Eneda Tarifa: Kjo “Përrallë” e do një shpërblim!

Eneda Tarifa, një zë dhe emër i njohur i muzikës shqiptare, e ka nisur rrugën e suksesit shumë herët. 18 vite më parë ajo është ngjitur ...


Eneda Tarifa, një zë dhe emër i njohur i muzikës shqiptare, e ka nisur rrugën e suksesit shumë herët. 18 vite më parë ajo është ngjitur në skenën e Festivalit të 36-të të këngës në RTSH në një duet me kantautorin Sajmir Çili, me këngën “Yjet e shpresës” që u vlerësua me çmimin e parë të të rinjve. Një ogur i mirë, një nisje e mbarë që do të pasohej me çmime të njëpasnjëshme në festivale të ndryshme në vend, por edhe në Maqedoni, Mal të Zi, etj. Shumë nga këngët e saj si “Ika larg”, “Me veten”, etj. janë bërë mjaft të dashura për publikun. Eneda është një këngëtare që ka lëvruar suksesshëm edhe në fusha të tjera të artit si, prezantimi e aktrimi, por mbi të gjitha ajo ka provuar edhe ndjesinë e të qenurit nënë e një vajze të bukur si Aria. Angazhimet e saj të shumta në skenën e humorit “Portokalli” e kanë afruar atë edhe më tepër me publikun. Në fillim të këtij viti, Eneda erdhi në një bashkëpunim me kantautorin Jon Tarifa i cili ka fituar shumë popullaritet në Holandë, por jo vetëm. Kënga e tyre në gjuhën angleze “Together” është pritur mjaft mirë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Holandë. Pas një mungese disa vjeçare në skenën e festivalit të RTSH-së, Eneda rikthehet fuqishëm këtë vit me një material të bukur muzikor, shkruar nga Olsa Toqi, me orkestrim të Shpëtim Saraçit. Ajo do të ngjitet në skenën e festivalit në natën e dytë, me këngën që mban titullin “Përrallë”.


Enedën do e përkufizoja si një ndër artistet me mjaft shije në përzgjedhjen e materialit muzikor. I ndjek provat e festivalit me rigorozitet të plotë, edhe pse me shumë impenjime. E nis këngën “Përrallë” gjithmonë me një përshëndetje për orkestrën e palodhur të RTSH-së e cila e shoqëron gjatë interpretimit të saj. Nuk i mungon buzëqeshja dhe shkathtësia që e karakterizon, por edhe urimet që u përçon kolegëve të tjerë pjesëmarrës në Fest 54, për t’u nisur më pas nxitimthi për në punët që e presin në vazhdimësinë e ditës. Ne e ndalëm për disa minuta për të ndarë edhe me lexuesit tanë emocionet e prezantimit të saj në skenën e festivalit, pa lënë mënjanë edhe angazhimin në “Portokalli” dhe në familje…


Sava LENA: – Eneda, çfarë të shtyu të bëheshe pjesë e këtij festivali?

Eneda TARIFA: – Një shtysë e mirë këtë vit ishte miku im dhe i të gjithë këngëtarëve, artisti i padiskutuar Elton Deda, një profesionist i vërtetë, pasardhës i një emri të madh si Ferdinand Deda. Kjo më bëri të mendoj se do të jetë një festival i freskuar, i bukur, i denjë dhe më modern. Kësaj ftese, duke iu bashkangjitur dhe një këngë e bukur siç është kënga e shkruar nga Olsa Toqi, e plotësoi figurën dhe më bindi që tani jam e gatshme të marr pjesë në festival. Me sa duket, ka një kohë për gjithçka dhe tani ishte koha e duhur. Më janë ofruar tri këngë, por bëra zgjedhjen që m’u duk më e përshtatshme. Në momentin që vendosa të merrja pjesë, qëllimi kryesor ishte të kisha një këngë eksperimentale aq sa duhet, një këngë sfiduese, të vështirë, pra, një këngë që ta tërheqë publikun dhe jo thjesht një këngë të zakonshme. Kjo ishte arsyeja pse vendosa të merrja pjesë në këtë festival.

– Kënga jote, “Përrallë” ka një hapje të bukur: “Kjo përrallë e do një shpërblim”. Për çfarë shpërblimi bëhet fjalë?

– (Qesh) Më pëlqen mënyra si e ke komentuar vargun, por kënga nuk ka të bëjë fare me atë shpërblimin që mund të mendohet. Bën fjalë për shpërblimin e dashurisë, shpërblimin e asaj që investon dhe jep në dashurinë tënde, sepse në fund të fundit, kënga është pozitive dhe tregon një rikonfirmim për dashurinë. Por, nëse do ta komentonit edhe në këtë prizëm, çdo këngë e do një shpërblim sepse ka vërtet shumë punë brenda saj. Çdo artist bëhet tifoz i këngës së vet, mundohet me mish e me shpirt që kënga e tij të jetë fituese dhe në këtë pikë, edhe unë do të bëj të pamundurën që ta realizoj mirë në skenën e madhe të festivalit të RTSH-së.

– Si e sheh konkurrimin këtë vit?

– E shoh të fortë si çdo garë tjetër. Nuk ka konkurrim të lehtë. Vërtet nuk ka shumë emra të mëdhenj siç jemi mësuar të dëgjojmë, por janë cilësorë, këngëtarë shumë të mirë.

– Të shoh shumë të sigurt gjatë provave. Çfarë ta jep këtë siguri?

– Epo, eksperienca bën punën e vet.

– Mendon se ka ardhur momenti për t’u shpërblyer ti me çmimin e parë?

– Nuk e mendoj këtë, çmimin e parë duhet ta marrë më i miri, nuk ka rëndësi sa kohë ke në skenë. Kozma Dushi (babuçi) ka kaq shumë vite që merr pjesë dhe sigurisht që edhe ai lufton për çmimin e parë, por mendoj se mbi të gjitha, është dëshira për të kënduar dhe shpirti i bukur i garës, i konkurrencës që ka festivali i RTSH-së, që e bën edhe më magjike situatën.

– Pjesëmarrja në Eurovizion, a përmbush gjithçka në karrierën tënde?

– Si ta kem, si të mos e kem, unë e kam një karrierë të ndërtuar. Pjesëmarrja në Eurovizion është një pikë më tepër, një eksperiencë më shumë, por mos prisni që aty të bëhet nami, se asnjëherë nuk ka ndodhur kjo. Shqipëria është një vend i vogël dhe cilado këngë apo këngëtar që do të marrë pjesë, e ka të vështirë të konkurrojë përballë fqinjëve, grupeve, lobingjeve të ndryshme që kanë vendet e mëdha evropiane me njëri-tjetrin.

– Na trego pak për angazhimet e tua në këtë fundvit…

– Të them të drejtën, kam plot angazhime. Regjistrimet në institucionin ku punoj më mbushin kohën më të madhe. Mund të jem në ndonjë koncert, por për momentin, angazhimi kryesor është festivali dhe mendimi për të.

– Çfarë përmbush “Portokalli”-a në karrierën tënde?

– Është shumë e rëndësishme dhe përmbush atë pjesë tjetër të Enedës që njerëzit e njihnin vetëm si këngëtare, por sigurisht që dashuria ime e parë është muzika, ndërsa “Portokalli” e plotëson, duke e përfshirë edhe këngën. Në këtë pikë, ndihem shumë mirë sepse nuk e shoh këngën të përjashtuar nga “Portokalli”-a.

– Tashmë e ke gjetur veten në shoun e humorit; je bërë njësh me të. Çfarë të ka dhënë kjo eksperiencë ty vetë?

– Sigurinë skenike, lirshmërinë dhe batutën e menjëhershme. Më ka dhënë popullaritet e profesionalizëm, në mënyrë që çdo punë që më jepet në skenë, ta bëj ashtu siç do të doja të ishte.

– E konsideron veten tashmë një shougërl?

– Në përgjithësi, jemi mësuar që një shougërl të jetë një vajzë e bukur, që mundohet të bëjë pak nga të gjitha. Mua nuk më pëlqen shumë kjo fjalë. Mundohem t’i bëj të gjitha punët që më jepen në maksimumin e fuqive të mia dhe përdor gjithçka për të arritur nivelin e duhur. Pastaj, se si ia vëmë emrin, shougërl apo shouvvoman, këngëtare, prezantuese, artiste, kjo pak rëndësi ka; atë e gjykon publiku.

– Eneda, mes kaq shumë impenjimesh, Arias, sa kohë i kushton?

– Arias i kushtoj pak kohë në këto momente, por besoj se ajo do ta durojë mungesën e mamit të saj deri në fund të dhjetorit. Më pas, gjithë muajin janar dhe shkurt do të jemi bashkë.

– Po ta kërkon Aria vëllain që i ke premtuar?

– Për momentin nuk e kam në plan një fëmijë të dytë sepse jam shumë e impenjuar këto kohë dhe dua që ta shijoj edhe këtë vit punën time. Ka ende kohë, nuk është asnjëherë vonë për t’u bërë nënë për herë të dytë. Për momentin, Aria e ka gjithë vëmendjen e duhur dhe fëmijët e sotëm janë shumë të zgjuar. Ata e dinë shumë mirë se, nëse do të vijë në jetë një tjetër fëmijë, do t’i marrë hapësirën, vëmendjen dhe kohën.

– Shumë shpejt do t’i themi lamtumirë vitit 2015. Ku do të të gjejë ndërrimi i viteve?

– Aty ku më ka gjetur gjithmonë, duke punuar. Është festë që, nëse do ta kalonim në shtëpi, do të ishte një darkë e thjeshtë dhe kaq, pa ndonjë bukuri të jashtëzakonshme, përveç rehatisë dhe qetësisë. Për mua, momentalisht, rehatia dhe qetësia është puna. Jam mësuar duke punuar çdo vit dhe nuk mund ta kaloj ndryshe edhe këtë herë.

– Ka filluar të mbushet blloku i axhendës, planeve e projekteve për vitin 2016?

– Nuk kam menduar ende për axhendën e vitit 2016 sepse nuk jemi politikanë, jemi artistë, por mund të them se do të ketë prodhime të reja, këngë të reja. Do të angazhohem shumë më tepër me muzikën sepse në njëfarë mënyre kam prodhuar pak në këtë periudhë që jam marrë me “Portokalli”-në. Mendoj se ka ardhur koha të filloj t’i përkushtohem më shumë muzikës.

– Cili është urimi që do të doje ta ndaje me lexuesit e gazetës “Intervista”?

– Dua t’u uroj të gjithë shqiptarëve gëzuar Vitin e Ri dhe suksese në të gjitha aspektet e jetës. Çdo lumturi ose jo fillon nga vetja juaj. E rëndësishme është që ju të ndjeheni mirë me atë që jeni dhe me atë që bëni. Më pas, kjo do t’ju sjellë gjithë të mirat e mundshme.

Related

Intervista 6936719670625889858

Arkivi

Kontakt

Name

Email *

Message *

STUDJESA PETROL

item