Kush është Fethullah Gülen

*Nga Claire Berlinski Predikuesi mysliman kontrovers, intriganti i frikësuar turk – dhe “frymëzuesi” i rrjetit më të madh të shk...

*Nga Claire Berlinski
Predikuesi mysliman kontrovers, intriganti i frikësuar turk – dhe “frymëzuesi” i rrjetit më të madh të shkollave komunitare në Amerikë.
Me një ekonomi amerikane që zvarritet, Europën që po shembet dhe Lindjen e Mesme në kaos, të bindësh amerikanët që të kenë kujdes nga një predikues turk i quajtur Fethullah Gülen është një sipërmarrje jashtëzakonisht i vështirë. Shumë amerikanë nuk kanë dëgjuar kurrë për të dhe, nëse kanë dëgjuar, ai duket të jetë shqetësimi i tyre më i vogël. Sipas faqes së tij të internetit, ai është një “shkollar, mendimtar, autor, poet, prijës opinioni dhe aktivist mysliman turk autoritativ, që mbështet dialogun ndërfetar dhe ndërkulturor, shkencën, demokracinë dhe spiritualitetin dhe kundërshton dhunën dhe shndërrimin e fesë në ideologji politike.” Faqja shton se “sipas disa vlerësimeve, disa qindra organizata arsimore si shkolla parauniversitare, universitete dhe shkolla të linguistikës janë ngritur në të gjithë botën nën frymëzimin e Fethullah Gülen.” Gjithashtu, faqja vëren se Gülen qe “i pari shkollar mysliman që dënoi publikisht sulmet e 11 shtatorit.” Ajo ngre lart edhe modestinë e tij.
Në fakt rrëfimit i mungon diçka. Gülen është një figurë e fuqishme e biznesit në Turqi dhe – për ta thënë butë – figurë kontroverse. Ai është një biznesmen gjithnjë në rritje edhe në shkallë globale. Janë diku ndërmjet 3 milion deri në 6 milion ndjekës të Gülenit – ose, po të përdorim termin që ata preferojnë, njerëz që janë të “frymëzuar” prej tij. Burimet variojnë shumë në vlerësimet për vlerën e institucioneve të “frymëzuara” nga Güleni, të cilat janë shtrirë në çdo kontinent të populluar, por ato që bazohen në regjistrat e gjykatës amerikane luhaten ndërmjet 20 miliard dollarë në 50 miliard. Ç’është më interesante nga pikëpamja amerikane, Güleni jeton në Pensilvani, në Pokonos. Ai është, ndër të tjera, një lojtar kryesor në botën e shkollave komunitare në Amerikë – sadoqë ai prentendon se nuk ka pushtet mbi to; ato thjesht janë frymëzuar në mënyrë të mrekullueshme, thotë ai.
Edhe vetëm për këto arsye, ju do të donit të dinit më shumë për Gülenin, veçanërisht për shkak se disa komentues që shkruajnë rreth tij përgjithësisht e keqpërshkruajnë atë, qoftë duke e quajtur “islamist radikal” apo “mysliman liberal”. E vërteta është shumë më e ndërlikuar – në një shkallë që gjithkush e kupton.
Për të filluar të kuptosh Gülenin, duhet të nisësh me historinë e levizjës Nurxhu. Said Nursi (1878–1960), një mysliman synit i traditës sufije, ishte një prej personaliteteve fetare karizmatikë më të spikatur të periudhës së fundit të Kalifatit Osman dhe Republikës së hershme Turke. Vepra e tij Risale-i Nur, e përçmuar dhe shpeshherë e ndaluar nga Republika, shërbeu si bazë për fomimin e “rretheve të leximit” – komunitete të shpërndarë gjeografikisht në madhësinë e qyteteve të vogla që mblidheshin për të lexuar, diskutuar dhe përbrendësuar tekstin dhe për ta dubluar atë kur ishte e ndaluar. Nurxhutë priren të thonë se Risale-i Nur buron nga Kurani. Ata që nuk janë nurxhu shpeshherë e gjejnë këtë pretendim të papërshtatshëm apo arrogant.
Këto rrethe leximi gradualisht u përhapën në Anadoll. Hakan Yavuz, një politikolog turk i Universitetit të Utah, e quan lëvizjen Nurxhu “një lëvizje rezistence ndaj procesit të vazhdueshëm modernizues kemalist”. Por ajo është edhe “progresive”, thotë Yavuz, “një kuadër konceptual për një popull që kalon në procesin e transformimit nga një komuniteti konfesional (Gemeinschaft) në një shoqëri sekulare kombëtare (Gesellschaft)… Koncepte dhe praktika folklorike islamike janë ripërkufizuar dhe rishikuar për të ngritur rrjete të reja solidariteti dhe strategji të jetës së përditshme për t’u përshtatur me kushtet e reja”. Ta quash këtë lëvizje “fundamentaliste” apo “radikale” është të boshatisësh të dy termat. Është poaq trashanike ta konsiderosh atë si primitive nga aspekti teologjik. E pranoj se nuk i kam lexuar të 6 mijë faqet e Risale-i Nur, por kam lexuar mjaftueshëm për të thënë se Nursiu është një mendimtar mjaft i sofistikuar.
Lëvizja e Gülenit, ose xhemati, lindi nga përafërsisht një dyzinë rrethesh neo-nurxhu të leximit. Güleni lindi në vitin 1941 afër Erzurumit, kufiri lindor i asa që sot është Republika Turke. Ky territor kontestohej ashpër nga perandoritë ruse, perse dhe osmane dhe i dha gjunjë një interpretimi të Islamit të injektuar fort me nacionalizëm turk. Kur asgjë përveç shtetit turk nuk qëndron mes jush dhe rusëve, ju bëheni nacionalist turk, shpejt. Në të njëjtën mënyrë, në kundërshtim me një keqkonceptim të zakonshëm amerikan që e shohin botën islame si monolite, gülenistët nuk i konsiderojnë miq persët.
Dy pika të dallueshme në filozofinë e Gülenit
Së pari, ai i shkurajon fuqimisht ndjekësit e tij nga tebligu, apo prozelitizmi i hapur. Ai i nxit ata që, në vend të tij, të praktikojnë temsilin – të jetuarit e një mënyrë islame të jetesës në çdo kohë, përmes dhënies së shembullit të mirë dhe mishërimit të idealeve të tyre në mënyrën e tyre të jetesës. Nga ajo që kam parë në Turqi, mishërimi i këtyre idealeve përfshin sjelljet e mira, punën e rëndë dhe financimin e shumë aktiviteteve të bamirësisë. Ai gjithashtu përfshin një rol shumë të ndarë për gruan. Unë nuk do të kisha dëshirë të jetoj në një botë të ndarë, siç e konsiderojnë të pranueshme ata. Dyshoj se as sociologët perëndimore që e kanë përshkruar lëvizjen Gülen si analoge me, të themi, Jugbaptistët bashkëkohorë apo Kalvinistët gjermanë, nuk do ta dëshironin atë.
Së dyti, Güleni i qëndron mendimit (publikisht) se myslimanët dhe jomyslimanët njëherë e një kohë jetonin në paqe sepse turqit osmanë ngritën një mjedis tolerance. Për ta restauruar këtë bashkëekzistencë paqësorë në shkallë botërore – thotë ai – turqit duhet të bëhen udhëheqës të botës në promovimin e tolerancës ndërmjet feve – dhe turqit që ndjekin mësimet e tij duhet të bëhen udhëheqës të botës.
Megjithatë, kritikët e Gülenit pashmangshmërisht i referohen një fjalimi të tij që doli në dritë në një video të vitit 1999:
Ju duhet të hyni në arteriet e sistemit pa e vënë re askush ekzistencën tuaj derisa të arrini të gjitha qendrat e pushtetit… derisa të piqen kushtet, ata [ndjekësit] duhet të vazhdojnë kështu. Nëse bëjnë diçka në mënyrë të papjekur, bota do të na shembet mbi kokë dhe myslimanët kudo do të vuajnë, si në tragjeditë në Algjeri, si në 1982 [në] Siri… si në katastrovat dhe tragjeditë e përvitshme në Egjipt… Koha e duhur nuk ka ardhur akoma. Ju duhet të prisni kohën kur të jeni plotësuar dhe kushtet të jenë pjekur, derisa të jemi në gjendje të vëmë mbi shpatulla të gjithë botën dhe ta mbajmë atë… Ju duhet të prisni deri sa të vijë një kohë e tillë, ndërkohë që ju keni marrë gjithë pushtetin e shtetit, derisa të keni shtënë në dorën tuaj të gjithë pushtetin e institucioneve kushtetuese në Turqi… Tani, ua kam shprehur ndjenjat dhe mendimet e mia të gjithëve ju – në mirëbesim… duke i besuar besnikërisë dhe fshehtësisë suaj. Unë e di se kur të ikni prej këtu, [njësoj] siç hidhni kanoçet e boshatisura, duhet të hidhni mendimet dhe ndjenjat që ua shpreha këtu.
Nga ky moment, Güleni është zhvendosur nga Turqia në Shtetet e Bashkuara për trajtim mjekësor. Megjithatë, në vitin 2000, ai u gjykua në mungesë nga një gjykatë shtetërore e sigurisë për përpjekje për të zëvendësuar qeverinë laike të Turqisë me një qeveri islamike. Akuza pohonte se lëvizja e tij ishte përpjekur të infiltrohej në shkollat ushtarake të Turqisë. Ndjekësit e tij thonë se video ishte manipuluar për ta inkriminuar atë, por ata nuk e kanë publikuar kurrë shiritin original që supozohej si joarmiqësor. Pas vitesh përplasjeje ligjore, Güleni u lirua nga akuza në vitin 2008.
Xhemati i Gülenit është pa dyshim grupi më i fuqishëm Nurxhu në Turqi, i përshkruar nga shumë njerëz si pushteti i tretë i Turqisë, përkrah Partisë së Drejtësisë dhe Zhvillimit gjithnjë e më autoritare të Kryeministrit Recep Tayyip Erdoğan (e njohur si AKP, inicialet e saj në turqisht) dhe ushtrisë. Struktura dhe organizimi i xhematit janë shkak për kontroversialitet. Anëtarët priren të jenë evazivë jo vetëm sa i përket marrëdhënies së tyre me Gülenin por edhe sa i përket ekzistencës së vetë xhematit. Së fundi, një pjesë kanë rekomanduar turqit të përdorin fjalën xhamia në vend të xhemat. Çfarë dallimi ka? Jo shumë. Xhamia përçon lidhje vullnetare. Xhemati ka kuptimin e “kongregacionit”, ndërsa xhamia i ngjan më shumë rrethit. Por fjala xhemat është ngarkuar kaq shumë me ngjyrim negativ sa rimarkimi u bë i nevojshëm. Güleni vetë e quan lëvizjen e tij Hizmet, ose shërbim.
Mbështetësit e lëvizjes thonë se struktura e saj është informale – që të qenurit “e frymëzuar” nga Güleni është njësoj si “e frymëzuar” nga Nënë Tereza. Kritikët, përfshirë edhe shumë njerëz që e kanë braktisur lëvizjen, vërejnë se struktura e saj organizative është strikte, hierarkike dhe jodemokratike. Güleni (i njohur për ndjekësit e tij si Hoxha efendi, ose “kryemësuesi”) është udhëheqësi i saj i vetëm – thonë ata – dhe çdo komunitet udhëhiqet nga abilerët (shumësi i abi), apo vëllezërit e mëdhenj, të cilëve u është besuar vetëm një masë e kufizuar informacioni. Sociologia Berna Turam ha argumentuar se abilerët japin sugjerime të forta, dhe ndoshta diktojnë, se me kë duhet të martohen anëtarët. Edhe nëse bashkëshortët/et e pritura nuk janë brenda xhematit, xhemati duhet të përfitojë prej tyre: një bashkëshort/e nga një familje e pasur dhe e pushtetshme do të ishte avantazh, për shembull. Kjo duket e besueshme: ne shpesh e shohim këtë qasje ndaj martesës në shoqëri me institucione të dobëta dhe besim të ulët shoqëror, dhe Turqia është sigurisht shoqëri e tillë.
Tre rrathët e lëvizjes
Lëvizja, sipas studiuesve si Yavuz, ka tre rrathë të gërshetuar: biznesmenët, gazetarët dhe mësuesit. Rrethi i parë, e ashtuquajtura borgjezi anadolliane, ofron mbështetje financiare: ajo financon shkollat e mesme private, universitetet, kolegjet, konviktet, kampet verore dhe fondacionet nëpër botë. Gazetarët nga rrethi i dytë zotërojnë një prej gazetave kryesore turke, Zaman; homologen e saj në gjuhën angleze, Today’s Zaman, (që shpeshherë nuk është përkthim i besueshëm); stacionin televiziv turk STV; shërbimin e lajmeve Xhihan; shumë revista dhe periodikë akademikë; disa të përditshme dhe kanale televizive më të vogla; si dhe shumë portale lajmesh në internet. Në fund, mësuesit menaxhojnë shkollat.
Një mesazh përmes e-mailit i lëshuar nga WikiLeaks dhe i shkruar nga Reva Bahalla, një punonjës i kompanisë private të inteligjencës Stratfor, jep hollësi për dy rrathët e parë. E-maili përshkruan “qëndrimin me gülenistë të thekur” në Stamboll. Ai fillon me një vizitë në zyrat qëndrore të Zaman:
Mënyra si e paraqesin ata axhendën e tyre është se ajo i kushtohet demokratizimit në Turqi, të drejtave të njeriut, paqes botërore, etj. Tipi citonte filozfët liberalë perëndimore në përpjekje për të dëshmuar sa shumë të përbashkëta kanë ata me to sa i përket këtyre vlerave demokratike, dhe kjo është thelbësore për kandidaturën e Turqisë për në BE. Ironia – pretendojnë ata – është se njerëzit mendojnë se, për shkak se ata janë islamikë, ata janë fundamentalistë dhe jo modernë, ndërkohë që autoritarët (sipas vështrimit të tyre) d.m.th. ushtria, shihen nga Perëndimi si modernë …(shënimi im – ajo që vumë re Emre dhe unë është se në të gjitha takimet me gülenistët, ata recitonin pothuaj të njëjtët rreshta fjalë për fjalë…)
Ditën tjetër, Emre dhe unë vizituam organizatën güleniste që koordinon të gjithë këto konferenca masive anembanë botës për të promovuar axhendën e tyre, për të gjeneruar fonde, rekrutuar, etj. Zyra e tyre ndodhet në një pjesë shumë të shtrenjtë të Stambollit. Ata zotërojnë mjediset më të mira, këtë sistem të bukur teatri. Shkurt, ata kanë para. Tani duhet të pyesësh veten, nga vijnë gjithë këto para? … Fondet e tyre vijnë kryesisht nga kooptimi i klasës së biznesit anadollian…
Pas një turi shumë të gjatë nëpër gjithë ndërtesën, nga maja në fund, ata na ulën të shohim një film të propagandës së Gülenit në teatrin e tyre… Ai tipi gülenist rrëmbehet kaq shumë nga fjalimi i Fethullah Gülenit në video, sa fillon të qajë. Ndërkohë, unë mundohem të përmbaj veten aq shumë që të mos qesh.
Mirë, është gallatë, gjithnjë nëse nuk të duhet të jetosh këtu.
Kudo ku shtrihet lëvizja, duket që ndjek një rrugë të veçantë. Sociologu Jonathan Lacey ka studiuar akvititetet e tyre në Irlandë, ku Shoqëria Kulturore dhe Arsimore Turko-Irlandeze (TIECS) e frymëzuar nga Güleni organizon udhëtime njëjavore në Turqi për personat joturq:
Unë kuptova se këto udhëtime financohen nga biznesmenë, të cilët janë anëtarë të Komunitetit Gülen. Anëtarët e TIOECS pretendojnë se këto udhëtime financohen me qëllim promovimin e dialogut ndërkulturor. Megjithatë, fakti që Komuniteti Gülen është i angazhuar aktivisht në tregëti si edhe në arsim në Azinë Qëndrore, unë propozova që këto biznesmenë të financojnë këto udhëtime, të paktën pjesërisht, për të rritur tregëtinë ndërmjet Irlandës dhe Turqisë. Një tjetër mundësi për këto sponsorizime mund të gjendet në shpresën për të promovuar një përshtypje pozitive për Turqinë në Europë, duke siguruar kësisoj hyrjen në Bashkimin Europian.
Studiuesi francez Bayram Balcı, i cili është me origjinë turke, përshkruan diçka të ngjashme në aktivitetet e lëvizjes në Azinë Qëndrore:
Biznesmenë nga një qytet i veçantë në Turqi, për shembull, Bursa, do të vendosin të përqëndrojnë përpjekjet e tyre në një qytet të caktuar të Azisë Qëndrore, për shembull Tashkent. Atëherë, investimi Nurxhu do të bëhet i rëndësishëm në Tashkent, dhe një lloj binjakëzimi … ndërmjet dy qyteteve është rezultat i tij. Anëtarët e grupit Nurxhu – të cilët mund t’i konsiderojmë misionarë – janë dërguar nga lëvizja me qëllim që të kontaktojnë me kompani të rëndësishme, burokratë dhe personalitete që të vlerësojnë nevojat lokale. Atëherë, ata ftojnë disa nga këto personalitete të rëndësishme në Turqi… organizatat Nurxhu i mikpresin ata dhe u tregojnë atyre shkollat private dhe fondacionet e xhematit, pa ua përmendur kurrë këtë fjalë.
Duhet të kemi admirim apo të shqetësohemi nga xhemati, kjo varet nga përgjigja ndaj kësaj pyetjeje: Çfarë ka pas kësaj? Dhe për të mbërritur në atë përgjigje, nevojitet të shqyrtohen dy gjëra rreth tij, që dihen se janë shqetësuese. Së pari, ka evidence se xhemati është autoritar së brendshmi, madje okult. Ilhan Tanır, gazetar turk i cili ishte në xhemat por doli prej tij, ka shprehur shqetësim të veçantë për bindjen e verbër që u kërkohet anëtarëve të tij:
Duke ngatërruar botën reale me atë kozmike, lëvizja e sheh shpeshherë veten si të vetëmjaftueshme dhe të bekuar në çdo rast, si dhe e rrethuar me mrekulli. Për pasojë, kur dëgjohet ndonjë kritikë ndaj dëshirave dhe punës së saj, ajo e barazon interesimin dyshues ose me ligësi ose me shërbimin ndaj qëllimeve të fshehta. “Itaat-i”, apo bindja, për pasoje bëhet karakteristika e parë dhe më e rëndësishme e një anëtari “të mirë” dhe “të besuar”… Duke jetuar në një mjedis të tillë për kaq shumë kohë, shumë njerëz thjesht bëhen të trembur në përballjen me botën jashtë ose janë shumë të dobët të jetojnë në një botë reale.
Për më tepër, shprehet Tanır, xhemati beson se misioni i tij kozmik “justifikon çdo sjellje për të arritur qëllimet e tij me çdo kosto.”
Në vitin 2008, qeveria hollandeze nisi hetimet ndaj aktiviteteve të lëvizjes në Hollandë. Ella Vogelaar, Ministrja për Strehimin, Komunitetet dhe Integrimin, paralajmëroi se “në terma të përgjithshëm, kur një organizatë bën thirrje për t’u shkëputur nga shoqëria, kjo është një përplasje me objektivat e integrimit”. Ajo vërente se mbi qeverinë biente detyra “të mbikqyrte me rreptësi njerëzit dhe organizatat që në mënyrë sistematike nxisin sjelljet kundërintegruese, pasi kjo mund të jetë një tokë pjellore për radikalizim”. Në dëshminë rreth një prej shkollave në hetim, një ish-anëtar i lëvizjes e quajti atë “sekt me të menduar në grup, jashtë të cilit studentët nuk munden [të arsyetojnë]”:
Pasi ke jetuar vite të tëra në shkollat me konvikt, është psikologjikisht e pamundur të tërhiqesh; përjeton ndjesi faji. Për më tepër, ajo i detyron studentët të jetojnë, mendojnë dhe veprojnë siç i udhëzojnë Vëllezërit e Mëdhenj [abilerët]. Përveç kësaj, përmes presionit psikologjik, këtyre studentëve u tregohet se cila zgjedhje karriere është më e mira që mund të bëjnë për hir të idealeve të larta… Një tjetër aspekt shumë i keq është se studentët nuk i respektojnë më prindërit e tyre dhe nuk i dëgjojnë nëse prindërit nuk jetojnë sipas standardeve të vendosura nga grupi. Ata distancohen psikologjikisht nga prindërit. Ja, pra, ku janë ushtarët e vegjël që marshojnë vetëm nën urdhërat e abilerëve të tyre. Abilerët janë të detyruar të binden ndaj udhëheqësve të provincës, të cilët nga ana e tyre u nënshtrohen udhëheqësve kombëtarë, të cilët i nënshtrohen Fethullah Gülenit.
Në përfundim të hetimit, qeveria hollandeze, duke arritur në përfundimin se shkollat e Gülenit nuk nxisnin në të vërtetë “sjellje kundërintegruese”, reduktoi financimin publik për ta.
Besimi se lëvizja komandon apo frymëzon bindje të verbër nuk është kufizuar vetëm tek ata që janë larguar nga radhët e saj – zëdhënësit e saj krenohen me këtë gjë. Në vitin 2010, gazetari amerikan Suzy Hansen, që shkruante për The New Republic, vizitoi Qendrën e Adhurimit dhe Veçimit të Brezit të Artë (Golden Generation Worship and Retreat Center) në Salyorsburg, Pensilvani, ku jeton Güleni. Administratori i objektit, Bekir Aksoy, i shpjegoi asaj se “njerëzit tanë nuk ankohen… Ata u binden urdhërave plotësisht… Më ler të ta shpjegoj. Nëse një person me Ph.D. dhe karrierë vjen të vizitojë Hoxhaefendiun dhe Hoxhaefendiu do t’i thoshte atij që do të ishte ide e mirë të ndërtonte një fshat në Polin e Veriut, njeriu me Ph.D. do të kthehej mëngjesin tjetër me një valixhe.”
Fakti i dytë shqetësues rreth aktiviteteve të xhematit është se organizatat turke të medias të bashkëlidhura me të ndjekin një axhendë tërësisht të kundërt me idealet e shpallura publikisht të lëvizjes. Versioni anglisht i Zamanit shpeshherë dallon në mënyrë domethënëse nga ai në turqisht. Shënime rreth armiqve të Islamit, armenëve të pabesë dhe kurtheve të Mossadit redaktohen dhe hiqen nga versioni në gjuhën angleze, siç ndodh edhe me komente të tjera që janë të papërputhshme me mesazhin e tolerancës ndërkulturore. Për shembull, vitin e kaluar Today’s Zaman botoi kritikën që Güleni i drejtonte qeverisë rreth dështimit për të zgjidhur çështjet e vjetra të të drejtave të kurdëve, por la në harresë lutjet e tij të errëta: “Përmbysua shtëpitë e tyre, shkatërrojua unitetin, bëjua shtëpitë hi, shtëpitë e tyre u mbushshin me vajtim dhe lutje, digjua dhe zhvoshkua rrënjët, dhe jepu fund atyre”. Mbështetësit e Gülenit do të ngulin këmbë se ai po i referohej vetëm Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit, ose PKK, të cilën ShBA-të e konsiderojnë me të drejtë grup terrorist. Por shumë qytetarë turq kurdë etnikë e dëgjuan këtë si një thirrje për genocid dhe u tmerruan prej saj.
Ose merrni në konsideratë kundërshtimin e arsyeshëm të Gülenit, të botuar në Today’s Zaman, ndaj akuzës së njohur se ndjekësit e tij janë infiltruar në organet e shtetit: “Të nxisësh bashkëqytetarët të kërkojnë punësim në institucionet e shtetit nuk do të thotë infiltrim. Si njerëzit e nxitur ashtu edhe institucionet i përkasin këtij vendi… Është e drejta e tyre të punësohen në pozita shtetërore.” Këto elipse tregojnë që diçka nga Zamani në gjuhën turke është lënë pa përkthyer. Ajo që është lënë pa përkthyer është “Kastedilen manadaki sızmayı belli bir dönemde bu milletten olmayanlar yaptıla”, që do të thotë se në të shkuarën, shteti ishte infiltruar nga ata që ‘nuk ishin pjesë e këtij kombi.” Ata që e njohin Turqinë do ta njohin deklaratën si pjesë e një kuptimi të gjithënjohur të historisë në të cilën infiltrimi shpjegon veprimet e shtetit qysh nga shekuli i nëntëmbëdhjetë. Aludimi i qartë është se shteti ishte infiltruar dikur nga jomyslimanë ose nga njerëz që vetëm pretendonin të ishin myslimanë – me të cilëve Atatürku, sigurisht. (Ndonëse të huajt në Turqi e lexojnë Today’s Zaman për pothuaj të njëjtat arsye që kremlinologët dikur lexonin Pravda, duhet të nënvizoj se duket se ajo është influencuese edhe ndërmjet vëzhguesve të jashtëm dhe me gjasë i është e këndshme edhe Anne-Marie Slaughter-it, e cila së fundmi është drejtore e planifikimit të politikave në Departamentin e Shtetit).
Por, për të kuptuar dosjen më të fortë ndaj perandorisë mediatike të Gülenit, na duhet të shqyrtojmë pak historinë e freskët të Turqisë. Në qershor 2007, policia zbuloi një arkë me granata në një lagje të varfër të Stambollit. Hetuesit pretenduan se ato u përkisnin një klike të errët konspiratorësh të quajtur Ergenekon. Organizata ishte me sa duket një degë e të ashtuquajturit Shtet i Thellë – një koalicion sekret i figurave të nivelit të lartë në ushtri, shërbime inteligjente, magjistraturë dhe krim të organizuar, të cilat s’do mend se ekzistuan në një nivel të caktuar dhe pa dyshim që ekzistojnë akoma. Ergenekon, gjoja, planifikoi të inskenonte një varg sulmesh terroriste anembanë Turqisë dhe të përdorte kaosin e pritur si pretekstin e një grushti shteti.
Që kur doli ky lajm, mijëra turq janë arrestuar nga qeveria e drejtuar nga AKP, përfshirë oficerë ushtrie, akademikë, teologë dhe gazetarë. Në vitin 2009, nisi një raund i ri arrestimesh masive, duke vënë në shenjestër kurdë dhe majtistë, si dhe avokatët e tyre. Gazetarët që janë dëshmitarë të këtyre gjyqeve dalin të shokuar, të paaftë të besojnë absurditetin e spektaklit. Për shembull, unë kam parë drejtuesin e një jurie të pyesë të akuzuarin përse – nëse provat ndaj tij ishin fabrikuar, siç pretendonte i akuzuari – ai nuk e kishte kapur fabrikuesin. Përtej mungesës së plotë të lidhjes së kësaj pyetjeje (ajo nuk është detyra e të akuzuarit), ishte edhe fakti i dukshëm që i akuzuari kishte qëndruar në një qeli burgu që nga arrestimi dhe, kësisoj, ishte në një pozicion të vështirë për të bërë punë policore të pavarur.
Është e pamundur të mos arrish në përfundimin se diçka është kalbur në mënyrën si funksionon aktiviteti i proceseve gjyqësore në këto raste, të cilat deri së voni ishin nën kontrollin e të ashtuquajturit Gjykata të Autoritetit Special. Këto i qenë shitur publikut si një përparim ndaj gjykatave të urryera të ushtrisë në Turqi, por për aq sa mund të them, ato nuk përbënin ndonjë përmirësim të madh në sistemin e drejtësisë. Nuk është e nevojshme të jesh specialist ligjor për ta vënë re këtë: të duhet të shpenzosh vetëm 15 minuta duke parë cilësinë e provave mbi të cilat ato mbështeten. Shembulli më i famshëm përfshin pranimin si provë i planeve për grusht shteti që u referohen entiteteve që nuk ekzistonin akoma në vitin që pretendohej se ishin përgatitur. Por kushdo që kërkon shembuj të tjerë, do të lodhej nga mundësitë e zgjedhjes.
Tashmë media güleniste i kanë duartrokitur këto arrestime dhe gjyqe masive – duke i paraqitur si pastrim i Shtetit të Thellë, duke i përshkruar si një lëvizje ndaj “rrjeteve terroriste”, duke i quajtur ata që i vënë në pikëpyetje standardet ligjore të këtyre rasteve darbeci, apo tregtarë puçesh dhe duke mos korrigjuar apo tërhequr pretendimet keqinformuese në raportimet e tyre. Në aspekte të tjera, meqë bie fjala, gazetarët e punësuar nga media e “frymëzuar” nga Güleni janë shpeshherë reporterë më të mirë se ata të punësuar mediat më të vjetra të Turqisë, nuk është bindëse të thuash se ata janë të trashë dhe të paqëndrueshëm. Ata janë të kujdesshëm dhe profesionalë kur duan të jenë. Për këto procese gjyqësore, është e qartë se nuk duan të jenë të tillë.
Tani për Amerikën
Güleni jeton në Shtetet e Bashkuara dhe atij i qe ofruar vlerësim dhe mbështetje nga figura të nivelit të lartë në qeverinë Amerikane. Bill Clinton dhe James Baker kanë dhënë referenca për kontributin e tij për paqen në botë, për shembull, dhe Presidenti Obama ka bërë një vizitë admiruese në Pinnacle School në Uashington, D.C. e “frymëzar” nga Güleni. Ish-oficeri i CIA-s Graham Fuller – gjithashtu ish-zëvendës kryetar i Këshillit Kombëtar të Inteligjencës dhe autor i The Future of Political Islam (E Ardhmja e Islamit Politik) ofroi personalisht garanci për Gülenin në procesin e aplikimit për green-card, siç bëri edhe ish-oficeri i CIA-s George Fidas dhe ish-ambasadori ynë në Turqi Morton Abramoëitz.
Gjithë kjo mbështetje i jep jetë teorive të konspiracionit në Turqi dhe ushqen ndjenja të thella antiamerikane ndërmjet atyre që i tremben Gülenit. Ata nuk e kuptojnë përse këto ish-spiunë dhe diplomatë e kanë ndihmuar atë. Sinqerisht, as unë nuk e kuptoj. As nuk mund t’i zbeh frikërat e tyre si deluzione absurde orientale. Ai është proamerikan në mënyrë pragmatike. Ai është cituar të ketë thënë se ai nuk do të bëjë asgjë për të minuar interesat amerikane në rajon. Ai është dyshues ndaj rusëve dhe iranianëve, siç jemi edhe ne. Ai është me ndikim të mjaftueshëm në Turqi sa do të ishte të paktën e lëvdueshme të imagjinohej që Amerika dëshiron ta marrë me të mirë ose ta përdorë. Unë e kuptoj pse shumë turq besojnë se Güleni po qëndron në Poconos sepse, për disa qëllime enigmatike perandorake, ne po e mbrojmë atë.
Fatkeqësisht, unë di mjaftueshëm rreth politikës së jashtme amerikane për të qenë e sigurtë se ne nuk jemi aq të zgjuar. Qeveria jonë është shpeshherë befasisht e paaftë, me degë që dështojnë rregullisht të komunikojnë informacione të rëndësishme me njëra-tjetrën dhe madje zyrtarë të lartë të painteresuar në detajet e mëposhtme të ngjarjeve komplekse në Turqi. Gjithashtu, e di se amerikanët janë në tërësi shumë të sjellshëm dhe të përmbajtur dhe kanë shumë dëshirë të kenë miqësi me myslimanë që thonë se ata denoncojnë terrorizmin. Por, ata nuk e kuptojnë se duke u miqësuar me Gülenin, ata xhindosin myslimanët në Turqi, të cilët njësoj e denoncojnë terrorizmin por gjithashtu urrejnë Gülenin si një opportunist i uritur për pushtet.
Güleni e ka përdorur kohën në Amerikë për t’u bërë operatori më i madh – apo ndoshta thjesht frymëzuesi – i shkollave komunitare në Shtetet e Bashkuara. Sharon Higgins, i cili themeloi organizatën Prindërit Nëpër Amerikë, beson se janë tashmë 135 shkolla komunitare të frymëzuara nga Güleni në vend, me një numër prej 45,000 studentësh. Kjo do ta bënte rrjetin e Gülenit më të madh se KIPP – i dyti, me 109 shkolla. Shkollat, në 25 shtete, kanë emra paqëtues: Akademia e Shkencës Horizont, Shkolla Private Pioniere e Shkencës, Akademia Zgjoi i Shkencës dhe Teknologjisë. Mijëra etnikë turq, pothuaj të gjithë meshkuj, kanë ardhur në Amerikë me viza H-1B specifikisht për të dhënë mësim në to. Shkollat fokusohen në matematikë dhe shkencë dhe studentët e tyre shpeshherë arrijnë rezultate të kënaqshme në testimet e standardizuara. Administratorët thonë se ata nuk kanë lidhje zyrtare me Gülenin dhe Güleni mohon çdo lidhje me shkollat.
Por formularët federalë kërkojnë që organizatat jofitimprurëse të tregojnë se virtualisht të gjitha shkollat janë hapur ose operojnë me ndihmën e grupeve të frumëzuara nga Güleni – organizata jofitimprurëse lokale që promovojnë kulturën turke. Akademia e Shkencës Horizont me qendër në Ohajo, për shembull, nënshkroi një kontratë qeraje 5-vjeçare për ndërtesën me Fondacionin Niagara e Çikagos, i cili promovon hapur filozofinë e Gülenit për “tolerancën, dialogun dhe paqen.”
FBI dhe Departamenti i Punës dhe Edukimit kanë zhvilluar hetime rreth praktikave të punësimit në disa prej këtyre shkollave, siç kanë raportuar New York Times dhe Philadelphia Inquirer – veçanërisht zëvendësimin e mësuesve amerikanë të çertifikuar me mësues turq të paçertifikuar të cilët marrin paga më të larta se ç’merrnin amerikanët, duke përdorur vizat që supozohet të jenë të rezervuara për punëtorë shumë të kualifikuar, të cilat plotësojnë nevojat e paplotësuara nga forca e punës në Amerikë. Shkollat pretendojnë, sipas një artikulli të shkruar nga Higgins në Washington Post, se ata nuk janë në gjendje të gjejnë mësues të kualifikuar në Amerikë – çka duket e pabesueshme, edhe për faktin se jemi në thellësitë e rënies ekonomike më të keqe në memorien e pasluftës dhe për faktin se disa prej këtyre ardhjeve të reja kanë ardhur për të dhënë mësimin e gjuhës angleze, të cilën shpeshherë e flasin me vështirësi, apo gjuhës angleze si gjuhë e dytë, të cilën shpeshherë u duhet ta mësojnë për vete. Ato janë punësuar gjithashtu si mësues të edukimit fizik, llogaritarë, roje, furnitorë, punëtorë ndërtmi, menaxherë të burimeve njerëzore, specialistë të marrëdhënieve publike dhe – mbi të gjitha – si avokatë.
Dy nga shkollat e vendosura në Teksas janë akuzuar se kanë transferuar fondet e shkollës – që ofrohen nga qeveria, sigurisht, meqë këto janë shkolla komunitare – në organizata të tjera të frymëzuara nga Güleni. Vitin e kaluar, New York Times raportonte se shkollat komunitare kalonin diku rreth 50 milion dollarë amerikanë të fondeve publike në një rrjet kompanish turke ndërtimi, mes të cilave edhe kompania e lidhur me Gülenin, Atlas Texas Construction and Trading. Shkollat kishin kontraktuar Atlasin të bënte ndërtime, thuhej në dokumenta, edhe pse ofrues të tjerë pretendonin në gjyq se kishin dorëzuar oferta më ekonomike. Ndërkohë, Atlasi mund të ketë luajtur rol në mbrojtjen e shkollave komunitare të Gülenit. Folwell Dunbar, një zyrtar nga Departamenti i Edukimit në Luiziana pati akuzuar zv.presidentin e Atlasit, Inci Akpinar, se i kishte ofruar atij një ryshfet prej 25,000 dollarë për të mbyllur gojën rreth konditave problematike në Shkollën Komunitare të Shkencës dhe Teknologjisë Abramson në Nju Orlins. Dunbar i dërgoi një shkresë zyrtare kolegëve të departamentit, raporton Times Picayune, duke njoftuar se “Akpinar e lajkatoi me një ‘numër komplimentash’ përpara se të hynte në temë: ‘Kam 25,000 dollarë për ta zgjidhur këtë problem: 20,000 për ty dhe 5,000 për mua.’” Abramson administrohet nga Pelican Foundation, që është i lidhur me Cosmos Foundation në Teksas të frymëzuar nga Güleni – fondacion që drejton të dy shkollat e Teksasit.
Akademia Zgjoi i Shkencës dhe Teknologjisë në Jutah, një tjetër shkollë komunitare e frymëzuar nga Gülen ishte në një borxh prej 337,000 dollarë, sipas një hetimi financiar nga Bordi i Shkollave Komunitare të Jutah. Deseret News u përpoq të gjente se ku kishin shkuar gjithë ato para të taksapaguesve. “Në një kohë pushimesh nga puna të mësuesve, Zgjoi kishte rekrutuar një përqindje të lartë mësuesish të huaj, kryesisht nga Turqia” raportonte gazeta. “Shumë prej këtyre mësuesve kishin pak ose aspak përvojë mësimdhënieje përpara se të vinin në Shtetet e Bashkuara. Disa prej tyre ende nuk janë çertifikuar për të dhënë mësim në Jutah. Shkolla shpenzoi më shumë se 53,000 dollarë për tarifa emigracioni për të huajt në pesë vite. Gjatë së njëjtës periudhë, administratorët harxhuan më pak se 100,000 dollarë për tekste, sipas regjistrave shtetërorë.” Raportet kanë pretenduar edhe se bordi i shkollës ishte pothuaj tërësisht turk.
Një reporter nga revista majtistë In These Times vërente në vitin 2010 se Akademis e Shkencës dhe Matematikës në Çikago fshihte lidhjet me Gülenin. Bordi i shkollës ishte në mënyrë të habitshme i ngjashëm me atë të Zgjoit: “Kur shkova në takimin e bordit të shkollës më 8 korrik, u shtanga kur pashë një bord drejtorësh të përbërë tërësisht nga burra. Të gjithë dukeshin me origjinë turke, boshnjake apo kroate. Edhe pse nuk kam asgjë kundër burrave turq, boshnjakë dhe kroatë, duket se një bord shkolle që u shërben studentëve që janë 58% hispanikë/latinë, 25% afroamerikanë dhe 12% azatik e 5% të bardhe mund të drejtohej nga disa anëtarë femra të bordit dhe anëtarë bordi me origjinë etnike të njëjtë me klientët predominues të shkollës.”
Autoritetet federale po hetojnë gjithashtu disa nga shkollat e lëvizjes me dyshimin se kanë detyruar punonjësit të dërgojnë pjesë të çeqeve të pagave të tyre në Turqi, raporton Inquirer. Gjithashtu, shqetësues është fakti se disa nga këto shkolla, pasi fitojnë të drejtën për të lëshuar obligacione publike të mëdha, të përjashtuara nga taksat janë duke dështuar t’i paguajnë. New York Times së fundmi raportonte se shkollat e frymëzuara nga Güleni në Gjeorgji kishin një paaftësi paguese prej 19 milion dollarë në obligacione publike, pasi kanë garantuar qindra mijëra dollarë në kontrata me bizneset e lidhura me ndjekësit e Gülenit.
Nuk ka evidenca se në shkollat e Gülenit ndodh prozelitizëm (konvertim) islam dhe shumë evidenca se studentët dhe prindërit i pëlqejnë ato. Pjesa më e madhe duket të jenë institucione të përshtatshme edukimi, sipas standardeve amerikane. Të diplomuarit kanë arrijnë rezultate arsyeshmërisht të mira dhe disa arrijnë rezultate të dalluara.
Pra, për çfarë shërbejnë shkollat? Mes të tjerash, ato duket se janë burim parash për xhematin. Ata mbushen me financime private, shtetërore dhe federale dhe kanë treguar efektivitet mahnitës në kërkimin e donacioneve private. Shkollat janë gjithashtu fabrika për vizat H-1B dhe me gjasë rruga e vetme për të ndërtuar komunitetin Gülen në Shtetet e Bashkuara. Në vitin 2011, 292 nga 1500 punonjësit e Shkollës së Inovacionit Harmonia – shkollë komunitare në Teksas – u përkisnin përfituesve të vizave H-1B – tha për New York Times kryeinspektori i shkollës. Rezerva federale ka hetuar Concept Schools, që menaxhon 16 Akademi të Shkencës Horizont në Ohio, me dyshimin se ata përdornin paratë e taksapaguesve për të paguar tarifa ligjore dhe emigracioni për njerëz që nuk i kishin punësuar kurrë, zbuloi një bashkëpunëtor i ABC në Ohajo. Dyshimi i Rezervës Federale u konfirmua nga auditorët shtetërore. Concept Schools ripagoi tarifat për shkollat e saj të Cleveland dhe Toledo pak përpara se të bëhej publik lajmi në ABC, por nuk është e qartë nëse ata kanë ripaguar – apo mund të ripaguajnë – tarifat për shkollat e tjera.
Ndoshta, për të shmangur vëmendjen nga shkollat, njerëzit e “frymëzuar” nga Güleni ftojnë rregullisht udhëheqës të rangut të lartë në darka për të folur dhe i mbushin me tituj. Ju kujtohen ato udhëtimet në Turqi që organizon Shoqëria Kulturore dhe Edukative Turko-Irlandeze? E njëjta gjë ndodh në Shtetet e Bashkuara. Dyzina teksanësh, që nga ligjvënës të shtetit, staf i kongresit e deri tek profesorët e universiteteve kanë ndërmarrë udhëtime në Turqi të financuara nga fondacionet e Gülenit. Fondacioni “Pika Shiu”, për shembull, pagoi udhëtimin e Senatores së Shtetit të Teksasit, Leticia Van de Putte në Stamboll, sipas një raporti të fushatës së fundit. Këtë janar, ajo bashkësponsorizoi një rezolutë të Senatit që lavdëronte Gülenin për “kontributin e tij të vazhdueshëm dhe frymëzues në nxitjen e paqes dhe mirëkuptimit global.”
Steve Terrell, një reporter i New Mexican në Santa Fe, gërmoi pak dhe zbuloi se një numër i habitshëm ligjvënësisht lokalë kishin ndërmarrë udhëtime në Turqi kohët e fundit falë bujarisë së një grupi privat, Këshilli i Bruztë i Amerikanëve dhe Euroaziatikëve, që është i lidhur me Gülenin. Gjatë vitit të fundit, në Idaho, plot një e dhjeta e ligjvënësve shtetërorë shkuan në turin Troku i Turqisë, falë Institutit Pacifica, gjithashtu i frymëzuar nga Güleni. Komisioni Shetëror i Etikës në Haëaii u dërgoi një shkresë ligjvënësve për t’u kujtuar të konsultoheshin me komisionin përpara se të pranonin udhëtimin me të gjitha shpenzimet e mbuluara, në të cilin ishin ftuar nga Pacifica. “Komisioni Shtetëror i Etikës”, thoshte shkresa, “nuk ka një njohje të mjaftueshme të Institutit Pacifica, qëllimit të udhëtimit dhe shkallës së ‘përfitimit’ që shoqëron udhëtimin.”
Është një vrazhdësi jo shumë cinike nëse të gjithë këto udhëtime lidhen me shumat tronditëse të parave publike që u shkojnë shkollave komunitare të frymëzuara nga Gülen. Në të vërtetë, Amerika është i vetmi vend në botë ku lëvizja Gülen ka mundur të hapë shkolla me financim në një shkallë të gjerë nga taksapaguesit e vendit pritës.
Por, mos vallë xhemati kërkon diçka më shumë se paratë? Mbështetësit e tij e quajnë atë “lëvizje e shoqërisë civile e bazuar në besim”. Mehmet Kalyoncu, këshilltar i ambasadorit të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik në Kombet e Bashkuara, ka vënë re se armiqtë turq të xhematit e quajnë atë krijesë të CIA-s apo Mossad-it, shërbim sekret të Papës, apo kalë troje që përpiqet të kristianizojë myslimanët apo t’i dobësojë ata. Për disa kritikë perëndimorë, xhemati është “një kult i fshehtë islamist”, antisemit, antiperëndimor dhe që përpiqet të islamizojë amerikanët. Güleni është një Khomein i dytë – ka paralajmëruar Rubin – që po përpiqet të ndërtojë një kalifat të ri.
Por asnjëra nga këto nuk është aq e saktë. Sipas studiuesit Aydin Ozipek, i cili ndoqi një shkollë të Gülenit, “objektivi kryesor i Lëvizjes Gülen është të rrisë pjesën e saj të pushtetit.” Ky, më duket mua, është përshkrimi më i saktë nga të gjithë. Xhemati ballafaqohet me probleme jo sepse anëtarët e tij janë myslimanë të devotshëm (ajo është me gjasë gjëja më e admirueshme tek ata), por sepse është një biznes i uritur për pushtet që shpeshherë sillet në mënyrë të neveritshme – si mafia, e thënë ndryshe. Güleni nuk menaxhon “medrese” në Amerikë, siç kanë pretenduar disa. Ai menaxhon shkolla komunitare. Ai nuk praktikon “tekijen”, ai thjesht shtiret, si çdo politikan tjetër i zakonshëm.
Nuk besoj se Güleni është rrezik i rëndësishëm për interesat e Amerikës në Lindjen e Mesme. Për arsye pragmatike, lëvizja është miqësore me çdo vend ku mund të vendosë një prani biznesi: nëse jemi miqësorë me biznesin, ajo do të jetë miqësore me ne, mëgjithatë në përkufizojmë interesat tona. Xhemati nuk ka pse të jetë problem brenda Amerikës, sa kohë ne sillemi me të syçelë dhe sigurohemi se anëtarët e tij po i binden ligjit. Por syçeltësia është çelësi. Ja një fragment tjetër nga ai predikim i ulët që doli në sipërfaqe në vitin 1999:
“Filozofia e shërbimit tonë është se ne hapin një shtëpi diku dhe, me durimin e një merimange, ne e shtrijmë rrjetën tonë dhe presim që njerëzit të bien në rrjetën tonë; ne u japim mësim atyre që bien në rrjetë. Ne nuk e shtrijmë rrjetën për t’i ngrënë apo konsumuar ata, por për t’u treguar atyre rrugën drejt ringjalljes, për të shtënë jetë në trupat dhe shpirtrat e tyre të vdekur, për t’u dhënë jetë.”
Këto fjalë na këshillojnë që aktivitetet e Güleni në Shtetet e Bashkuara meritojnë vëmendje të veçantë – vëmendje sepse biznesi i tij është i organizuar dhe ai mendon për të ardhmen.
Mbi të gjitha, fuqia asimiluese e Amerikës ka një histori shumë më mbresëlënëse se ajo e Gülenit. Qëndrimi ynë ndaj lëvizjes Gülen në Amerikë ka qenë i duhuri, edhe pse i paqëllimtë dhe i vonuar. Akuzo ata që duhen akuzuar për krime specifike, të qarta – mashtrim me vizat dhe, dyshoj edhe, shantazh – dhe prit që gjenerata tjetër të bëhen amerikanë. Trajtoni njerëzit e frymëzuar nga Güleni sipas rendit të ligjit – të të njëjtit ligj që ndjek çdokush tjetër në Amerikë. Nëse tashmë nuk e vërejnë këtë, do ta kuptojnë në kohë se ato ligje janë të shkëlqyera dhe të lidhura me mundësitë ekonomike që gëzojnë. Në fakt, ata edhe mund t’i bëjnë njëfarë të mire Amerikës, për aq sa janë të kredhur në betejën me sindikatat e mësuesve: nëse ndjekësit e Gülenit arrijnë t’i mposhtin, më shumë pushtet për ta. Mbase një ditë, do të kemi edhe një roman të madh amerikan për xhematin nga përvoja e tyre.
Qëndrimi ynë ndaj lëvizjes si një aktor i politikës së jashtme, sakaq, për aq sa mund ta kuptoj, ka qenë idiot. Është gabim të imagjinosh se Güleni mund të jetë njëfarë aseti për ne në nivel ndërkombëtar apo të pranojmë ta promovojmë si të tillë. Ai nuk është zgjedhur në Turqi – aleatin tonë në NATO – apo ndokund tjetër. Ne kemi interes ta shohim Turqinë të bëhet demokraci e plotë liberale. Kjo do të thotë të mbështesim idealet e shpallura të Gülenit – jo atë.
*Claire Berlinski, editorialiste e City Journal, është gazetare amerikane që jeton në Stamboll. Ajo është autor e “Nuk ka asnjë alternativë: Pse Margaret Theçër ka rëndësi”.

Related

Shtypi i huaj 2689038702882067297

Arkivi

Kontakt

Name

Email *

Message *

STUDJESA PETROL

item