A është Tirana qendra e shqiptarëve?

Pavjo Gjini Më 9 janar, një video është shpërndarë masivisht në rrjetet sociale. Në video shihet një grup shqiptarësh nga Tirana të ...

Pavjo Gjini

Më 9 janar, një video është shpërndarë masivisht në rrjetet sociale. Në video shihet një grup shqiptarësh nga Tirana të cilëve u ndalohet kalimi në Kosovë nga policia kufitare e Kosovës pa përdorur asnjë argumentim ligjor a logjik mbi këtë masë veç argumentit të forcës. Këtë e them me siguri pasi isha njëri prej të dëbuarve. Nga ana tjetër, shqiptarët e kthyer në kufi hapën banderolën ku shkruhej “Tirana mbështet Opozitën”.
Disa nga pyetjet e shtruara mbi këtë ngjarje janë: “Kush janë shqiptarët e ndaluar dhe pse po shkonin në Kosovë?”, “Pse policia kufitare e Kosovës ndaloi shqiptarët të kalonin kufirin?” dhe “Pse duhet mbështetur opozita e Kosovës nga Tirana?”
Pyetjes së parë mund t’i përgjigjet secili nga shqiptarët e ndaluar në kufi. Për veten, mendoj se mjafton shpjegimi se jam shqiptar i cili po shkonte në Prishtinë për t’iu bashkuar protestës gjithë popullore të organizuar nga opozita e Kosovës. Kjo protestë bëhej për rrëzimin e qeverisë që qe, dhe është, e gatshme të firmosë, pa pyetur parlamentin, marrëveshje antikushtetuese që cenojnë sovranitetin e Kosovës. Bëhet fjalë për të shumëpërfolurën “Zajednica”, marrëveshja e 25 gushtit 2015 me qeverinë e Serbisë ku qeveria e Kosovës i dorëzon qeverisë së Serbisë kontrollin politik të rreth 25% të territorit. Marrëveshja e përçan Republikën e Kosovës me një shtet-serb brenda shtetit përmes bashkimit të komunave me shumicë serbe në një entitet politik paralel ndaj shtetit qendror. Gjithashtu bëhet fjalë për marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi ku këtij të fundit desh iu dhuruan rreth 10 000 hektarë të territorit.
Pyetjes së dytë e kanë për detyrë t’i përgjigjen policia kufitare e Kosovës dhe shteti i Kosovës. Shteti i Republikës së Shqipërisë me instancat përkatëse duhet të kërkojë sqarimin e këtij incidenti. Gjithsesi ky incident na rikujton, atë që e dimë të gjithë ne shqiptarët, se kufiri që na ndan nuk është dhe nuk ka qenë kurrë i padukshëm. Por, brenda kontekstit të muajve të fundit ky ndalim i joni pa shpjegime nuk është rastësor. Me 9 janar janë ndaluar edhe shumë autobusë të tjerë brenda Kosovës që shkonin në Prishtinë. Në gjendje paniku koalicioni qeverisës LDK-PDK i ka instrumentalizuar të gjitha aparatet shtetërore në shërbim të sigurisë publike për sigurinë e tyre private. Prej muajsh policia e instrumentalizuar e Kosovës po kryen përndjekje, pengmarrje, arrestime dhe keqtrajtime masive të deputetëve dhe aktivistëve të opozitës në Kosovë të angazhuar guximshëm në mbrojtje të sovranitetit të Republikës. Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi po thonë se çdo përpjekje shqiptare për Republikë, sovranitet, zhvillim dhe bashkim do të shtypet pasi përbën rrezikshmëri të lartë për ata personalisht dhe shoqërinë e tyre private. Brenda kontekstit, autobusi i ndaluar nga dogana Kosovare shpreh publikisht këtë panik të pushtetit që e sheh rrezikun ndaj tij edhe te një grup i vogël shqiptarësh nga Shqipëria.
Pyetjes së tretë duhet t’i përgjigjen të gjithë ata që e marrin si të mirëqenë mendimin e shumë përhapur se Tirana është qendra e të gjithë shqiptarëve.
Nëse Tirana është qendra e shqiptarëve, a nuk do duhej ajo të shprehej përmes institucioneve që mban mbi supe si Qeveria, Presidenca, Akademia e Shkencave, Universitetet, Mediat, Shoqëria Civile dhe banorët e qytetit se një qeveri shqiptare në Kosovë që është e gatshme të humbasë kontrollin e 25% të territorit duhet të bjerë, rrjedhimisht mbështesim forcat e opozitës që kërkojnë dorëheqjen a rrëzimin e qeverisë dhe zgjedhje të parakohshme?
Nëse Tirana është qendra e shqiptarëve, a duhet ta shohë ajo pavarësinë e Kosovës si pavarësi nga Shqipëria? Vetëvendosja përmes Albin Kurtit e ka bërë shumë të qartë se “nuk munden ta mbrojnë pavarësinë e Republikës së Kosovës ata që këtë pavarësi e shohin si pavarësi nga Shqipëria”; se pavarësia e Kosovës nga Shqipëria, që rrjedhimisht nënkupton pavarësinë e Shqipërisë nga Kosova, do të thotë brendësim i Serbisë në Kosovë. “Zajednica” është rezultat i kësaj mënyre të të menduarit/vepruarit nga qeveritë tona.
Ka shumë “nëse” që mund të shtohen, sepse ekziston një “NËSE” e madhe nëse Tirana është realisht qendra e Shqiptarëve. Me 28 nëntor 2015, Bashkia e Tiranës nuk organizoi asnjë aktivitet të rëndësishëm për të rivendosur në vetëdije faktin se ekzistojmë sot si shqiptarë vetëm ngaqë disa/shumë shqiptarë në 1912 patën guximin me i parapri emrit tonë. Një subjekt i vërtetë politik është paraprijës dhe parapritës i të ardhmes. Turpshëm, 28 nëntori u trajtua si parapërgatitje për bizneset dhe bashkinë që më 29 nëntor të organizonin një festë me natyrë pagane pasmoderne ndërkombëtare si “nata e bardhë” ku të këndonin këngëtarë të huaj dhe konsumi në qytet të rritej. Në të njëjtën kohë, në Prishtinë, me 28 nëntor 2015, u rishpall, më qartë se kurrë, programi politik për bashkim kombëtar nga Albin Kurti gjatë manifestimit të opozitës për një Republikë Sovrane të Kosovës.
Nuk ka nevojë Prishtina për mbështetjen e Tiranës, pasi është vetëvendosur prej kohësh faktikisht si qendra e shqiptarëve. Projekti kombëtar për një republikë të pavarur dhe me sovranitet të Kosovës si hapi i parë drejt bashkimit kombëtar, të vetmin subjekt politik që po i qëndron besnik, ka Lëvizjen Vetëvendosje e cila e kryen aktivitetin e saj politik në Prishtinë dhe Kosovë. Si vetëvendosje mund të themi se çështja kombëtare shqiptare është e vetmja politikë e përbashkët që kemi për avancimin e pozitës tonë shoqërore; se qendrat e shqiptarëve janë vetëm ato vende ku po punohet me guxim për çështjen kombëtare shqiptare, dhe se nuk ka politikë shqiptare pa subjekte politike që e organizojnë dhe i qëndrojnë besnike asaj përmbi vdekje.
Aktualisht, në Tiranë pyetja themelore është nëse do të angazhohemi ne, shqiptarët brenda Republikës së Shqipërisë, për ta detyruar Tiranën që të mbajë anë brenda konfliktit politik në Kosovë në mbështetje të opozitës? Tirana vazhdon t’i thurë lavde vetes si qendra e shqiptarëve edhe pse mban mbi supe një traditë të turpshme neutraliteti ndaj çështjes kombëtare. Tirana vazhdon t’i thurë lavde vetes si qendra e shqiptarëve, edhe pse është themeluar dhe mbetet më shumë qendra e projekteve ndërkombëtare me shqiptarët. Në shembullin më të mirë të vullnetit popullor në Prishtinë, Tirana duhet të bëhet më vetëvendosje dhe t’i bëhet krah forcave opozitare në Kosovë të punojnë për forcimin e sovranitetit të Kosovës si fillim dhe për bashkimin e shqiptarëve në vazhdim. Subjekti i vërtetë politik nuk merr leje. Subjekti thotë si Ukshin Hoti: Bëje ose Vdis!

Related

Opinione 8050575587516902622

Arkivi

Kontakt

Name

Email *

Message *

STUDJESA PETROL

item