Dallga që pritet të vijë me refugjatë nafte

Nga Michael Meyer Rënia e fundit e madhe e çmimit të naftës ndodhi në vitet 1980 – dhe ajo e ndryshoi botën, duke sjellë kolapsin e...

Nga Michael Meyer

Rënia e fundit e madhe e çmimit të naftës ndodhi në vitet 1980 – dhe ajo e ndryshoi botën, duke sjellë kolapsin e Bashkimit Sovjetik. Rënia aktuale e çmimeve të naftës ka gjasa që do të ndryshojë rrënjësisht hartën gjeopolitike, për shkak se qeveritë e pasura me naftë në Afrikë dhe Lindjen e Mesme do të përballen me rebelime shoqërore ndërsa Europa pritet të përballet me një dallgë të re emigrantësh.
Ideja se pasuria e naftës mund të jetë njëkohësisht një mallkim, është një ide e vjetër – dhe nuk ka nevojë të shpjegohet më tutje. Një herë në disa dekada, çmimet e energjisë rriten në qiell, duke shkaktuar përplasje të mëdha për gjetjen dhe sigurimin e burimeve të reja të naftës. Pastaj oferta kapërcen kërkesën dhe papritur çmimet bien përtokë. Sa më e madhe dhe e papritur të jetë rënia, aq më të mëdha janë pasojat shoqërore dhe gjeopolitike.
Rënia e fundit e madhe e çmimit të naftës ndodhi në vitet 1980 – dhe ajo e ndryshoi botën. Si një i ri që punonte në një fushë nafte në Teksas në pranverën e vitit 1980, unë shikova çmimet referencë të naftës bruto në SHBA të cilat u rritën deri në 45 dollarë për fuçi, – ekuivalenti i sotëm i 138 dollarëve. Në vitin 1988, nafta po shitej për më pak se 9 dollarë për fuçi, pasi humbi gjysmën e vlerës vetëm brenda vitit 1986.
Shoferët përfituan kur çmimet e benzinës ranë përtokë. Gjithkund tjetër, gjithsesi, pasojat qenë katastrofike – dhe në Bashkimin Sovjetik pasojat qenë më të rënda se gjithkund tjetër, pasi ekonomia këtu varej shumë nga eksportet e naftës. Norma e rritjes në vend ra në një të tretën e nivelit të saj të viteve 1970. Ndërsa Bashkimi Sovjetik u dobësua, rebelimi popullor i rrit, duke shënuar kulmin në vitin 1989 me kolapsin e Murit të Berlinit dhe të komunizmit në të gjithë Europën Qendrore dhe Lindore. Dy vjet më pas, edhe vetë Bashkimi Sovjetik nuk ekzistoi më.
Në mënyrë të ngjashme, rënia e sotme e çmimit të naftës do të nxjerrë përfitues disa. Shoferët edhe një herë do të jenë të lumtur; por dhimbja do të jetë tronditëse për shumë të tjerë. Mos u shqetësoni shumë për trazirat e pashmangshme që do të shkaktohen në tregjet financiare botërore apo nga kolapsi i prodhimit të naftës me burime argjilore në Shtetet e Bashkuara apo rolin që ka kjo naftë në pavarësinë energjetike. Rreziku i vërtetë gjendet te vendet që janë shumë të varura nga nxjerrja e naftës. Njësoj si në Bashkimin Sovjetik të dikurshëm, rreziku për dizintegrim shoqëror është i stërmadh.
Afrika Nën-Sahariane do të jetë pa dyshim një epiqendër e trazirave të rënies së naftës. Nigeria, ekonomia më e madhe e këtij rajoni, mund të gjunjëzohet. Prodhimi i naftës po ndalon së rritur dhe papunësia pritet të rritet në qiell. Sakaq, investitorët po rimendohen për miliarda dollarë angazhime financiare. Presidenti Muhammadu Buhari, i zgjedhur në mars 2015, ka premtuar se do të luftojë korrupsionin, do të kontrollojë shpenzimet e luksit të elitës dhe do të zgjerojë shërbimet publike për të gjithë të varfërve, të cilët përbëjnë një proporcion masiv të popullsisë së vendit. Kjo e fundit tashmë duket e pamundur.
Vetëm një vit më parë, Angola, prodhuesi i dytë më i madh i naftës në Afrikë, qe vendi më i dashur për investitorët ndërkombëtarë. Punëtorët e huaj që mbushnin kullat e zyrave të Luandës dhe banojnë në lagjet rezidenciale të luksit, ankoheshin se ky qe një qytet nga më të shtrenjtit në botë. Sot, ekonomia e Angolës po ndalon. Kompanitë e ndërtimit nuk mund të paguajnë punëtorët e tyre. Qeveria e vënë në vështirësi po shkurton subvencionimet që i përfitonin një pjesë e madhe e angolezëve, duke ushqyer zemërimin popullor dhe një ndjesi se bumi i shkaktuar nga nafta pasuroi vetëm elitën, duke lënë gjithë të tjerët më keq nga sa ishin. Ndërsa të rinjtë bëjnë thirrje për ndryshime politike nga një president i cili ka qenë në pushtet që nga viti 1979, qeveria ka filluar një fushatë shtypjeje mbi disidentët.
Në anën tjetër të kontinentit, Kenia dhe Uganda po shikojnë se si shpresat e tyre për t’u bërë eksportues nafte po avullojnë. Për sa kohë çmimet mbeten të ulëta, burimet e sapozbuluara të naftës do të mbeten nën tokë. Megjithatë paratë që janë marrë hua për investime në infrastrukturë do të duhet të ripaguhen – edhe nëse të ardhurat e pritshme nga nafta që do të shërbenin për të shlyer këto kredi nuk vijnë. Financimet për programe të mbrojtjes shoqërore në të dyja vendet janë sakaq të larta. Njerëzit e zakonshëm sakaq janë zemëruar ndaj një elite kleptokratike që përvetëson paratë publike. Çfarë do të ndodhë kur, brenda pak viteve, një pjesë e madhe dhe në rritje e buxhetit kombëtar do të duhet të shkojë për pagesën e borxhit të huaj në vend që të financohet arsimi dhe shëndetësia?
Nëse shikojmë më lartë në Afrikën e Veriut, situata është gjithashtu e zymtë. Dy vjet më parë, Egjipti besonte se një zbulim i madh i një fushe gazmbajtëse në det do të mundësonte çaktivizimin e bombës së rinisë, fuçia e barutit që pati ushqyer Pranverën Arabe në vitin 2011. Jo më. Dhe për t’i bërë gjërat më keq, Arabia Saudite, e cila për shumë vite ka furnizuar me para qeverinë e Egjiptit, po përballet me problemet e veta ekonomike. Sot, Mbretëria po ankohet për atë që dikur qe e paimagjinueshme: të ndërpresë financimin e Egjiptit.
Ndërkohë, pak më tutje, Libia është gati për të shpërthyer. Një gjysmë dekade lufte civile ka lënë një popullatë të varfëruar që lufton për të ardhurat gjithnjë e më të pakta të naftës. Ushqimet dhe ilaçet janë të pakta ndërsa baronët e luftës përplasen për atë që ka mbetur nga pasuria kombëtare e Libisë.
Këto vende nuk janë të varur vetëm nga eksportet e naftës; ato janë gjithashtu të varura rëndë nga importet. Ndërsa të ardhurat pakësohen dhe monedhat kombëtare zhvlerësohen, kostoja e jetesës do të rritet me shpejtësi, duke përshkallëzuar tensionet shoqërore dhe politike. Europa sakaq po vuan për të strehuar refugjatët nga Lindja e Mesme dhe Afganistani. Nigeria, Egjipti, Angola dhe Kenia janë mes vendeve më të populluara të Afrikës. Imagjinoni se çfarë mund të ndodhë nëse ato shpërthejnë ndërsa banorët e margjinalizuar, të zemëruar dhe të varfër të tyre fillojnë të zhvendosen më në veri.
Project Syndicate-BIRN

Related

Top Lajm 2504097197385485834

Arkivi

Kontakt

Name

Email *

Message *

STUDJESA PETROL

item