Foto të rralla: “Librazhdi i bukur”, si ka qenë në vitin 1941

Janë disa foto me pamje të rralla nga Librazhdi i vitit 1941. Imazhet e këtyre fotove janë bërë nga një mjek ushtarak, i cili quhej Dr. ...

Janë disa foto me pamje të rralla nga Librazhdi i vitit 1941. Imazhet e këtyre fotove janë bërë nga një mjek ushtarak, i cili quhej Dr. Pierluigi Zamperini, me gradën “Lejtnant Doktor”. Dr. Zamperini kishte punuar gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore në spitalin fushor të Qendrës Spitalore “21” të ushtrisë italiane në Babje të Librazhdit.
Koleksioni i fotove me pamje nga Librazhdi i viteve 1941 na u mundësua nga nipi i Dr. Luigit, zoti Mario Zauli, i cili ka trashëguar nga xhaxhai i tij rreth 300 foto me pamje nga aktiviteti i Spitalit Fushor i Qendrës Spitalore 21 i ushtrisë italiane dhe i Dr. P. Zamperini në Shqipëri. Dr. Pierluigi Zamperini, na shkruan z. M. Zauli, lindi në Xhenova (Itali), më 5 nëntor 1912 dhe vdiq në qytetin e Cuneos më 26 korrik 2003.
Dr. P. Zamberini, ishte larguar nga Bari me një anije luftarake dhe kishte mbërritur më 12 mars 1941 në portin e Durrësit. Ai u dërgua në “Qendrën Spitalore italiane” në Krastë të Elbasant, ku qëndroi për pak kohë.
Më pas, me ngritjen e spitalit fushor të Babjes, ai dhe ekipi i tij i mjekëve ushtarakë, u vendosën në Librazhd (Babje). Pas disa muajve, me kërkesë të ushtrisë gjermane, Dr. Pierluigi dhe spitai i tij u larguan nga Librazhdi në drejtim të Follorinës (Greqi) dhe prej andej kaluan në Larisa, për të mbërritur përfundimisht në portin e Volos, në Greqi.
Dr. Pierluigi Zamberini, veç profesionit të mjekut, kishte një pasion të madh për fotografitë. Shumë nga imazhet e fotografive janë me përmbajtje ushtarake, por ka edhe foto me imazhe të tjera turistike, prej të cilave shumica janë peisazhe.
Fotoja më e veçantë është ajo me pamjen nga vizita e Prendandorit Viktor Emanueli III, i cili vizitoi më 14 prill 1941të plagosurit në “Bujtinën e Librazhdit”, në Qendrën Spitalore të Babjes. Perandori shoqërohej në këtë vizitë nga Ministri i Jashtëm i Qeverisë Italiane, Konti Ciano.
Pjesa më e madhe e fotografive nga Librazhdi paraqesin pamjet nga ndërtimi kazermave ushtarake në fshatin Babje, pamje të ndryshme nga jeta e përditësime e fshatit, pamje të luginës së lumit të Shkumbinit, të luginës së Rrapunit, malit të Shebenikut etj.
Në njërën nga fotot, ku paraqiten kazermat e Babjes, në krahun e djathtë të saj, ndodhet Fusha e Kolës, që ka shërbyer si fushë sportive. Deri në vitin 1962 në këtë fushë zhvilloheshin aktivitete të ndryshme kulturore e sportive. Ajo ka qenë edhe fusha e vetme e futbollit për qytetin e Librazhdit. Kjo fushë u prish në vjeshtë të vitit 1962, gjatë rrëmbimeve të furishme të lumit Shkumbin.
Fotografia që tërheq më shumë vëmendjen është ajo me pamjen e qytezës së vogël të Librazhdit, e cila është fotografuar në datën 28 prill 1941. Kjo është fotoja më vjetër e qytetit të Librazhdit që njohim. Librazhdii në këtë kohë ishte një qendër e vogël administrative në rang N/Prefekture.
Në foto bien në sy banesat që shërbenin si hane, apo bujtina, si Hani i Myftar Hoxhës, Hani i Beqir Kacës, Hani i Muzhaqit, Bujtina e Llaz Popës, Hani i Tafil Çotës etj. Në qendër të qytezës ndodhen rrobaqepësia e Hysen Kozës, dyqanet e Xhemal Bicit, Xhaf Qerozit (Shëngjergji) dhe e tregtarëve të tjerë elbasanas.
Në qendër të fotos, mbi kodër, aty ku sot është komisariati i policisë, ndodhet shkolla dhe mbi të spitali civil. Buzë lumit të Shkumbinit, aty ku është sot stadium i futbollit “Sopoti”, ndodhet ara e Daut Rrocës dhe në mes të saj një arrë e madhe. Në të majtë të fotografisë, aty ku sot janë kompleksi i shkollave, ndodhen arat e Gjetës, në të cilën janë vendosur disa çadra të ushtrisë italiane.
Në krah të majtë të fotos, aty ku sot janë Varrezat e Dëshmorëve, ndodhet shtëpia e Gurrës, që kishte në oborrin e saj një man të madh. Një man të tillë kishte edhe shtëpia e Hamit Mokrës, që ndodhej disa metra poshtë shtëpisë së Gurrës.
Kur piqeshin manat, shtëpitë e Mokrës dhe të Gurrës mësyheshin nga kalamajtë e Librazhdit, të cilët shijonin frutat e ëmbla të manave. Në krahun e djathë të fotos duken shtëpijtë e Çotës, të cilat ndodhen e dhe sot, dhe në horizont duken shtëpitë dhe arat e katundit Spathar.
Pas Luftës së Dytë Botërore dhe deri në fund të viteve ’50 Librazhdi kishte këtë pamje të vitit 1941, gati të pandryshuar. Vetëm në fillim të viteve ’60, pas shpalljes së tij si qytet (1960), Librazhdi pësoi një tranformim të madh në infrastrukturën e tij.
U ndërtuan pallate të reja banimi, shkolla e re (gjimnazi), spitali i ri civil, shtëpia e kulturës, biblioteka, kinemaja etj. U zgjeruan dhe u asfaltuan rrugët kryesore, u vendosën trotuare dhe u mbollën pemë dekorative anash tyre, u bënë lulishte etj., ç’ka i dhanë Librazhdit pamjen e një qyteti modern që ka sot.
Për të gjithë ata banorë librazhdas, të moshave 60-70 vjeçarë, të cilët i kanë përjetuar këto pamje të hershme të qytetit të tyre, kjo foto e rrallë me vlera kulturore dhe historike u ngjall një emocion të madh e të veçantë./mapo

Foto të rralla: “Librazhdi i bukur”, si ka qenë në vitin 1941Janë disa foto me pamje të rralla nga Librazhdi i vitit...
Posted by Tetova News on Thursday, January 21, 2016

Related

Fotografi 9030784763243720924

Arkivi

Kontakt

Name

Email *

Message *

STUDJESA PETROL

item