Kosovë së fundi ka publikuar një raport me titull “Liria e medies dhe siguria e raportimit të gazetarëve” (Freedom of Media and Safety of Journalists Reports), ku sipas të gjeturave të këtij raporti situata në mediet kosovare mbetet e ndjeshme, pavarësisht disa përmirësimeve.
Përveç kritikave nga organizatat e huaja se trendi i kërcënimeve dhe sulmeve ndaj gazetarëve është shqetësues, në Qeverinë e Kosovës thonë se krijimi i një ambienti të sigurt të punës për gazetarët dhe mbrojtja e të drejtave dhe lirive të tyre është obligim që lidhet ngushtë edhe me procesin e integrimit evropian, andaj cenimi i tyre nuk i kontribuon këtij procesi.
Ministri i Integrimeve Evropiane në Qeverinë e Kosovës, Bekim Çollaku, thotë se çfarëdolloj ndërhyrjeje dhe presioni mbi gazetarët në raport me punën që bëjnë është i papranueshëm dhe bie në kundërshtim me interesat e përgjithshëm të një shoqërie demokratike. “Vetë Bashkimi Evropian e konsideron lirinë e shprehjes dhe të medies si një prej vlerave më të rëndësishme dhe po ashtu një gjë e tillë është e garantuar edhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës si një e drejtë e patjetërsueshme dhe universale”, shprehet ai.
Megjithatë, Zekirja Shabani nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës thotë se për më shumë se një dekadë vazhdon retorika e njëjtë nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare se po angazhohen në krijimin e një ambienti më të sigurt për gazetarët, por pa sukses. “Institucionet në Kosovë duhet ta marrin seriozisht gjendjen e krijuar në fushën e medieve, duhet ta respektojnë Kushtetutën e cila e garanton fjalën e lirë dhe lirinë e shprehjes, t’i zbatojnë ligjet, si kusht për integrim në Bashkimin Evropian”, shprehet ai.
Pas kërcënimeve, 5 gazetarë nga Shqipëria kërkuan azil në BE
Disa raste të kërcënimit ndaj gazetarëve janë raportuar edhe në Shqipëri. Unioni i Gazetarëve të Shqipërisë (UGSH) raporton se kërcënimet, siç thonë ata, vijnë nga struktura apo elemente të krimit të organizuar, si dhe nga strukturat e ekstremizmit fetar.
“Të tilla gjatë vitit 2015 kanë qenë rasti i kërcënimit të përsëritur ndaj gazetarit investigativ Artan Hoxha, i cili e realizon emisionin ‘Xhungël’, apo rasti i Aurora Koromanit nga ‘Gazeta Shqiptare’, e cila u kërcënua prej radikalëve islamistë anonimë”, ka bërë të ditur kryetari i UGSH-së, Aleksandër Çipa.
Kreu i Unionit të Gazetarëve të Shqipërisë pohon se për shkak të kërcënimeve, gjatë këtij viti tetë gazetarë e kanë lëshuar vendin, ku pesë prej tyre kanë kërkuar azil në vende të ndryshme të Bashkimit Evropian.
“Në tri raste ne si UGSH kemi dijeni se gazetarët kanë paraqitur pretendime për kërcënime, të cilat kanë pasur pasqyrim edhe në mediet e Shqipërisë. Në një rast gazetari është larguar pas ndërrimit të pushtetit partiak në Shqipëri, pasi që më herët ka raportuar për shtypin partiak të djathtë, ndërsa në një rast tjetër gazetari është kërcënuar përmes rrjeteve sociale”, shprehet Çipa.
Image
Ai ka shtuar se gjatë vitit 2015 janë shënuar dhjetë raste të kërcënimeve të gazetarëve. “Fatkeqësisht janë të përsëritura rastet kur kërcënimet mbeten pa autorë dhe hetimet për gjetjen e tyre mbyllen ose ndërpritet pa pasur një njoftim publik dhe zyrtar”, thotë Çipa.
Zëvendëskryeministri i Maqedonisë grushtoi gazetarin
Në Maqedoni, redaktori i portalit “Maktel.mk”, Sashe Ivanovski, i njohur si Sashe Politiko, ia kishte bërë disa pyetje në rrugë zëvendëskryeministrit Vladimir Peshevski, por në vend se të merrte përgjigje, kishte marrë grushte nga ky i fundit.
Ngjarja kishte ndodhur më 15 korrik të këtij viti para restorantit “Pastel” në Shkup, kur Ivanovski i ishte afruar Peshevskit për t’ia marrë një deklaratë në lidhje me zgjedhjen e prokurorit special, i cili do t’i hetojë përgjimet sekrete të zyrtarëve të lartë shtetërorë të publikuara nga opozita, me ç’rast e kishte pyetur zëvendëskryeministrin nëse i frikohet burgosjes, por numri dy i Qeverisë së Maqedonisë i ishte kundërpërgjigjur me grushte gazetarit.
“Zëvendëskryeministri reagoi shumë vrullshëm. U kthye nga unë, tentoi të ma marrë telefonin, më ra në kokë dhe në këmbë dhe filloi të më ndjekë nëpër qytet. Unë arrita të ikja pastaj, dhe shkova te vetura ime e cila ishte e parkuar pas objektit. Për habi vërejta se zëvendëskryeministri më ndiqte me veturën e tij. Hapi dritaren dhe filloi të flasë me mua, duke më bindur që të hipja në veturën e tij”, sqaron Ivanovski, duke shtuar se është vërtet e tmerrshme kur një zëvendëskryeministër e rrah gazetarin për një pyetje të thjeshtë.
Gazetari Ivanovski thotë se pas kësaj sjelljeje skandaloze, Peshevski i kishte kërkuar falje vetëm opinionit maqedonas, por jo edhe atij që ishte viktimë.
“Për këtë sulm fizik Peshevski i ka kërkuar falje publikut, por jo edhe mua. Ai gënjente kinse unë kam dashur ta sulmoj e ai është vetëmbrojtur”.
Peshevski ka pranuar se reagimi i tij ishte “shumë i fortë”, por këmbënguli se ishte provokuar nga Ivanovski dhe kishte vepruar në vetëmbrojtje. “Reagimi im është udhëhequr nga një instinkt mbrojtës, nga emocionet dhe nga një përvojë krejtësisht negative me Sashe Ivanovski. Përkundër faktit se e gjithë situata ishte provokuar, reagimi im ishte shumë i fortë”, pati shkruar Peshevski në profilin e tij në rrjetin social “Facebook”.
Ivanovski thotë se kjo nuk është hera e parë që është sulmuar derisa bën punën e tij si gazetar. “Jam sulmuar edhe më herët, pasi që unë disa herë para të gjitha medieve e kam pyetur kryeministrin për aktivitetet e tij kriminale. Prandaj, unë nuk ndihem aspak i sigurt në punën time”, shprehet Ivanovski.
Ivanovski nuk është gazetari i vetëm që është sulmuar gjatë vitit 2015, derisa bënte punën e tij për ta informuar opinionin maqedonas.
Asociacioni i Gazetarëve të Maqedonisë ka raportuar për 11 raste të sulmeve dhe kërcënime të gazetarëve për gjysmën e parë të vitit 2015.
Naser Selmani, kryetar i këtij Asociacioni, thotë se kur zëvendëskryeministri i Maqedonisë e sulmon fizikisht gazetarin vetëm pse i shtron pyetje, ky është një mesazh se të gjithë ata gazetarë që e kryejnë punën e vet mund të pësojnë në të njëjtën mënyrë. Sipas tij, mediet në Maqedoni janë shndërruar në një mjet propagande për pushtetin, duke e lënë opinionin të painformuar si duhet. “Pjesa më e madhe e të hyrave për mediet vjen nga pushteti, prandaj janë shndërruar si një mjet propagande për drejtuesit e Qeverisë”, shprehet Selmani.
Kreu i Asociacionit të Gazetarëve të Maqedonisë thotë se për një propagandë të tillë Qeveria e Maqedonisë gjatë vitit 2013 ka shpenzuar rreth 7 milionë euro në medie, përderisa për gjashtë muajt e parë të vitit 2014 ka shpenzuar rreth 4 milionë euro. “Bëjnë propagandë në medie për reformat në drejtësi, përderisa Bashkimi Evropian në vitin 2014 e kritikonte ashpër sistemin e drejtësisë në Maqedoni”, thotë Selmani.
Vetëcensura e gazetarëve në Serbi
Ndërkaq, në Serbi mediet po përballen me rritje të vrullshme të kufizimeve të imponuara mbi pluralizmin e ideve dhe lirisë së shprehjes.
Shoqata e Pavarur e Gazetarëve të Serbisë (NUNS) në raportin e këtij viti për lirinë e medieve ka potencuar se që nga viti 2014, ka rritje të kufizimeve të imponuara në media.
Aty potencohet mbyllja e një shou politik më të popullarizuar në vend dhe sulmet kibernetike ndaj portaleve të lajmeve, të cilat janë kritike ndaj Qeverisë së kryeministrit Aleksandër Vuçiq, të cilat, sipas NUNS, kanë ngushtuar ndjeshëm hapësirën publike në dispozicion për shkëmbimin e pikëpamjeve dhe opinioneve.
”Përveç shfaqjeve publike, që synojnë ta bindin opinionin e brendshëm dhe ndërkombëtar se qeveria serbe nuk e kufizon lirinë e fjalës, në praktikë shumë pak është bërë për të siguruar lirinë e saj”, thuhet mes tjerash në raport.
Liria e shprehjes dhe e mediave në Serbi është përkeqësuar sidomos në gjysmën e parë të vitit 2015.
Përfaqësuesit e gazetarëve potencojnë se vetëcensura dhe presioni mbi politikat editoriale ka ardhur më shumë në konsideratë në mediet serbe, përderisa edhe sulmet ndaj gazetarëve janë në rritje.
Serbia mban pozitën e 74-të të “Freedom House” për liri të shtypit.
Gjatë periudhës janar-shtator 2015, Shoqata e Gazetarëve të Pavarur të Serbisë ka regjistruar 24 incidente kundër gazetarëve, prej të cilave 8 sulme fizike, 14 sulme verbale dhe 2 sulme ndaj pronës.
Në shtator të vitit 2015, përfaqësuesja e OSBE në Serbi, Dunja Mijatovic, ka deklaruar gjatë një konference në Beograd se të gjithë po flasin për legjislacionin mbi lirinë e mediave, që është miratuar së fundi, por, sipas saj, ligjet duhet të zbatohen dhe këtu qëndron problemi.
“Kushdo që thotë se nuk ka censurë në Serbi është gabim”, ka pohuar Mijatovic.
Image
“Mediametër”, projekt ky që monitoron zhvillimin e mediave të shkruara në Serbi përmes analizës së gjykimit të vlerave dhe analizave të diskursit, kishte potencuar se gjatë tremujorit të dytë të vitit 2015, përkatësisht gjatë periudhës prill-qershor, storjet për kryeministrin Aleksandër Vuçiq ishin paraqitur në 522 ballina të gazetave, përderisa vetëm 12 prej këtyre artikujve kishin kontekst negativ.
Shumë analistë të mediave këtë e përshkruajnë si vetëcensurë, pasi që kryeministri Vuçiq gjatë gjithë vitit 2014 ishte paraqitur 877 herë në faqet e para të medieve serbe, prej të cilave vetëm 6 herë kishte qenë në kontekst negativ.
Gazetarët në Ballkan thonë se shtetet e tyre as që mund të pretendojnë se janë demokratike dhe kështu nuk mund të bëhen as pjesë e BE-së, siç po pretendojnë, derisa në këto vende nuk ka liri të medieve.
“Nëse gazetarët nuk mund të shkruajnë lirshëm, nuk mund të flasin lirshëm, as që mund të pretendojmë se jemi shtete demokratike dhe kështu të bëhemi edhe pjesë e Bashkimit Evropian, siç po pretendojmë”, thotë Zekirja Shabani nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.
Grafika:
Serbi – 24 incidente kundër gazetarëve (janar – shtator 2015)
Kosovë – 14 raste të sulmeve dhe kërcënimeve të gazetarëve (janar – qershor 2015)
Maqedoni – 11 raste të sulmeve dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve
Shqipëri – 10 raste të kërcënimeve dhe sulmeve ndaj gazetarëve

Related

Top Lajm 1756756298109493273

Arkivi

Kontakt

Name

Email *

Message *

STUDJESA PETROL

item