BESIMI TE LETËRSIA E KADARESË, I NGJASHËM SI BESIMI TEK HYJNIA

Bujar Hudhri, botuesi i veprave të Ismail Kadaresë vjen sot në ’80- vjetorin e lindjes së shkrimtarit në një rrëfim mbi raportin mes tyre…T...

Bujar Hudhri, botuesi i veprave të Ismail Kadaresë vjen sot në ’80- vjetorin e lindjes së shkrimtarit në një rrëfim mbi raportin mes tyre…Takimi i parë me shkrimtarin në nëntor të 1995-s dhe dy dekadat me të…

Alda Bardhyli

Takimi mes tyre ka ndodhur shumë kohë më parë, se nëntori i vitit 1995, kur i shoqëruar nga vëllai i tij, studiuesi i artit, Ferid Hudhri, i propozoi të ishte botuesi i veprës së tij. Duhet të ketë ndodhur diku në klasën e tretë fillore kur me kureshtjen e një fëmije që kishte zbuluar magjinë e leximit, mbylli faqet e fundit të romanit “Gjenerali…”. Ky lexim do të ishte më shumë se një zbulim në jetën e Bujar Hudhrit, që gjithnjë do të kërkonte në librari libra të këtij autori. Do të ishin shumë takime përmes faqe librash, deri atë çast nëntori, ku duke besuar te forca që të japin rreshtat mori mbi supe një sfidë jo të lehtë biznesi, gjë që mund ta bëjnë vetëm ëndërrimtarët. Në më shumë se dy dekada, Bujar Hudhri ka krijuar fizionominë e një botuesi sqimatar dhe kjo jo vetëm për sa u përket librave të Kadaresë. Martin Camaj, Lasgush Poradeci, apo autorë të tjerë të letërsisë shqipe dhe të huaj, kanë ardhur nën siglën e “Onufrit”. Sot është 80-vjetori i lindjes së Ismail Kadaresë, një përvjetor i rëndësishëm jo vetëm për letrat shqipe, por edhe për historinë tonë e cila me Kadarenë ka na ka dhënë modelin më të mirë, të gjenezës sonë europiane. Në këtë përvjetor, botuesi i tij, njeriu që ka ndarë sa e sa biseda jo vetëm në shëtitjet në Bulevardin e Tiranës, vjen në një rrëfim për raportin e tyre në më shumë se dy dekada…
Le të kthehemi pas në kohë, në kohën kur ju nisët të lexonit Kadarenë, cili ka qenë libri i parë që keni lexuar prej tij?
Libri i parë që kam lexuar nga Kadare ka qenë “Gjenerali” dhe duhet të kem qenë në klasën e tretë fillore. Që atë ditë e deri më sot, kurrë, në asnjë rast nuk di t’i kem thënë vetes se ka shkrimtar të dytë si ai. Madje, mbaj mend edhe diçka tjetër nga fëmijëria. Më gjen im vëlla, Feridi, të mërzitur dhe më pyet se ç’kisha dhe i them i brengosur, po ja çmimin e parë e ka marrë Dritëroi dhe të dytin Kadareja! Ishte konkursi kombëtar i vitit 1969.
E kujtoni takimin e parë me të? Si ka qenë?
Takimi im i parë me Kadarenë, në shtëpinë e tij ka ndodhur më 14 nëntor 1995. Me sa kuptova, Kadare kishte krijuar një ide për mua dhe nga biseda që bëmë m’u duk se përcaktoi të ardhmen e bashkëpunimit tonë. I kërkova që ta fillonim me një libër, cilin të donte ai. U ngrit nga kolltuku, shkoi në studion e tij dhe u kthye me një libër në dorë. Ishte “Dialog me AlainBosquet” në frëngjisht. ”Ja e fillojmë me këtë”, më tha dhe ma dha në dorë. Im vëlla, Feridi, që ndërmjetësoi këtë takim i tha: Shkruaj dy fjalë Bujarit, se ky takim do t’i duket sikur ka ndodhur në ëndërr”. Pa hezituar aspak, me atë shkrimin e tij të veçantë, shkroi: “Zotit Bujar Hudhri, duke i uruar sukses në punën e tij fisnike dhe si një fillim i bashkëpunimit tonë. Ismail Kadare, Tiranë, 14 nëntor 1995”
Në këto dy dekada sigurisht që janë shumë kujtime… Nëse do të veçonit ndonjë prej tyre, për të treguar një dimension të Kadaresë?
Në dhjetor 2009 shkuam bashkë me Kadarenë në Gjirokastër së bashku me dy gazetarë të televizionit franko-gjerman Arté, të cilët kishin ardhur në Shqipëri për një dokumentar mbi raportin shkrimtarit me lexuesit e tij. Ditë dimri, ftohtë, mjegull, por gjithçka shkoi ngrohtësisht në bisedë me lexuesit, pastaj darka në një lokal larg qytetit, në Jergucat, më duket. Zgjati shumë darka dhe pas mesnate u kthyem në hotel. Kishim udhëtuar gjithë ditën, rruga e kthimit ishte e vështirë, mjegulla e kufizonte shikimin deri në 4-5 metra, ndaj dhe isha i përqendruar në timonin e makinës. Një kohë të gjatë s’folëm, kur befas dëgjoj zërin e Kadaresë, që dukej sikur po i drejtohej vetes. Me sa mbaj mend, ata fjalë ishin ”sa e çuditshme, një foshnje, një fëmijë i këtij qyteti, e bëri këtë qytet të njohur në botë. Sa do gëzohej gjyshja, po të ishte gjallë …ta dinte në sa gjuhë janë lexuar fjalët e saj…” Heshta, më dukej sikur ishte e tepërt çdo fjalë, çdo tingull. Po kur u futa në dhomën e hotelit, pyesja veten, po ç’ishin ato fjalë? Mezi po prisja të vinte mëngjesi. Dhe u zgjova vonë, kur dëgjoj zërin e Kadaresë. E shoh nga dritarja, dukej shumë i shqetësuar. “Eja pak në dhomën time, shiko se ç’hotel na kanë zgjedhur”. Zbrita në katin e parë kur ç’të shoh, nga kondensimi i avullit (dritaret e shihnin nga lumi që kalonte aty pranë) e gjithë dhoma, dukej sikur sapo ishte i larë me markush uji. U drejtuam te bari për kafen e mëngjesit. E mbrëmshmja më dukej si ëndërr ndaj i pasigurt, si të pyesja veten, i thashë se ç’kuptim kishin ato fjalë. “Po kalonim pranë “Vasilikos”. Atje është varrosur gjyshja”,tha dhe m’u duk se i gjithë zemërimi i atij mëngjesi iu zhduk sakaq.
Mund të quheni sot dy miq?
E kam thënë në një intervistë tjetër: “Unë nuk jam miku i Kadaresë. Unë jam botuesi i tij. Miqtë e Kadaresë janë Homeri, Eskili, Shekspiri…” Mund t’ju duket retorikë? Çdo ditë që kalon e ndiej se kështu është dhe sigurisht, kështu ka për të qenë përfundimisht. Për mua ai është nga një planet tjetër, që quhet letërsi. Dhe kurrë, në asnjë rast nuk i kam ngatërruar këto raporte. E quaj si diçka të shenjtë në jetën time dhe po jua them me dy fjalë. Shqipëria është një terren i vështirë për të bërë biznes, sidomos kur ky biznes quhet shtëpi botuese. E kam filluar këtë aksion kur libri ishte në ditët e tij më të zeza. Por ishte ishte besimi te letërsia e Kadaresë, një besim i ngjashëm si besimi te Hyjnia, po të perifrazoj një shprehje të tij të thënë diku, që unë jo vetëm të mbijetoj në këtë biznes të vështirë, por të kem ëndrrën, të kem kurajën dhe të botoj me financat e shtëpisë time botuese, veprën e plotë të Lasgush Poradecit, veprën e plotë të Martin Camajt dhe dhjetëra libra të shkrimtarëve të tjerë shqiptarë, këtu dhe jashtë kufijve të Shqipërisë.
Kohët e fundit, “Onufri” ka hedhur në treg disa romane që janë ribotime. Pse pikërisht tani?
Historia e botimit të këtyre romaneve ka lidhje me tetëdhjetorin e Kadaresë. Duke e ditur mirë se sa zët i ka jubiletë, mendova që këtë ta bëja tërthorazi. E biseduam që në muajin gusht që në treg të nxirrnim të gjithë ata tituj, që ishin të përfshirë në veprën e plotë, por që nuk ishin botuar më vete që prej 30-40 vjetësh, apo nuk ishin botuar asnjëherë. Ishin gati 15 tituj. Pasi Kadare u largua për në Paris, nxora librin e parë, një ese brilante si “Arti si mëkat”. Më merr në telefon dhe thotë, kur e kam shkruar atë libër? S’kam libër me këtë titull! M’u desh t’i shpjegoja se ishte eseja për piktorin Omer Kaleshi, botuar te vepra XIX. E shikoni që kam vepruar drejt, kur s’e mbani mend ju, si do ta kujtojë lexuesi po nuk e botuam më vete? Por, m’u duk që nuk u bind. Ose ishte penduar që kishte pranuar t’i ribotonte. Nga përvoja e dija mirë se sa ngurrues ka qenë kurdoherë për listën e botimeve. Kaq u desh dhe e pezullova punën menjëherë. Kur të vijë në nëntor, thashë me vete. Por atëherë ishte vonë, kishim shumë tituj të autorëve të tjerë që i paraqitëm në Panairin e Librit. Sot, për koincidencë, e mbaruam të gjithë këtë listë.
Ka pasur në këto romane dhe rishikime që shpesh janë përcjellë me debate në duhet një shkrimtar të rishkruajë një vepër të hershme?
E para, as që bëhet fjalë që Kadare ta rishkruajë një vepër. Ç’kuptim ka kjo? Por që ta retushojë artistikisht, gjuhësisht, po. Pas çdo ribotimi, kur i jepet mundësia të ndërrojë një fjalë, shprehje apo të shkurtojë apo shtojë një paragraf? Me ç’të drejtë morale mund t’ia kërkojmë, cilitdo shkrimtari në botë, në gjallje të tij, të mos e përmirësojë tekstin, të mos e përsosë atë në respekt të lexuesit të tanishëm e të ardhshëm? Por nëse hamendësohet se pas këtyre retushimeve gjuhësore apo artistike fshihen ato politike, siç mendojnë disa kritizerë, po ju sjell vetëm një shembull: botimin integral, pa asnjë ndryshim nga botimi në komunizëm, i romanit “Dimri i vetmisë së madhe”. Kjo është lehtësisht e vërtetueshme dhe shmang çdo keqkuptim i krijuar me apo pa dashje.
Gjatë këtyre viteve Kadare ka qenë shpesh dhe në qendër të sulmeve mbi qëndrimet e tij gjatë komunizmit. Si një njeri pranë tij si do i shihje këto mjegulla që shpesh ngrihen mbi të?
Po kush i bën këto sulme dhe kur? Kjo ndodh sa herë Kadare flet për hapjen e dosjeve dhe sa herë vjen tetori i “Nobel”-it. Por Kadare ka sfiduar cilindo në këtë vend kur thotë “ndërkohë që arkivat sekrete kanë brenda qindra faqe plot denoncime kundër meje, nuk është gjendur kurrë dhe nuk do të gjendet kurrë, qoftë edhe një rresht i imi që denoncon ndokënd. ”Botimi vitin e kaluar i librit të studiuesit D. Kaloçi “Kadare i denoncuar” e dëshmon edhe një herë këtë të vërtetë.
Ju si botues dhe lexues i veprës së tij si do ta vlerësonit letërsinë e shkruar prej tij gjatë komunizmit?
Po ju përgjigjem me fjalët e Mandelës shqiptar, Adem Demaçit, kur i shkruante Kadaresë ditën që kërkoi azil politik në Francë:”…në netët e mia, i ngujuar prapa grilave dhe dyerve të çelikut ke qenë me mua, kam qenë me Ty i pandarë, sepse Ti më lirove nga frika e madhe që kam pasur…”
A do të vijë shkrimtari me ndonjë libër të ri në këtë përvjetor?
Kadare ka nisur vitin e kaluar një ese e cila trajton raportin poet – diktator (princ/sundues). Vetëm kaq mund t’ju them. Se kur do të botohet, varet nga autori.
Nëse do zgjidhje një poezi të tijën si të preferuarën tënde cila do të ishte?
Padyshim “Mësueset e fshatit”. Do t’ju tregoj edhe një episod që ka lidhje me këtë poezi. Në një nga shëtitjet në kodrat e liqenit, përballë nesh vjen një djalë rreth të pesëmbëdhjetave (ishte në klasën e gjashtë apo shtatë). Pas tij, e ndrojtur dhe pakëz e skuqur në fytyrë, erdhi e ëma e cila nxitoi të thoshte se djali i saj ishte me sidromën daun, dhe  shkrimtari i tij i dashur ishte Kadareja. Shumë herë kishin dashur të na takonin, por kishin ngurruar. Recitoje tani “Mësueset e fshatit”, iu drejtua djalit. Dhe ai, pa ia ndarë asnjë çast sytë Kadaresë, nisi të recitojë, por dukej sikur po këndonte një këngë dhe befas fytyrës së tij i ra një nur i bukur. U mbërthyem të gjithë nga emocioni, ndërsa ai filloi një tjetër poezi, pastaj një tjetër derisa e ëma e bindi që shkrimtari i tij i dashur tashmë duhej të largohej. S’gjen shkrimtar në botë që ka një lidhje të tillë me lexuesin!

Related

Kultura 3846667653376702651

Arkivi

Kontakt

Name

Email *

Message *

STUDJESA PETROL

item