Dashuria sekrete e Dikensit

Ellen Ternan Ai e pa për herë të parë në kafenë e një teatri. Tepër e thjeshtë Ellen Ternan i buzëqeshi nga tavolina përbri. Një jav...

Ellen Ternan

Ai e pa për herë të parë në kafenë e një teatri. Tepër e thjeshtë Ellen Ternan i buzëqeshi nga tavolina përbri. Një javë më vonë, Çarls Dikens do të linte studion e tij të punës, për të shkuar sërish në kafenenë e teatrit, ku me miqtë dramaturgë ndante pikëpamje mbi letërsinë. Ishte viti 1857 dhe ai ishte një nga personazhet më të njohur të letrave britanike. Por këtë herë, rruga për në teatër nuk kishte të bënte më shumë me takimet me miqtë, por për të parë sërish atë vajzën nga tavolina përbri. Është një histori më e bukur se gjithë historitë e dashurive në librat që shkroi, ajo që Çarls Dikens ndjeu për Ellen Ternan. Një histori e mbajtur sekret nga të dy, e cila u jetua në apartamentin e thjeshtë të aktores dhe në rrugët pas mesnate të Londrës. Dikens ishte 45 vjeç kur u takua me 18-vjeçaren Ellen, dhe do të niste me të një raport që do të zgjaste deri në vdekjen e tij. Për gati 150 vjet kjo histori dashurie ka mundur të fshihet, por një biografi e vajzës së tij, Katey Dikens, do të nxirrte për herë të parë në publik sekretin e të atit. Është dashur një punë e gjatë e ngjashme me punën e një detektivi, zbulimi i letrave të dashurisë që Ellen kishte marrë nga shkrimtari.




















E bindur në rëndësinë e autoritetit të tij publik, aktorja ishte përpjekur të fshinte çdo gjurmë që do të mund të zbulonte lidhjen e tyre. Por letrat nuk kishte mundur t’i digjte. Zbulimi i tyre sjell një dimension tjetër mbi jetën e një prej shkrimtarëve më të mirë anglez. “Gruaja e padukshme” do ta quante biografja Claire Tomalin, jetën e Ellen. Biografi i Dikensit, Peter Ackroyd, thotë se pavarësisht kujdesit të shkrimtarit për ta mbajtur të fshehur lidhjen, pasioni që ai ndjen në jetën reale ndihet në librat që ka shkruar në këtë periudhë. Është krejt ndryshe përshkrimi që ai i bën karaktereve, nga më parë. Sipas Ackroyd, ky pasion, dhe të bërit të një jete të dyfishtë mund të ketë çuar dhe në ndarjen e parakohshme nga jeta të shkrimtarit. “Ndoshta kjo mënyrë jete mund ta ketë vrarë atë”, thotë ai. Ky raport do të ndikonte dhe në martesën e tij në atë kohë 20-vjeçare me Katherinë. Ka pasur raste në atë periudhë kur Dikensit nuk i pëlqente të rrinte në shtëpi. Të jetuarit me dy gra në të njëjtën kohë ishte shpesh torturuese, duke parë kontekstin e kohës në të cilën kanë jetuar, ku dhe mund të dënoheshe për moral. Por divorci ishte diçka e paimagjinueshme për një burrë me reputacionin e Dikensit. Kjo do të ulte shumë imazhin e tij në opinionin publik. Disa kritikë e quajnë Ellen si shumë autoritare në jetën e tij, disa të tjerë si të butë, por të gjithë janë njëzëri për sa i përket ndikimit që ajo pati në letërsinë e shkrimtarit. “Ju nuk e keni idenë sa shumë e dua, aq sa nga maja e një mali mund të ndiej erën e flokëve të saj. Asgjë nuk mund të ishte më e bukur se duart e mia humbur në duart e saj, duke e fituar atë apo duke e vrarë”, shkruan Dikens në një letër të vitit 1857. Por kjo lidhje në fshehtësi ka sjellë dhe shumë vuajtje për të dy. Mendohet se në vitin 1866, Nelly lindi një fëmijë prej shkrimtarit, i cili nuk mundi të jetonte. Kjo do ta zhyste aktoren më shumë në trishtim. Ajo ishte një femër me karakter, me të cilën ai ndante jo vetëm dashurinë por dhe bisedat për letërsinë dhe teatrin. Tashmë gjithnjë personazhet e tij frymëzoheshin vetëm prej saj. Shpesh ata udhëtonin bashkë dhe jashtë Londrës. Franca ishte vendi i fshehtë i dashurisë së tyre. Pas një aksidenti që patën në 1865-n në Francë, ata anuluan vizitën në Amerikë së bashku, dhe për faktin se lidhja e tyre mund të bëhej publike në shtypin amerikan që ishte më i vëmendshëm ndaj ngjarjeve të tilla. Ndarja nga jeta vetëm 13 vjet pas lidhjes së tyre e Dikensit do të ishte e rëndë për Nellyn e cila e kishte lidhur jetën me këtë burrë. Ajo u mbyll në shtëpinë e tyre dhe nuk doli prej andej për më shumë se një vit. Vetëm gjashtë vjet pas vdekjes së tij, ajo do të njihej e më pas do të martohej me George Wharton Robinson, një i diplomuar në Oksford, 12 vjet më i ri se ajo, të cilit ia mbajti gjithnjë fshehur lidhjen që kishte pasur me Dikensin.  Nga kjo martesë Ellen do të kishte dy fëmijë. Vitet e fundit të jetës, Ellen i kaloi në Francë dhe do të kthehej në Londër pas diagnostikimit me kancer. Nelly është kthyer sot si gruaja më frymëzuese e letrave angleze për vetë mënyrën sesi e ruajti të fshehtë lidhjen e saj me Dikensin. Karriera nuk pati asnjëherë rëndësi për vajzën, që e vogël ëndërronte teatrin. Gjithçka do të ndryshonte për të momentin që u takua me Dikensin. “Ata ishin më shumë se dy të dashuruar”, shprehen kritikët për të. Janë shkruar shkrime mbi jetën e fshehtë të kësaj dashurie, ndërsa jeta e Ellen Ternan është përshkruar në librin me titull “Gruaja e padukshme”. “Po, unë i ndjej të gjitha orët që më ikin pa ty, dhe pres me sytë nga dera, se kur përtej saj do trokasin gishtërinjtë e tu”, i shkruante ajo në orët e pritjes Dikensit.

Related

Kultura 3724609570124420728

Arkivi

Kontakt

Name

Email *

Message *

STUDJESA PETROL

item