Burrat shqiptarë racistë? (Për këngëtaren Linda Halimi, pse ajo ka marrë për burrë një “zezak”)

Nga Kimete Berisha Ka qenë burrë i zoti. S’ka guxu’ as miza me fluturu ngat tij, kaq i ‘shtirë që ka qenë, ju nuk e dini. Krahas g...

Nga Kimete Berisha

Ka qenë burrë i zoti. S’ka guxu’ as miza me fluturu ngat tij, kaq i ‘shtirë që ka qenë, ju nuk e dini.
Krahas gruas së parë shqiptare, e ka pas marrë edhe një nuse serbe, dhe pasi ia ka ndërru’ asaj emrin, ja ka ndërru edhe fenë.
Ish-serbja e ka mësu shqipen ujë, shumë e sjellshme, nuk e ke dallu që nuk është shqiptare.
Me këtë togfjallësh të ‘bukur’ portretizohej burri i zoti shqiptar i pas luftës së dytë botërore, i cili ka pranuar të martohet me të huajat, me kusht që t’ua ndryshojë atyre letërnjoftimin, emrin, fenë dhe gjuhën.
Në kulturën shqiptare, të pafalshme kanë qenë dhe janë martesat me romë. Sipas legjendes, ai që përpjekej me romë, duhej të pastrohej përmbi një tullë derisa të shkrihej tulla.
E, kur tulla të shkrihej, tek atëherë ai person thuhej se konsiderohej i pastruar nga mëkatet dhe nga ‘papastërtia’.
S’di a është kjo neveri shqiptare ndaj martesave me të huaj ndjenjë superioriteti dhe mendjemadhësi, apo frikë nga asimilimi zhdukja kombëtare.
Kur dikush martohet me një të ‘huaj’ nuk u duket se është martuar përnjëmend, se këta ‘të huajt’ e marrin martesën për mahi, këta ndahen për një fjalë goje.
Popullata shqiptare nuk ka prirje raciste në përgjithësi, përveç te martesat, aty vjen në shprehje aversioni popullor ndaj martesave me të huaj, pa marrë parasysh a bëhet fjalë për gjerman, suedez, amerikan, turk, francez, italian…etj.
Albin Kurti u paragjykua kur e mori për nuse një femër norvegjeze. Por në rastin e Albinin popullata e gjetën edhe një simbolikë qesharake, atë moton e VV për ‘prodhimet vendore’, derisa u detyrua njeriu të dal me një deklaratë t’u arsyetohet shqiptarëve për këtë tradhti erotike kombëtare!
Ndoshta nga frika e fshehur e tretjes dhe zhdukjes si komb, (nuk e di pse, se dinosaurët e Akademisë Shurdhmemece të Kosovës nuk e kanë studiuar kurrë këtë gjë), popullata shqiptare, kur bëhet fjalë për martesa të përziera, e marrin sikur ai shqiptar që u martua me një të huaj nuk është më shqiptar, se fëmija e tyre do të asimilohen, do të bëjnë dhe do të mësohen ashtu siç i mëson nana e tyre ‘e huaj’.
E, kur bëhet fjalë për një femër shqiptare që martohet me një mashkull të huaj, aty nuk ka pardon, kjo kurrësesi nuk bën me ndodh.
Prandaj, ka pasur shumë pak raste në Kosovë kur femra shqiptare është martuar me një mashkull të huaj.
Aversioni ndaj martesave të përziera përveç përkatësisë kombëtare, e ka përfshirë edhe fenë.
Unë i mbaj mend tregimet e dashurisë për djalin shqiptar mysliman që u dashurua në një vajzë shqiptare katolike.
Djali është mbyllur në shtëpi, do me mbyt veten, po qan e po vajton, se nuk e lë nana me marrë vajzën e fesë tjetër.
Apo, anasjelltas, sa e sa zemra e thyer, sa e sa tregimi i dashurisë ka përfunduar me vaj e me lot, shkaku se familjarët nuk donin t’i përzinin fetë në martesë.
Por, gjithmonë ka pasur njerëz që i kanë thyer mitet dhe tabutë.
Pra, ka ndodhur që mashkulli mysliman nuk e ka pyet nanën dhe e ka marrë për grua një vajzë shqiptare katolike, ama ajo grua në shtëpinë e burrit është sjellur si myslimane dhe nuk e ka praktikuar fenë e saj në shtëpinë e burrit, përveç nëse këtë punë e ka bërë tinëz në tavan, ku supozohej se e fshihnin kryqin.
Shqiptarët kanë qenë tolerantë ndaj boshnjakeve (mundësisht, jo femra shqiptare me marrë për burrë boshnjakun), por mashkulli shqiptar me marrë për grua boshnjaken, për shkak të fesë dhe për shkak të racës-bën.
Se, myslimane është edhe turkesha, ama për shkak të ngjyrës së lëkurës popullatës shqiptare u është dukur ‘e huaj’.
Sot, anipse vishemi si evropian, hamë e pimë si amerikanë, mentalitetin e kemi të njëjtin, primitiv, edhe më të zi seç ka qenë.
Sot, dëgjon ti legjenda primitive, intriga e sihir që nuk ti kap truri për këngëtaren Linda Halimi, pse ajo e ka marrë për burrë një ‘zezak’.
Shpirti shqiptar nuk ka përparuar asnjë trohë.
Shumë shqiptarëve (që e shajnë dhe e mallkojnë Lindën, pa e fshehur identitetin e tyre), vetëm pse janë të bardhë, u duket vetja më dikushi se: Martin Luther King, Nelson Mandela, Barak Obama, Michael Jackson, Aretha Franklin, e qindra mijëra afrikano-amerikanë që e kanë hijeshuar këtë botë, e kanë bërë vend më të bukur, më të dashur e më të sigurt për t’u jetuar.
Lëri meshkujt, hajt, jemi mësuar me ta, ama kur i sheh ti shumë strinca shqiptare duke e sulmuar Lindën, të kujtohet ajo bindja se ‘çka i bën zi e terr femra-femrës, mashkulli mbetet lulë’!
P.S. Çka të thuash ti më shumë për një mentalitet primitiv shqiptar (që po e zbulon interneti), kur sapo e çel gazetën, e lexon titulln ‘filan gazetarja, e ndau filan burrin prej gruas dhe dy vajzave, dhe e mori për vete’.
Pra, nuk thotë gazeta se filan burri e la gruan e tij për filan gazetaren, por, për shqiptarët gjithmonë femra është ajo ‘kurva që mashtron burrin’, dhe e ndan nga gruaja…!
Them: Ku i kemi mendtë që pranojmë të mykemi bashkë me juve, në këtë atmosferë mizogjine, dhe pimitive, e cila i ka përfshi edhe institucionet dhe mediat.
Si duket, liria e tepërt e bën robin racist, e bën njeri shumë të poshtër, në vend se ta shërojë nga sëmundja e shpirtit!

Related

Opinione 2392535206648371038

Arkivi

Kontakt

Name

Email *

Message *

STUDJESA PETROL

item