Tetova News

“Qosja adhuronte Enverin dhe akuzon Kadarenë si stalinist”

PROF. SKËNDER GJONI Rexhep Qosja Mbi botimin e ditarit të akademikut kosovar “‘Vdekja më vjen prej syve të tillë’ doli në Paris me...

PROF. SKËNDER GJONI

Rexhep Qosja

Mbi botimin e ditarit të akademikut kosovar

“‘Vdekja më vjen prej syve të tillë’ doli në Paris me ndërhyrjen e Kadaresë”

Lexova me vëmendje dhe kuriozitet vëllimin IV të ditarit të Rexhep Qosjes. Mendoj se nuk ka ndonjë rëndësi se prej kujt janë zgjedhur këto pjesë që u dhanë në shtyp, prej vetë autorit ose në bashkëpunim me botuesin. Nuk e them dot përse, por ndjeva një sensacion dyshimi. Kur është shkruar? Më vajti mendja se kjo pjesë ditari do të shkërmoqej mirë nga specialisti i nderuar N. Jorgaqi, siç “na bindi me shpjegimet” për romanin e pabotuar të Kadaresë “Mjegullat e Tiranës”. Mbasi siç e tregojnë vetë, si studiues edhe N. Jorgaqi edhe R. Qosja kanë mbajtur ditarë të hollësishëm ku kanë shkruar ndryshe nga sa janë sjellë në jetën e përditshme.
http://www.panorama.com.al/wp-content/uploads/2013/04/Shkrimtari_ismail-kadare.jpg

Ismail Kadare

Ditari i botuar i përket vitit 1982-1983 dhe ka të bëjë me sferën e letrave. Flitet për autorin, për problemet e tij dhe pastaj vijon me mendime për autorët e tjerë shqiptarë. Janë kryesisht autorë të Kosovës, të gjykuar në mënyrë mjaft të ashpër nga R.Qosja, që, sipas tij, janë përdorur prej regjimit në Kosovë (nënkuptohet prej regjimit serb dhe atij shqiptar, në shërbim të Serbisë). Midis këtyre figurave për të cilat Rexhep Qosja nuk e kursen mendimin e tij negativ, janë Ibrahim Rugova, Ali Podrimja dhe Azem Shkreli, duke vazhduar me të tjerë si Rexhep Ismajli e Syrja Popovci. Pyetja e parë që shtrohet për tre të parët është e sferës morale. A është e lejueshme moralisht që për tre nga autorët më të shquar të Kosovës të shpërthejë një helm i tillë, në kohën që ata kanë ndërruar jetë njëri pas tjetrit dhe s’kanë asnjë mundësi për përgjigje? Veç kësaj, me sa jemi në dijeni, këta autorë gëzojnë një simpati të ndjeshme te pjesa e
gjerë e publikut si në Kosovë, si në Shqipëri dhe kudo në diasporën shqiptare. Unë nuk kam dyshim se ata janë pjesë e fondit të qëndrueshëm të letërsisë shqipe dhe nuk mund të rrëzohen kaq lehtë, pa asnjë argument serioz, në fletët e çfarëdolloj ditari. Nuk po përmendim këtu se Ibrahim Rugova konsiderohet Presidenti i parë themelues i Republikës së Kosovës dhe ky është një shkak më shumë për të mos lejuar gjykime poshtëruese për të si “i përdorue i imtë partiak” e të tjera si këto. Këto qëndrime të R. Qosjes më shpjegojnë qartë një moment shumë përcaktues të tij.

* * *
Në ditët më të errëta të popullit të Kosovës u fol gjerësisht në shtyp që Rexhep Qosja erdhi fshehtas në Tiranë. Rroi mjekrën, vuri edhe ferexhenë dhe nga Rexhep u kthye në Rexhepina. Ajo që të bën përshtypje më tepër në këto pjesë ditari është acarimi i Rexhep Qosjes kundër shkrimtarit Ismail Kadare. Sipas Qosjes, shkrimtari Ismail Kadare na qenka shtylla e stalinizmit shqiptar në letërsinë shqipe, mbrojtësi më i madh i realizmit socialist dogmatik dhe, kulmi i kulmeve, Kadareja qenka armiku më i madh i prirjeve europianiste në letrat shqipe. Nënkuptohet, për të mos thënë del qartë, se e kundërta e Kadaresë, domethënë artisti liberal, ai që kërkon ta modernizojë artin shqiptar dhe ai që përpiqet për emancipimin e letërsisë shqipe, qenka vetë shkruesi i ditarit, pra Rexhep Qosja dora vetë. Mungon vetëm pohimi se ndërsa Qosja i ka sytë nga Parisi dhe Europa, Kadaresë i qan zemra për Turqinë! Dihet botërisht prej kohësh se çështja e identitetit s
hqiptar ka qenë konflikti kryesor midis Kadaresë dhe Qosjes. Kadareja mbronte identitetin europian, Qosja kishte mendimin se identiteti ynë është i gjysmuar: midis Perëndimit dhe Lindjes. Qosja s’mund t’i mohojë prirjet e veta otomaniste, gjë që e tregon edhe me paraqitjen e tij publicitare me imamin famëkeq të Prishtinës, i cili ndodhet sot në burg si nxitës i terrorizmit fetar. Më poshtë do shpjegoj dyshimet që qarkulluan në atë kohë në Tiranë, se, në dënimin e “Pallatit të Ëndrrave” dhanë kontributin e tyre edhe argumente të ardhura nga jashtë kufijve. Do të dëshiroja t’i bëja një pyetje të thjeshtë Rexhep Qosjes: Në qoftë se ju kishit një mendim kaq negativ për Ismail Kadarenë, përse iu drejtuat atij për t’ju ndihmuar, vite më pas, për botimin e romanit tuaj “Vdekja më vjen prej syve të tillë” në Paris? Dihet se romani i Qosjes u botua falë ndërhyrjes së Kadaresë, madje i shoqëruar me një prezantim të gjerë prej 20 faqesh bërë nga
Kadareja vetë. Si mundet një shkrimtar të ketë një qëndrim kaq ndryshe në jetë dhe kaq ndryshe në ditarin që mban? Si kujtoni ju zoti akademik se mund t’i merrni shqiptarët për debilë e mund t’ua servirni sapunin për djathë! Në ditarin e R. Qosjes, lexuesi s’ka si të mos mbetet i çorientuar lidhur me figurën e Enver Hoxhës. Qosja jep të kuptojë se dikush e shtyu atë të kritikojë udhëheqësin e Shqipërisë, por ai është krenar të deklarojë në ditar se “s’ka zot të më bëjë të shkruaj kundër Enver Hoxhës”. Ky pohim i tij, i vazhduar nga arsyetimi se “e dua Shqipërinë se është atdheu ynë dhe e kuptoj adhurueshëm prijësin e saj të sotëm Enver Hoxha”, tingëllon normal për atë kohë, kur shumë njerëz, duke përfshirë dhe intelektualë dhe akademikë që jetonin jashtë Shqipërisë, nuk ishin në dijeni për gjendjen dhe tablonë e vërtetë të Shqipërisë. Ajo që të lë gojëhapur në adhurimin e tij për E. Hoxhën, është fakti se,
ndërsa arsyeton mendimin e tij për E. Hoxhën, (Qosja është i bindur se Enver Hoxha e ka bërë Shqipërinë shtet të fortë e të emancipuar), gjithë zemërimin e tij e ruan për shkrimtarin Ismail Kadare. Kadareja akuzohet si komunist i zjarrtë, si stalinist, si konformist, si përkrahës i regjimit. Këtu del pyetja: Përse një gjë e tillë quhet diçka e keqe për Kadarenë, kurse për Enver Hoxhën quhet “e adhurueshme”? Sepse, sido që ta vërtitësh arsyetimin dhe sado komunist i zjarrtë e stalinist të ketë qenë Kadareja, ai nuk ia kalonte dot në këtë pikë Enver Hoxhës!

* * *
E logjikshme do të ishte që në ditarin e Qosjes, pas mendimit pozitiv për Enver Hoxhën, të kishte një mendim negativ për Kadarenë, si shkrimtar që “megjithëse ka dhunti”, siç pohon Qosja, nuk ecën drejt në rrugën e drejtë të prijësit. Që shkruan vepra që nuk e forcojnë Shqipërinë (siç bën Enver Hoxha), por e dobësojnë atë, që shkruan vepra me prirje dekadente si romani “Pallati i Ëndrrave”, që po dënohet këto ditë në Tiranë etj. E thënë më thjeshtë, R. Qosja vetë komunist e adhuron E. Hoxhën si komunist, pra enverist. E. Hoxha adhuronte Stalinin, pra stalinist. (Busti i Stalinit u hoq i fundit në Shqipëri). Akademiku Qosja akuzon, jo admiron, Kadarenë si komunist i zjarrtë, konformist e stalinist. Pra, zotni akademik, ju të tre na paskeni qenë në të njëjtën anë të llogores! Pse na e ndan Kadarenë, o i ndershmi e i drejti akademik?! Veç ku është problemi? Kur e lexova ditarin bëra pyetjen: ku e ka burimin kjo urrejtje paturpësisht e shprehur?
Nga e ka origjinën tentativa për ta inkluduar Shqipërinë në botën e orientit? Është interesi i serbëve për ta paraqitur Shqipërinë si vend islamik. Nuk mund të mos përmend se Qosja i ka kryer studimet në Beograd. Tashmë edhe më naivët e dinë se si zgjidhen dhe sesi veprojnë shërbimet informative, kryesisht me studentët që premtojnë më shumë për të ardhmen. Të mos harrojmë asnjëherë se ishte Kryeministri Berisha famëkeq ai që e futi vendin në Lidhjen Arabe dhe për pak sa nuk na pagëzoi si shtet islamik. Siç shkruhet në ditarin e Qosjes në vitin 1982, Kadare na qenkësh stalinisti dhe konformisti më i madh i letërsisë shqipe. Data kur fillojnë e shtjellohen mendime të tilla është 24 shkurt 1982. Për një koincidencë tepër të çuditshme, pikërisht në këtë ditë në Tiranë po zhvillohej Plenumi i Lidhjes së Shkrimtarëve, ku dënohej “Nëpunësi i Pallatit të Ëndrrave”, roman i Kadaresë i akuzuar si vepër e dëmshme ndaj rendit socialist. Ky plenu
m dhe ky ndalim i romanit kanë bërë bujë në Shqipëri dhe në Europë, ku Kadare prej vitesh gëzonte një njohje të madhe. Me dhjetëra ishin artikujt që e mbrojtën Kadarenë, sidomos në shtypin francez. Rexhep Qosja nuk e ka përmendur kurrë romanin “Pallati i Ëndrrave” dhe as dënimin e tij. Por ai s’mund të thotë kurrë se nuk ishte në dijeni për atë që ndodhte në Tiranë. Është shumë e vështirë për ne, të përfytyrojmë që, në kohën që një shkrimtar shqiptar ishte vënë në shënjestër në Tiranë, një koleg i tij në Prishtinë, në vend të një minimumi solidariteti, vjell vrer në ditarin e tij. Dhe kjo është baras sikur të fërkosh duart. Kam qenë prezent në sallë kur është diskutuar romani i Kadaresë “Pallati i Ëndrrave”, ku prezent gjithashtu ishte edhe N. Hoxha dhe R. Alia. Në rrethet e MPB flitej që më në fund Ismaili do arrestohej.

* * *
Me sa ma lejon memoria kam ditur nga i njohuri im, M. Dodani, që mbulonte sektorin e letërsisë në MPB që Qosja jepte periodikisht informacione në Akademinë e Tiranës, mbante në korrent dhe jepte vlerësime për librat e shkrimtarëve shqiptarë në Kosovë dhe në Shqipëri. Këto justifikoheshin nën etiketën e bashkëpunimit shkencor midis dy akademive. Pra kështu Qosja ishte syri vigjilent i E. Hoxhës mbi krijimtarinë letrare në të dy anët e kufirit. Këtu e ka burimin fakti i përfolur se në Akademinë tonë të Shkencave ka ekzistuar një kritikë me shkrim, e ardhur përpara Plenumit të Lidhjes, akuzë e shkruar nga R. Qosja për romanin “Pallati i Ëndrrave”, mendime të cilat iu sugjeruan D. Agollit dhe u përdorën prej tij pjesërisht në diskutimin kritik për “Pallatin e Ëndrrave” përpara N. Hoxhës dhe R. Alisë. Siç shihet nga vetë Qosja, ai ka qenë i afërt dhe i besuar i E. Hoxhës dhe i gruas së tij. Besnikëria ndaj tyre shprehet më mirë se kudo në
këtë ditar kujtimesh. Kam bindjen se “Pallati i Ëndrrave” është “arma e krimit” me të cilën Qosja qëlloi për vdekje kolegun dhe mirëbërësin e tij. Pikërisht ky është shkaku që akademik Qosja këtë roman kryevepër nuk e zë asnjëherë me gojë, vetëm hesht. Këtë vepër që duhet të jesh naiv ose qëllimkeq që të mos e kuptosh se bëhet fjalë për KQ të Partisë, për kafen dhe salepin që pihej në të. Kjo përkon me shprehjen “në shtëpinë e të varurit nuk flitet për litar”. Na kujtohet mirë se viti 1982, siç del nga librat e shkruar më pas, ndër të cilët dëshmitë e Bashkim Shehut, që në atë kohë merrej në pyetje natë e ditë në burg për Kadarenë, ka qenë tepër i vështirë për shkrimtarin. Gazetat e Europës, duke përfshirë edhe ato të Jugosllavisë, vazhdonin të shkruanin për ndalimin e “Pallatit të Ëndrrave”. Vetëm Rexhep Qosja, krejtësisht shurdh, bënte sikur s’dinte gjë dhe në ditarin e tij vazhdonte të shkruante e të shfrynte kundër Ismail Kadaresë, duke e paraqitur si të privilegjuar e stalinist!


Related

Kultura 5001208830126852462

Arkivi

Kontakt

Name

Email *

Message *

STUDJESA PETROL

item