Donald Trump dhe politikat e paranojës

Gazetari Michael Goldfarb* shpjegon se si garat politike amerikane janë udhëhequr shpesh herë nga frika dhe paranoja që kaplon vendin ...


Gazetari Michael Goldfarb* shpjegon se si garat politike amerikane janë udhëhequr shpesh herë nga frika dhe paranoja që kaplon vendin
Një nga ngjarjet më të habitshme në garën e kandidatëve presidencialë të SHBA-së, ka qenë suksesi i shfrenuari i miliarderit Donald Trump në sondazhe. Megjithatë, nuk është aq për t’u habitur nëse merret parasysh një tendencë e politikës amerikane që shkon prapa në një epokë shumë të largët: Frika. Politikanët profesionistë e dinë se shfrytëzimi i ndjenjave të njerëzve, sidomos ato negative, është rruga që çon drejt suksesit. Është një tjetër fjalë pak më elegante që përdoret për të përshkruar frikën e tepruar dhe irracionale, dhe mosbesimin: Paranoja.
Edhe kjo fjalë gjen vend në politikën amerikane. Fushata aktuale presidenciale është një rast i tillë. Donald Trump ka dalë në frontin e kandidatëve për nominimin presidencial republikan sepse ka ditur të shprehë frikën e shumë amerikanëve: ndaj emigrantëve pa dokumente, terroristëve islamikë, marrëveshjeve të tregtisë së lirë me Kinën, me të cilën do të shkurtohen mijëra vende pune. Trump premton se do të bëjë që Amerika  “të jetë e madhe sërish”, sikur ky komb të ketë pushuar së qeni vendi më i fuqishëm në botë dhe propozon zgjidhje “të thjeshta” me fjalë të ashpra: dëbimi i 11 milionë emigrantëve pa dokumente, ndalimi i hyrjes së myslimanëve në SHBA dhe të detyrojë qeverinë kineze të tërhiqet.
Shprehja “stili paranojak i politikës amerikane” është formuluar nga historiani Richard Hofstadter. Ai e përkufizoi stilin paranojak si “një fenomen të vjetër dhe të përsëritur në jetën tonë publike që shpesh ka qenë e lidhur me lëvizjet e pakënaqësisë së dyshimtë”. Në një vend ku zakonisht ka një optimizëm ngjitës, është interesante të shihet se si frika shpesh pushton gjithë tokën amerikane. Richard Parker, teolog në Universitetin e Harvardit, konsideron se paranoja në jetën publike të vendit ka ekzistuar edhe në shek. XVII, gjatë Gjyqeve të Shtrigave të Salemit.
Është e lehtë të harrojmë se si politika fetare e Anglisë udhëtoi përtej Atlantikut drejt kolonive të saj të para. Nëse i shtojmë kësaj luftërat e jetës së përditshme me natyrën, luftërat e banorëve të parë të vendit me indigjenët amerikanë dhe praktikat e lashta fetare që mësonin se po afrohet fundi i botës, kemi një komunitet të përgatitur për të pasur frikë, thotë Parker. Kështu ndodhi në qytetin e Salemit. Njerëzit u kthyen kundër qytetarëve të mendimit liberal dhe i akuzuan për praktikim të magjisë.
Në atë kohë, ideja e magjisë nuk ishte thjesht fiction. Njerëzit vërtetë besonin në “shpirtrat e këqij që mund të pushtojnë trupat tanë”, thotë Parker. “Ishte baza e psikologjisë dhe fiziologjisë primitive”. Në fillim të viteve 1950 pati një tjetër “shpërthim”  frike në Amerikë. Ishte një epokë ku komunistët mbanin poste të rëndësishme. U vendosën listat e zeza të komunistëve të vjetër në  Hollywood. Komiteti i Aktiviteteve anti-Amerikane të Kongresit, fillimisht i udhëhequr nga Senatori Joseph McCarthy, thirri disa personazhe të famshëm që të dëshmonin në Uashington kundër kolegëve të tyre.
U shkatërruan karriera dhe ata që refuzuan të dëshmonin, si dramaturgu Arthur Miller, u anulohej pasaporta. Një tjetër burim frike që është përsëritur shpesh në historinë e vendit është ajo e shoqërive sekrete si masonët. Por feja është baza e pjesës më të madhe të frikërave. Në ditët e para të Republikës dyshohej se katolikët po planifikonin një komplot papnor për të marrë kontrollin e vendit. Kur në fund të vitit 1940 në vend erdhi një  valë e madhe e katolikësh që i iknin urisë në Irlandë, këto frikëra u rritën. Atëherë u formua një parti e re politike, e quajtur “Know nothing” (S’di asgjë), kredoja kryesore e të cilës ishte anti-emigracioni irlandez. U udhëzuan anëtarët e saj që kur të pyeteshin në lidhje me këtë të thoshin: “Nuk di asgjë”.  Grupi tjetër për të cilin u dyshua ishin hebrenjtë.
Një valë emigrantësh hebrenj erdhi në fillim të shek. XX. E gjithë popullsia e emigrantëve hebrenj, disa prej të cilëve ishin socialistë nga Rusia, u kataloguan nën etiketën e Revolucionit Rus. Në vitet ’30, gjatë një programi në radio prifti katolik irlandez Charles Coughlin nxiste frikën ndaj hebrenjve. Pas Luftës së Dytë Botërore frika u kthye ndaj Bashkimit Sovjetik. Robert Welch, themelues i shoqërisë ultra të djathtë, “John Birch”  tha se presidenti i atëhershëm Dwight D Eisenhower  ishte  “vegël e komunistëve”.
Organizata u bë baza e lëvizjeve politike komunitare  që kanë dominuar politikën amerikane për katër dekadat e fundit. Edhe pse Welch u refuzua nga konservatorët amerikanë për deklaratën e tij në lidhje me presidentin, shumë prej tyre nuk kishte asnjë problem me formën ekstreme se si Shoqëria Birch nxiste frikën mbi ardhjen e menjëhershme në pushtet të komunistëve në SHBA. Lisa McGirr, profesoreshë e historisë në Universitetin e Harvardit beson se “stili paranojak” në politikën amerikane, për të cilën foli Hofstadter, është i bazuar në fe.
“Është i lidhur me fenë: Ungjillëzimin dhe fundamentalizmin që kanë rrënjë të thella në jetën amerikane”. Në muajt e parë të fushatës, shumica e komentuesve dhe profesionistëve në politikë e injoruan Donald Trump. Tani nuk është kështu. Trump e kuptoi më mirë se ata që një pjesë e rëndësishme e shoqërisë amerikane është e frikësuar. Ai i ka përdorur këto frika, qofshin racionale apo jo dhe e ka bërë duke folur në terma që nuk janë “politikisht korrekt”, siç e përshkruan ai.
Në Karolinën e Jugut kohët e fundit kam takuar një njeri të quajtur Robert Sandifer. Rreth 70 vjeç, i arsimuar mirë dhe i kamur. Kishte dalë në pension dhe jetonte në një ishull të bukur në jug të Charleston, një nga vendet më të bukura në Amerikë. “Trump ka sjellë shpresën tek njerëzit”, tha Sandifer. “Shpresë? mua më tingëllon si dëshpërim”, i thashë. Sandifer me shumë mirësjellje më kundërshtoi. “Nëse ai bën atë që thotë se do të bëjë, të gjithë do të kishim më pak frikë”, tha ai. Dhe për t’i bërë gjërat më të qarta, shton: “Ne të gjithë ndjehemi shumë të frikësuar nga qeveria federale”. /DITA
* Michael Goldfarb është një gazetar amerikan dhe autor i disa librave

Related

Top Lajm 4081769719876310852

Arkivi

Kontakt

Name

Email *

Message *

STUDJESA PETROL

item